Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekje për të llogaritur gjatësinë gjeografike

Përpjekje për të llogaritur gjatësinë gjeografike

Përpjekje për të llogaritur gjatësinë gjeografike

Më 22 tetor 1707, një skuadrilje me anije britanike lundruan drejt ngushticës së La Manshit. Por llogaritën keq pozicionin e tyre në det. Çfarë ndodhi? Katër anije u fundosën në Ishujt Sili, një grup ishujsh në oqeanin Atlantik, në jugperëndim të kepit të Landzendit, Angli. Gati 2.000 burra vdiqën.

MARINARËT e atyre ditëve mund ta matnin pa problem gjerësinë gjeografike, domethënë sa larg në veri ose në jug ishin nga ekuatori. Por nuk kishin ndonjë metodë për të matur saktë gjatësinë gjeografike, domethënë sa larg në lindje ose në perëndim ndodheshin. Aty nga fillimi i shekullit të 18⁠⁠-⁠⁠të, qindra anije i binin kryq e tërthor Atlantikut çdo vit dhe shumë përfundonin në fund të detit. Por katastrofa e vitit 1707 bëri që kokat angleze të përqendroheshin në atë që u quajt «problemi i gjatësisë gjeografike».

Në vitin 1714 Parlamenti Britanik ofroi një çmim prej 20.000 sterlinash për atë që do të përcaktonte saktë gjatësinë gjeografike në det. Sot ky çmim do të vlente disa milionë dollarë amerikanë.

Sfidë dhe aventurë

Përcaktimi i gjatësisë gjeografike ishte tepër i vështirë, sepse kërkonte kohëmatje të saktë. Për ta ilustruar: imagjino sikur jeton në Londër. Në orën 12 të drekës merr një telefonatë nga një mike që po udhëton përreth botës e cila të thotë se ndodhet në të njëjtën gjerësi gjeografike dhe se tek ajo është ora 6 e mëngjesit. Pra është gjashtë orë prapa. Duke pasur një ide të gjeografisë, me të drejtë arrin në përfundimin se ajo ndodhet në Amerikën Veriore, ku dielli është duke lindur. Tani, imagjino sikur të dije me saktësi edhe sekondat e orës, jo sipas një zone të gjerë orare, por sipas pozicionit të mikes në lidhje me diellin. Kështu, mund ta llogaritësh me saktësi gjatësinë e saj gjeografike.

Shekuj më parë, një marinar, kudo që të ishte, mund të përcaktonte lehtë mesditën vetëm duke parë pozicionin e diellit. Dhe nëse dinte gati me saktësi sa ishte ora në vendin e tij, mund të llogariste gjatësinë gjeografike, pa gabuar më shumë se 50 kilometra. Kjo saktësi kërkohej në fund të një udhëtimi detar gjashtëjavor, që të fitohej çmimi i përmendur më sipër.

Gjithsesi vështirësia ishte të dije me saktësi sa ishte ora në vendin nga ishin nisur. Marinari mund të merrte me vete një orë me lavjerrës, por nuk do të punonte mirë në një anije që lëkundej në detin e trazuar dhe orët me mekanizëm ishin akoma primitive e të pasakta. Megjithatë orët ndikoheshin edhe nga ndryshimi i temperaturës. Po ç’mund të themi për kohëmatësin gjigant që na rrethon, ku përfshihen trupat qiellorë, madje edhe hëna?

Një detyrë astronomike

Astronomët propozuan një teori matjeje të quajtur metoda e distancës hënore. Teoria bazohej në përgatitjen e tabelave që do t’i ndihmonin marinarët të përcaktonin gjatësinë e tyre gjeografike sipas pozicionit të hënës në raport me yje të caktuara.

Për më shumë se një shekull, astronomët, matematikanët dhe marinarët luftuan me këtë problem, por hasën ndërlikime që ua penguan përparimin. Duke pasur parasysh këto pengesa, doli shprehja «të zbulosh gjatësinë gjeografike», e cila përdorej kur problemet dukeshin të pakapërcyeshme.

Një zdrukthëtar e pranon sfidën

Një zdrukthëtar me emrin Xhon Harison, nga fshati Berou-mbi-Hamber i Linkolnit, vendosi t’i përvishej punës për të zgjidhur problemin e gjatësisë gjeografike. Në vitin 1713, para se të mbushte 20 vjeç, Harisoni ndërtoi një orë me lavjerrës pothuajse e gjitha prej druri. Më vonë shpiku mekanizma për të ulur fërkimin dhe ndikimin e ndryshimeve të temperaturës. Në atë kohë, orët më të mira të botës gabonin një minutë në ditë, ndërsa orët e Harisonit gabonin vetëm një sekondë në muaj. *

Harisoni pastaj u përqendrua te vështirësia për të matur saktësisht orën në det. Pasi e studioi çështjen për katër vjet, u nis për në Londër që t’ia parashtronte propozimin Këshillit për Gjatësinë Gjeografike, i cili kishte autoritetin të jepte çmimin. Atje Harisoni u prezantua me Xhorxh Grahamin, orëbërësin kryesor, që i dha Harisonit një hua bujare pa interes, për të shpikur një kohëmatës. Në vitin 1735, Harisoni paraqiti të parin kronometër detar të saktë para një Shoqërie Mbretërore të kënaqur, trupit të shkencëtarëve më të shquar të Britanisë. Kronometri peshonte 34 kilogramë dhe shkëlqente nga tunxhi.

Për të provuar kronometrin, Harisoni u dërgua në det të hapur drejt Lisbonës, jo drejt Indive Perëndimore, siç e kërkonin kriteret e çmimit. Prova doli me sukses. Këtë provë mund të kishte kërkuar ta bënte menjëherë mes për mes Atlantikut për të treguar që kronometri e meritonte çmimin. Në fakt, në mbledhjen e parë të Këshillit për Gjatësinë Gjeografike, i vetmi që e kritikoi këtë kohëmatës ishte vetë Harisoni. Ngaqë kërkonte përsosmëri, mendonte se mund ta bënte edhe më mirë. Kështu kërkoi vetëm pak para dhe më shumë kohë për të ndërtuar një kohëmatës më të mirë.

Gjashtë vjet më vonë kronometri i dytë i Harisonit, që peshonte 39 kilogramë dhe kishte disa përmirësime, mori miratimin e plotë të Shoqërisë Mbretërore. Por Harisoni, tani 48 vjeç, prapë nuk ishte i kënaqur. U kthye në punishten e vet dhe për 19 vjet u rropat për kronometrin e tretë, një model ndryshe nga të tjerët.

Ndërsa punonte për modelin e tretë e të madh, Harisoni zbuloi diçka krejt rastësisht. Një orëbërës tjetër kishte shpikur një orë xhepi duke u bazuar në një model të Harisonit. Gjithmonë ishte menduar se orët e mëdha ishin më të sakta se orët e xhepit. Por Harisoni u mahnit me saktësinë e kësaj ore të re. Kështu që, kur në vitin 1761 më në fund u organizua një provë përmes Atlantikut, nuk i besoi plotësisht modelit të tretë, por të katërtit, që ishte një kronometër prej 1 kilogramësh, i projektuar sipas orës së xhepit. Mendohet që Harisoni të ketë thënë: «E falënderoj me gjithë zemër Perëndinë e Plotfuqishëm që më dha aq jetë sa t’ia arrija deri diku qëllimit.»

Gjykim i padrejtë

Por në këtë kohë, astronomët gati po mbaronin metodën e tyre për përcaktimin e gjatësisë gjeografike. Përveç kësaj, kryetari i gjykatësve të autorizuar për të dhënë paratë e çmimit, ishte astronom, Nevil Maskelini. Kohëmatësi i Harisonit u vu në provë gjatë një udhëtimi prej 81 ditësh përmes Atlantikut. Si doli prova? Gaboi vetëm pesë sekonda. Sidoqoftë, gjykatësit nuk ia dhanë menjëherë çmimin Harisonit, pasi thoshin se ishin thyer disa rregulla dhe se saktësia e atij kohëmatësi ishte vetëm çështje fati. Si rezultat, ai mori vetëm një pjesë të çmimit. Ndërkohë, në vitin 1766, Maskelini botoi tabelat e pozicionit të parashikuar të hënës që i ndihmonin marinarët ta llogaritnin gjatësinë e tyre gjeografike vetëm për gjysmë ore. Harisoni kishte frikë se mos Maskelini e merrte çmimin për vete.

Pastaj, më 1772, hyri në skenë kapiteni Xhejms Kuk. Në udhëtimin e tij të dytë historik, Kuku përdori një kopje të kohëmatësit të Harisonit dhe më vonë raportoi se ishte më i mirë seç pritej. Në këtë kohë, Harisoni tashmë 79⁠⁠-⁠⁠vjeçar, u mërzit kaq shumë me Këshillin për Gjatësinë Gjeografike sa i bëri apel mbretit të Anglisë. Si rezultat, Harisoni mori pjesën tjetër të parave të çmimit në vitin 1773, megjithëse zyrtarisht nuk u shpall kurrë fituesi. Xhon Harisoni vdiq tre vjet më vonë kur mbushi 83 vjeç.

S’kaluan shumë vjet dhe kronometrat e saktë detarë mund t’i blije për 65 sterlina. Po, e pamundura u bë realitet, kryesisht falë talentit dhe përkushtimit të një zdrukthëtari nga fshati.

[Shënimi]

^ par. 13 Me ndihmën e të vëllait, Harisoni provoi saktësinë e orës së tij për shumë net duke parë sa ishte ora në momentin kur disa yje nuk dukeshin më prapa oxhakut të fqinjit.

[Diagrami dhe figura në faqen 21]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Përcaktimi i gjatësisë gjeografike duke përdorur orën

6.00 12.00

AMERIKA E VERIUT BRITANI

[Figura në faqen 22]

Orëbërësi Xhon Harison

[Burimi]

SSPL/Getty Images

[Figura në faqen 22]

Kronometri i parë i Harisonit peshonte 34 kilogramë

[Burimi]

Muzeu Kombëtar i Marinës, Grinuiç, Londër, Ministria për Mbrojtjen e Koleksioneve të Artit

[Figura në faqen 22]

Kronometri i katërt i Harisonit peshonte 1 kilogram (jo në shkallë reale)

[Burimi]

SSPL/Getty Images

[Burimet e figurave në faqen 20]

Anije në stuhi: © Tate, London/Art Resource, NY; busulla: © 1996 Visual Language