Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«S’kemi më punë për ty»

«S’kemi më punë për ty»

«S’kemi më punë për ty»

ADMINISTRATA e quante Fredi i Madh. * Risitë e tij i kishin kursyer kompanisë shumë para për gjashtë vjet në atë punë. Prandaj, kur e thirrën në zyrën e drejtorit, Fredi priste t’i rritnin rrogën ose ta ngrinin në detyrë. Por befas drejtori i tha: «S’kemi më punë për ty.»

Fredi nuk mund t’u besonte veshëve. «Fitoja goxha dhe e doja punën që bëja, por në çast çdo gjë u përmbys»,—thotë ai. Më vonë, kur Fredi i tha gruas, Adelës, se humbi punën, edhe asaj i ra si bombë. «Më ra gjaku në fund të këmbëve,—kujton ajo.—Po tani, si do t’ia bënim?»

Kjo që i ka ndodhur Fredit, u ka ndodhur edhe miliona të tjerëve në mbarë botën, siç tregon edhe grafiku.

Megjithatë numrat nuk tregojnë sa të dërrmon emocionalisht humbja e punës. Për shembull, Rauli, një emigrant nga Peruja, ngeli pa punë pasi kishte punuar për 18 vjet në një hotel të madh në qytetin e Nju-Jorkut. Kërkoi punë, por ishte e kotë. «Kisha gati 30 vjet që mbaja familjen ekonomikisht,—thotë ai.—Tani më dukej vetja njeri i dështuar.»

Përvoja e Raulit tregon një fakt që njihet mirë ndër të papunët: humbja e punës përveç problemeve financiare, sjell edhe probleme të tjera. Shpesh të shkakton dhembje të madhe emocionale. «Fillova të ndihesha e pavlerë,—thotë Rëneja, burri i së cilës, Luka, kishte më shumë se tre vjet pa punë.—Nëse nuk ke asgjë, për njerëzit je një hiç dhe shumë shpejt fillon ta shohësh veten siç të shohin të tjerët.»

Si të mos mjaftonte dhembja emocionale, kushdo që futet në radhët e të papunëve përballet me vështirësi të tjera kur të ardhurat janë më të pakta. «Kur kishim para, as na shkonte në mendje të shtrëngoheshim,—thotë Fredi.—Por kur vinte puna për të shpenzuar njësoj, ndërkohë që nuk kishim gjetur punë, s’na mbetej tjetër veçse të thjeshtonim jetën.»

Ndërkohë që kërkon punë, duhet të përballesh me ankthin mendor dhe emocional që shkakton papunësia. Mund të të duhet të jetosh me më pak të ardhura. Fillimisht le të shqyrtojmë dy hapa praktikë që mund të të ndihmojnë të përballosh vështirësitë emocionale.

[Shënimi]

^ par. 2 Në këtë seri disa emra janë ndryshuar.

[Grafiku në faqen 3]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Numri i të papunëve në 2008-n vetëm në tri vende

Japoni 2.650.000

Spanjë 2.590.000

SHBA 8.924.000