Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jam gati të jetoj më vete?

A jam gati të jetoj më vete?

Të rinjtë pyesin

A jam gati të jetoj më vete?

«Ndonjëherë më duket sikur njerëzit më shohin me përçmim ngaqë jam 19 vjeçe dhe jetoj akoma me prindërit. Sikur, po të mos shkëputesh prej tyre, nuk quhesh i rritur.»​—Keti. *

«Jam gati 20 vjeçe dhe më vjen shumë inat që nuk kam pavarësinë që dua. Kam menduar të largohem nga shtëpia sepse nuk duroj dot më që prindërit nuk duan t’ia dinë për dëshirat e mia dhe më thonë se kanë më tepër përvojë.»​—Fiona.

SHUMË kohë para se të jesh gati të jetosh më vete, mund të fillosh të dëshirosh pavarësinë. Kjo është normale. Në fund të fundit, qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që të rinjtë të rriten e pastaj të lënë babanë e nënën dhe të ngrenë familjen e tyre. (Zanafilla 2:23, 24; Marku 10:7, 8) Por a tregon dëshira e fortë për më shumë pavarësi se ka ardhur koha të jetosh më vete? Ndoshta. Po si të kuptosh nëse je vërtet gati të largohesh nga shtëpia? Le të shohim tri pyetje të rëndësishme që duhet t’u përgjigjesh. E para është . . .

Cilat janë arsyet?

Që të arrish të kuptosh arsyet pse dëshiron të largohesh nga shtëpia, hidhi një sy listës më poshtë. Rendit sipas rëndësisë arsyet pse do të ikësh nga shtëpia.

․․․ Të shmang problemet në shtëpi

․․․ Të jem më i pavarur

․․․ Të fitoj respektin e shokëve

․․․ Të ndihmoj një shok që ka nevojë të ndajë shpenzimet e shtëpisë

․․․ Të bëj punë vullnetare në një vend tjetër

․․․ Të fitoj përvojë

․․․ Të mos u bie më në qafë prindërve financiarisht

․․․ Tjetër

Asnjëra nga arsyet e mësipërme nuk është medoemos e keqe. Megjithatë, nga arsyeja pse do të largohesh, do të varet shumë lumturia kur të jetosh më vete. Për shembull, nëse po ikën që t’u bësh bisht problemeve në shtëpi ose për të qenë më i lirë, realiteti mund të të habitë.

Daniela, e cila u largua për pak kohë nga shtëpia kur ishte 20 vjeçe, mësoi mjaft nga përvoja. Ajo thotë: «Të gjithëve na duhet të jetojmë me disa kufizime. Kur jeton më vete, orari i punës ose mungesa e të ardhurave të kufizojnë në ato që dëshiron të bësh.» Kamela, që shkoi jashtë shtetit për gjashtë muaj, thotë: «Më pëlqente si përvojë, por shpesh nuk kisha fare kohë të lirë. Më duhej të bëja punët e shtëpisë: të pastroja, të rregulloja gjërat e prishura, të shkulja barërat e këqija, të laja rrobat, të fërkoja dyshemenë etj.»

Është e vërtetë se duke ikur nga shtëpia mund të fitosh pak më tepër liri dhe shokët mund të të respektojnë më shumë. Por je ti që do të paguash faturat, do të gatuash, do të pastrosh shtëpinë dhe do të shtysh kohën kur miqtë dhe familjen të mos i kesh vërdallë. Prandaj mos lejo që të tjerët të të shtyjnë të marrësh një vendim të nxituar. (Proverbat 29:20) Edhe nëse ke arsye të vlefshme për t’u larguar nga shtëpia, vetëm kjo nuk mjafton. Duhet të dish të kujdesesh për veten. Kjo na çon në pyetjen e dytë . . .

A jam i përgatitur?

Të jetosh më vete është si të bësh një ekskursion në natyrë. A do të guxoje të shkoje në vende të pabanuara pa ditur të ngresh tendën, të ndezësh zjarrin, të gatuash ose të lexosh hartën? Vështirë se po. E megjithatë, mjaft të rinj largohen nga shtëpia pa ditur tamam si të mbajnë një shtëpi.

Mbreti i mençur Solomon tha se ‘mendjeholli i shqyrton hapat e tij’. (Proverbat 14:15) Për të kuptuar nëse je i përgatitur të jetosh më vete, shqyrtoni nëntitujt vijues. Vër një përbri aftësive që tashmë ke dhe një X përbri atyre që duhet të përmirësosh.

◯ Administrimi i parave: «Kurrë nuk më është dashur të nxjerr lekë nga xhepi,—thotë Serena 19-vjeçare.—Kam frikë të largohem nga shtëpia dhe t’i administroj vetë paratë.» Si të mësosh t’i administrosh paratë?

Një proverb biblik thotë: «Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim.» (Proverbat 1:5) Prandaj pse nuk pyet prindërit se sa mund të shkojnë shpenzimet mujore për një person për të mbuluar qiranë ose kredinë, për të ngrënë, për të mbuluar shpenzimet e makinës ose të udhëtimeve? Pastaj kërkoju prindërve të të mësojnë si të administrosh të ardhurat dhe si të paguash faturat. Pse është e rëndësishme të mësosh të mbash një buxhet? Kevini, 20 vjeç, thotë: «Kur jeton më vete, të dalin shumë shpenzime të paparashikuara. Nëse nuk tregohesh i kujdesshëm, mund të të dalë shpirti për të paguar borxhet.»

Dëshiron të bësh një provë? Nëse je në punë, për njëfarë kohe jepu prindërve shumën që mbulon shpenzimet e tua mujore për ushqimin, strehimin dhe të tjera si këto. Nëse nuk arrin ose nuk je i gatshëm të mbulosh shpenzimet e tua ndërkohë që jeton me prindërit, zor se do të jesh gati për të jetuar më vete.—2 Selanikasve 3:10, 12.

◯ Punët e shtëpisë: Blendi, 17 vjeç, thotë se ajo që e tremb më shumë po të largohet nga shtëpia, është larja e rrobave. Si ta kuptosh nëse je gati për t’u kujdesur për veten? Aroni 20-vjeçar sugjeron: «Përpiqu të jetosh për një javë sikur të jesh më vete. Ha vetëm atë që ke gatuar vetë, që e ke blerë me paratë e tua. Vish rrobat që lan dhe hekuros vetë. Pastro dhe rregullo çdo gjë që bën pis. Dhe përpiqu të udhëtosh pa ndihmën e dikujt që të merr me makinë dhe të ndalon ku të duash.» Ky sugjerim do të të ndihmojë për dy gjëra: (1) të fitosh aftësi të dobishme dhe (2) të vlerësosh më shumë punën që bëjnë prindërit.

◯ Marrëdhëniet me të tjerët: A ke marrëdhënie të mirë me prindërit, motrat e vëllezërit? Nëse jo, mund të mendosh që do ta kishe më të lehtë po të jetoje me një shok. Ka mundësi. Por shiko çfarë thotë Eva 18-vjeçare: «Dy shoqe të miat filluan të jetonin bashkë. Para se të transferoheshin, ishin shoqe të ngushta, po nuk jetonin dot bashkë. Njëra ishte e rregullt, tjetra e çrregullt. Njëra ishte e përqendruar te adhurimi i Perëndisë, tjetra jo dhe aq. Nuk funksionoi!»

Erina, 18 vjeçe, dëshiron të jetojë më vete. Megjithatë ajo thotë: «Mund të mësosh shumë për marrëdhënien me të tjerët gjatë kohës që jeton me familjen. Mëson si të zgjidhësh problemet dhe të hapësh rrugë. Kam vënë re se ata që largohen nga shtëpia për të shmangur mosmarrëveshjet me prindërit, mësojnë t’u bëjnë bisht problemeve, e jo t’i zgjidhin.»

◯ Rregullsia në aktivitetet fetare: Disa largohen nga shtëpia me synimin për të mos marrë pjesë në aktivitetet fetare të prindërve. Të tjerë kanë plotësisht dëshirë të mbajnë një program të mirë për studimin e Biblës dhe për aktivitetet fetare, por shumë shpejt i humbasin zakonet e mira. Si t’ia bësh që ‘besimi yt të mos shkallmohet si një anije’?—1 Timoteut 1:19.

Mos i ndiq verbërisht bindjet fetare të prindërve. Perëndia Jehova do që të gjithë ne t’i vërtetojmë bindjet që besojmë. (Romakëve 12:1, 2) Prandaj vendos një program të rregullt për leximin e Biblës dhe aktivitetet fetare, e përmbaju. Pse të mos e shkruash këtë program në kalendar dhe të shohësh nëse mund t’i përmbahesh për një muaj pa shtysën e prindërve?

Pyetja e tretë dhe e fundit është . . .

Çfarë synimi kam?

Disa që lënë shtëpinë duan të shpëtojnë nga problemet ose nga autoriteti i prindërve. Përqendrohen tek ajo që po lënë e jo tek ajo që i pret. Por kjo është si të ngasësh makinën duke parë prapa me sytë e ngulur te pasqyra. Kur shoferi është i përqendruara tek ajo që po lë, nuk sheh se çfarë ka përpara. Çfarë mësojmë nga kjo? Që t’ia dalësh, mos u përqendro te largimi nga shtëpia—përqendrohu te një synim që ia vlen.

Disa të rinj Dëshmitarë të Jehovait janë transferuar për të predikuar në zona të izoluara brenda vendit të tyre, madje edhe në vende të tjera. Disa të tjerë largohen nga shtëpia për të ndihmuar për ndërtimin e vendeve të adhurimit ose për të punuar në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërsa të tjerë mendojnë se duhet të jetojnë më vete për ca kohë, para se të martohen. *

Shkruaj një synim që do të doje ta arrije me largimin nga shtëpia.․․․․․

Në disa raste mund të ndodhë që të jetosh për shumë kohë me familjen e prapëseprapë të mos arrish pjekurinë ose aftësitë e duhura për të jetuar vetëm. Edhe pse kjo është e vërtetë, mos merr një vendim të nxituar. Mendohu mirë. Një proverb biblik thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Proverbat 21:5) Dëgjoji këshillat e prindërve. (Proverbat 23:22) Lutu për këtë çështje. Dhe, kur të marrësh vendimin, shqyrto parimet biblike që trajtuam më lart.

Pyetja që duhet bërë nuk është: «A jam gati të largohem nga shtëpia?», por «A jam gati të drejtoj shtëpinë time?» Nëse përgjigjja për pyetjen e dytë është po, atëherë mund të jetë koha të jetosh më vete.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 33 Në disa kultura, është zakon që fëmija, sidomos vajza, të jetojë me prindërit derisa të martohet. Bibla nuk përmban këshilla specifike për këtë çështje.

PËR TË MENDUAR

● Edhe pse jeta në familjen tënde është e vështirë, si mund të nxjerrësh dobi duke ndenjur në shtëpi për njëfarë kohe?

● Gjatë kohës që jeton me familjen, çfarë mund të bësh që të jesh ndihmë për familjen dhe njëkohësisht të përgatitesh për të jetuar më vete?

[Kutia dhe figurat në faqen 11]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Kur prindërit të japin përgjegjësi—nga ato që do të kishe po të jetoje më vete—atëherë jetesa në shtëpi është një mënyrë e mirë për të mësuar si të jetosh i pavarur më vonë.»

«Është normale të dëshirosh pavarësinë. Por nëse arsyeja pse dëshiron të largohesh është që të shpëtosh nga rregullat, kjo tregon se nuk je vërtet gati për të jetuar më vete.»

[Figurat]

Sara

Aroni

[Kutia në faqen 13]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Serena, që përmendëm në artikull, ka frikë të jetojë më vete. Pse? Ajo tregon një nga arsyet: «Edhe kur dua të blej diçka me paratë e mia, babi nuk më lë. Ai thotë se kjo është detyra e tij. Prandaj ideja që t’i paguaj vetë faturat e mia, më frikëson.» Sigurisht babai i Serenës nuk e bën këtë me të keq, por a mendon se kështu po i mëson së bijës si të drejtojë një shtëpi?—Proverbat 31:10, 18, 27.

A i mbron tepër fëmijët dhe nuk i lë të përgatiten për të përballuar jetesën më vete? Si ta kuptosh këtë? Shqyrto katër aftësitë që përmenden në artikull, por nga pikëpamja e një prindi.

Administrimi i parave. A dinë fëmijët e tu të rritur si të paguajnë faturat ose si të veprojnë në përputhje me ligjet për taksat? (Romakëve 13:7) A dinë si ta përdorin me përgjegjësi kartën e kreditit? (Proverbat 22:7) A mund të bëjnë buxhetin e të ardhurave të veta dhe të shtrijnë këmbët sa e kanë jorganin? (Luka 14:28-30) A e kanë provuar kënaqësinë që vjen kur blejnë diçka me paratë që kanë fituar vetë? A e kanë provuar kënaqësinë akoma më të madhe që vjen kur japin nga koha dhe të ardhurat e tyre për të ndihmuar të tjerët?—Veprat 20:35.

Punët e shtëpisë. A dinë vajzat dhe djemtë e tu të gatuajnë? A u ke mësuar të lajnë e të hekurosin rroba? Nëse i japin makinës, a mund t’i bëjnë shërbime mirëmbajtjeje pa rrezikuar, për shembull të ndryshojnë filtrat, vajin dhe gomën?

Marrëdhëniet me të tjerët. Kur fëmijët e rritur kanë mosmarrëveshje, a bën gjithmonë rolin e arbitrit që u dikton zgjidhjen përfundimtare të problemit? Apo u ke mësuar të gjejnë vetë një zgjidhje paqësore dhe pastaj të të thonë?—Mateu 5:23-25.

Rregullsia në aktivitetet fetare. A u thua ti fëmijëve çfarë të besojnë apo i ndihmon të binden vetë për besimin e tyre? (2 Timoteut 3:14, 15) Në vend që t’u përgjigjesh pyetjeve të tyre për fenë dhe moralin, a po i mëson që të fitojnë «aftësi për të menduar» dhe a po ‘i stërvit që të kenë aftësi perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’? (Proverbat 1:4; Hebrenjve 5:14) A dëshiron që të ndjekin modelin tënd të studimit të Biblës, apo duhet të përmirësosh akoma që ata të kenë një shembull më të mirë?

Pa dyshim, t’i stërvitësh fëmijët në fushat e mësipërme kërkon kohë dhe goxha përpjekje. Por do t’ia vlejë barra qiranë kur të vijë dita e trishtueshme dhe njëkohësisht e lumtur për t’u thënë mirupafshim.

[Figura në faqen 12]

Të jetosh më vete është si të bësh një ekskursion në natyrë. Para se të nisesh, duhet të jesh i përgatitur