Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë fshihet pas rrahjeve të zemrës?

Çfarë fshihet pas rrahjeve të zemrës?

Çfarë fshihet pas rrahjeve të zemrës?

● Zemra është në qendër të sistemit të qarkullimit të gjakut dhe është jashtëzakonisht punëtore. Nëse je i rritur, zemra jote ndoshta rreh më shumë se 100.000 herë në ditë. Edhe kur je duke pushuar, muskujt e zemrës punojnë fort. Në fakt punojnë dy herë më shumë se muskujt e këmbëve gjatë vrapimit të shpejtë. Kur është e nevojshme, zemra mund t’i dyfishojë rrahjet për pesë sekonda. Te të rriturit sasia e gjakut që pompon zemra shkon nga 5 litra në minutë​—meqë njeriu ka afro 5 litra gjak në trup​—deri në 20 litra në minutë gjatë ushtrimeve fizike.

Rrahjet e zemrës kontrollohen nga ai që me të drejtë është quajtur një sistem nervor i projektuar në mënyrë magjepsëse. Ky sistem sigurohet që dhomat e sipërme (tremat) të tkurren para dhomave të poshtme (barkushet) duke e vonuar tkurrjen e barkusheve një fragment të sekondës. Interesante është se tingulli i rrahjeve që dëgjojnë doktorët me stetoskop vjen nga mbyllja e valvulave të zemrës e jo nga pulsimi i muskujve të saj.

Një miliard rrahje

Në përgjithësi, shpejtësia e rrahjeve të zemrës te një kafshë ndryshon në varësi të masës trupore, domethënë, sa më e madhe të jetë kafsha, aq më ngadalë i rreh zemra. Për shembull, zemra e një elefanti rreh mesatarisht 25 herë në minutë, ndërsa ajo e një kanarine gati zukat rreth 1.000 herë në minutë. Te njerëzit, rrahjet e zemrës pakësohen nga 130 rrahje në minutë kur lindim, deri në afro 70 kur rritemi.

Shumë gjitarë me sa duket arrijnë deri në një miliard rrahje zemre gjatë jetës. Kështu, një mi me 550 rrahje në minutë, mund të jetojë gati 3 vjet; ndërsa balena e kaltër me thuajse 20 rrahje në minutë, mund të jetojë më shumë se 50 vjet. Njeriu bën përjashtim. Sipas shpejtësisë së rrahjeve, i bie që gjatësia e jetës së njeriut të jetë rreth 20 vjet. Por zemra e shëndetshme e një njeriu mund të rrahë tre miliardë herë ose më shumë dhe të jetojë më tepër se 70 a 80 vjet. *

Me gjithë këtë, askujt prej nesh nuk do t’i pëlqente që jetëgjatësia t’i kufizohej nga një numër rrahjesh të zemrës, sepse thellë-thellë njerëzit dëshirojnë me gjithë zemër të jetojnë përgjithmonë. Në fakt, kjo dëshirë është e natyrshme, pasi Perëndia na e ka vënë në zemër. Për më tepër, po vjen me të shpejtë koha kur mëkati, domethënë shkaktari i vdekjes, do të zhduket. (Romakëve 5:​12) Si rrjedhojë «nuk do të ketë më vdekje», siç thotë Zbulesa 21:​3, 4.

[Shënimi]

^ par. 6 Shifrat janë dhënë me përafërsi. Si shpejtësia e rrahjeve, ashtu edhe jetëgjatësia e çdo krijese mund të ndryshojë shumë nga mesatarja.

[Diagrami dhe figura në faqen 29]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PJESËT E ZEMRËS

Trema e djathtë

Trema e majtë

Barkushja e djathtë

Barkushja e majtë