Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përballoj vdekjen e prindit?

Si ta përballoj vdekjen e prindit?

Të rinjtë pyesin

Si ta përballoj vdekjen e prindit?

«Kur mami vdiq, ndihesha fare bosh dhe s’isha as në qiell e as në tokë. Ishte ajo që e mbante të lidhur familjen tonë.»—Katrina. *

PAK gjëra në jetë të lëndojnë kaq thellë sa vdekja e prindit. Jo vetëm që duhet të durosh dhembjen e madhe të humbjes së prindit, por edhe përballesh me një të ardhme që ka shumë të ngjarë të jetë mjaft ndryshe nga ç’e prisje.

Ndoshta shpresoje që mami a babi yt i dashur të ishte pranë teje ditën e diplomimit ose të gëzonit bashkë në dasmën tënde. Por tani këto shpresa u shembën dhe ndihesh i trishtuar, i mërzitur, madje i zemëruar. Si ta përballosh këtë vërshim ndjenjash që provon kur të vdes prindi?

«A jam normal?»

Kur bëhesh i vetëdijshëm se mami ose babi ka vdekur, mund të duhet të luftosh me lloj-lloj ndjenjash që nuk i ke provuar kurrë më parë. Beni që ishte veç 13 vjeç kur i ati i vdiq me infarkt, thotë: «Atë natë që e morëm vesh, vetëm qanim dhe përqafonim njëri-tjetrin.» Natalia që ishte dhjetë vjeçe kur i vdiq babi me kancer, kujton: «S’dija çfarë të ndieja, kështu që nuk ndieja asgjë. Isha e mpirë.»

Çdo njeri e përjeton vdekjen ndryshe. Edhe Bibla thotë se «gjithsecili» ka «plagën dhe dhembjen e vet». (2 Kronikave 6:29) Duke pasur parasysh këtë, mendo pak si ka ndikuar te ti vdekja e prindit. Më poshtë përshkruaj (1) si u ndjeve kur more vesh se prindi kishte vdekur dhe (2) si ndihesh tani.#

(1) ․․․․․

(2) ․․․․․

Mbase përgjigjet tregojnë se ndjenjat po qetësohen, të paktën deri diku. Kjo është normale. Nuk do të thotë se e ke harruar prindin. Por mund të ndodhë që ndjenjat e tua të jenë po ato, madje më të forta. Ndoshta hidhërimi që provon është si dallgët që duket sikur tërhiqen, por pastaj fryhen dhe «përplasen në breg» atëherë kur s’e pret. Edhe kjo është normale, madje edhe po të kenë kaluar vite nga vdekja e prindit. Çështja është: si ta përballosh hidhërimin, në çfarëdo forme qoftë?

Mënyra për ta përballuar

Mos i mbaj lotët. E qara të lehtëson hidhërimin. Gjithsesi mund të ndihesh si Alisa që ishte 19 vjeçe kur e ëma mbylli sytë. Ajo tregon: «Mendoja se, po t’i shfaqja tepër ndjenjat, të tjerëve do t’u dukej sikur nuk kisha besim.» Por mendo: Jezu Krishti ishte njeri i përsosur që kishte besim të fortë te Perëndia e, megjithatë, «nuk i mbajti dot lotët» kur vdiq miku i tij i dashur, Lazari. (Gjoni 11:35) Pra, mos ki frikë t’i lësh lotët të rrjedhin. Kjo nuk do të thotë se nuk ke besim. Alisa thotë: «Më në fund qava. Shumë. Çdo ditë.» *

Peshoji ndjenjat e fajit. «Gjithnjë ngjitesha sipër dhe e puthja mamin për t’i thënë natën e mirë,—thotë Katrina që ishte 13 vjeçe kur i vdiq e ëma.—Por një herë nuk shkova. Të nesërmen në mëngjes, mami vdiq. Mund të duket e çuditshme, por ndihem fajtore ngaqë nuk e takova natën e fundit dhe për ngjarjet që ndodhën të nesërmen në mëngjes. Babi u nis për një udhëtim pune e na porositi mua dhe motrën të kontrollonim si ishte mami. Por ne u zgjuam vonë. Kur shkova në dhomën e gjumit, mami nuk merrte frymë. U ndjeva tmerrësisht keq, se ajo ishte mirë kur babi iku.»

Ashtu si Katrina, mbase edhe ti ndihesh disi fajtor për gjërat që le pas dore. Madje ndoshta e torturon veten me «ah, sikur». «Ah, sikur ta kisha nxitur babin të shkonte te mjeku!» «Ah, sikur ta kisha parë mamin më herët!» Nëse të mundojnë këto mendime, mbaj mend këtë: është normale të bëhesh pishman për gjëra që do të doje t’i kishe bërë ndryshe. E vërteta është se patjetër do t’i kishe bërë ndryshe, po ta dije se ç’do të ndodhte. Por ja që ti nuk e dije. Prandaj, s’ke pse ndihesh në faj. Nuk e ke fajin ti për vdekjen e prindit! *

Hapu me dikë. Te Proverbat 12:25 thuhet: «Fjalët e mira të çelin fytyrën.» (Today’s English Version) Po t’i mbash ndjenjat përbrenda, mund ta kesh më të vështirë ta përballosh hidhërimin. Nga ana tjetër, po t’ia shprehësh ndjenjat e tua dikujt që i beson, do të hapësh udhën që të marrësh «fjalët e mira» të inkurajimit, tamam kur ke më shumë nevojë për to. Prandaj, përse të mos provosh një a disa prej sugjerimeve të mëposhtme?

Fol me prindin që ke gjallë. Ndonëse edhe mami a babi po kalon një periudhë të vështirë, patjetër që dëshiron të të japë ndihmën që të nevojitet. Pra tregoji prindit tjetër si ndihesh. Pa dyshim, biseda të tilla do të ta lehtësojnë hidhërimin dhe do t’ju lidhin më shumë me njëri-tjetrin.

Që ta kesh më të lehtë për të nisur bisedën, provo këtë metodë: rendit dy ose tri gjëra që dëshiron të dish për mamin ose babin që të ka vdekur dhe kërkoji prindit që ke gjallë të bisedoni për to. *

․․․․․

Fol me shokët e ngushtë. Bibla thotë se shokët e vërtetë ‘lindin për ditë të vështira’. (Proverbat 17:17, Diodati i Ri) Alisa thotë: «Pikërisht ai që s’e pret mund të të ndihmojë. Pra, mos ki frikë të flasësh.» Kuptohet, këto biseda mund të jenë pak të sikletshme, pasi ti dhe shoku yt përpiqeni të gjeni fjalët e duhura. Sidoqoftë, teksa koha kalon, do të të bëjë mirë të flasësh me të tjerët për hidhërimin që ndien. Davidi, që ishte vetëm nëntë vjeç kur babi i vdiq nga infarkti, sjell ndër mend: «Mbaja gjithçka përbrenda. Do të kishte qenë më mirë për ndjenjat dhe shëndetin tim, po të kisha folur më shumë. Mund ta kisha përballuar më mirë.»

Fol me Perëndinë. Ka mjaft të ngjarë të ndihesh shumë më mirë pasi t’ia kesh ‘zbrazur zemrën’ në lutje Perëndisë Jehova. (Psalmi 62:8) Kjo nuk është thjesht terapi për t’u ndier mirë. Në lutje po i drejtohesh ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona’.—2 Korintasve 1:3, 4.

Një mënyrë në të cilën na ngushëllon Perëndia është nëpërmjet frymës së shenjtë. Ajo mund të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, e kështu mund të durosh dhembjen. (2 Korintasve 4:7) Gjithashtu Perëndia jep edhe ‘ngushëllim nga Shkrimet’. (Romakëve 15:4) Pra, kërkoji Perëndisë frymën e tij dhe rezervo kohë për të lexuar inkurajimin që gjendet në Fjalën e tij, në Bibël. (2 Selanikasve 2:16, 17) Përse të mos mbash afër një listë me shkrime që të ngushëllojnë më shumë? *

A do të marrë fund dhembja?

Hidhërimi nuk është një proces që përfundon sa hap e mbyll sytë. «Nuk e ke ti në dorë,—thotë Borana, së cilës i vdiq e ëma kur ishte 16 vjeçe.—Ka ditë që më zë gjumi duke qarë. Herë të tjera përpiqem të mos përqendrohem te humbja e mamit, por te premtimet e Jehovait që do t’i gëzoj bashkë me mamin në parajsë.»

Bibla na siguron se në parajsën për të cilën flet Borana «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbulesa 21:3, 4) Edhe ti mund të provosh vetë se meditimi për këto premtime do të të ndihmojë të përballosh humbjen e prindit.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 13 Nëse tani e ke tepër të vështirë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve, mund të provosh më vonë.

^ par. 15 Mos mendo se duhet medoemos të qash që të tregosh se je i hidhëruar. Njerëzit e përjetojnë hidhërimin në mënyra të ndryshme. E rëndësishme është që, kur ndien se po të mbushen sytë me lot, kupto se mund të jetë «një kohë për të qarë».—Eklisiastiu 3:4.

^ par. 18 Në qoftë se mendime të tilla vazhdojnë të të mundojnë, hapu me prindin tjetër ose me ndonjë të rritur. Me kohë do t’i shohësh gjërat më me ekuilibër.

^ par. 22 Nëse je rritur me një prind ose për shkak të rrethanave prindi që është gjallë nuk është pjesë e jetës sate, fol me një të rritur të pjekur.

Disa janë ngushëlluar nga Shkrimet e mëposhtme: Psalmi 34:18; 102:17; 147:3; Isaia 25:8; Gjoni 5:28, 29.

PËR TË MENDUAR

▪ Cilat sugjerime do të përdorësh nga ky artikull? ․․․․․

▪ Poshtë rendit disa shkrime që do të të ngushëllojnë kur të ndjesh se po të mbyt hidhërimi. ․․․․․

[Kutia në faqen 11]

S’KA ASGJË TË KEQE TË QASH . . . EDHE ATA QANË

Abrahami—Zanafilla 23:2.

Jozefi—Zanafilla 50:1.

Davidi—2 Samuelit 1:11, 12; 18:33.

Maria, motra e Lazarit—Gjoni 11:32, 33.

Jezui—Gjoni 11:35.

Maria Magdalena —Gjoni 20:11.

[Kutia dhe figura në faqen 12]

SHKRUAJE ÇFARË NDIEN

Një ndihmë e jashtëzakonshme për të përballuar hidhërimin mund të jetë të shkruash mendime për prindin që ka vdekur. Mund të shkruash për shumë gjëra. Në vijim ka disa sugjerime.

▪ Rendit disa kujtime të bukura që ke me prindin.

▪ Shkruaj çfarë do të doje t’i kishe thënë prindit kur ishte gjallë.

▪ Imagjino sikur ke një motër ose vëlla më të vogël që po lufton me ndjenjat e fajit për vdekjen e prindit. Shkruaj çfarë do t’i thoshe për ta lehtësuar. Kjo mund të të ndihmojë t’i qetësosh ndjenjat e fajit.

[Kutia në faqen 13]

DY FJALË PËR PRINDIN QË JETON

Hidhërimi për humbjen e bashkëshortit është përvojë e dhembshme. Megjithatë, kjo ka ndodhur në një kohë kur fëmija yt adoleshent ka nevojë për ndihmën tënde. Si mund ta ndihmosh të përballojë hidhërimin, pa lënë pas dore gjendjen tënde? *

Mos i ndrydh ndjenjat. Fëmija i ka marrë shumicën e mësimeve më të çmuara duke të të parë ty. Po njësoj do të mësojë të përballojë edhe hidhërimin. Prandaj, mos mendo se duhet të bëhesh i fortë në sy të fëmijës duke ia fshehur hidhërimin. Kjo vetëm sa do ta mësojë adoleshentin të të imitojë. Nga ana tjetër, kur i shpreh ndjenjat e vrara, ai mëson se shpesh është më mirë t’i shprehësh ndjenjat, sesa t’i ndrydhësh dhe se është normale të ndihet i trishtuar, i mërzitur e madje i zemëruar.

Nxite fëmijën adoleshent të flasë. Pa e detyruar, nxite fëmijën adoleshent të të hapë zemrën. Nëse ai ngurron, pse të mos e trajtoni këtë artikull së bashku? Gjithashtu fol për gjithë ato kujtime të bukura që ke pasur me të ndjerin bashkëshort. Trego se sa të vështirë do ta kesh për të vazhduar përpara. Kur të dëgjon ty që shpreh ndjenjat, adoleshenti do ta ketë më të lehtë të mësojë të shprehet.

Pranoji kufizimet e tua. Është e natyrshme që ti dëshiron të jesh gjithnjë mbështetje për fëmijën tënd adoleshent në këtë periudhë të vështirë. Por mos harro, vdekja e të shtrenjtit bashkëshort të ka vrarë tepër edhe ty. Prandaj fuqia jote emocionale, mendore dhe fizike mund të jetë pakësuar disi për njëfarë kohe. (Proverbat 24:10) Kështu ndoshta duhet të kërkosh ndihmën e pjesëtarëve të rritur të familjes ose të ndonjë miku të pjekur. Të kërkosh ndihmë është shenjë pjekurie. Te Proverbat 11:2 thuhet: «Mençuria është me modestët.»

Mbështetja më e mirë që mund të marrësh vjen nga vetë Perëndia Jehova, i cili u premton adhuruesve të tij: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»—Isaia 41:13.

[Shënimi]

^ par. 52 Për thjeshtësi, fëmijës do t’i drejtohemi në gjininë mashkullore. Gjithsesi, parimet e trajtuara këtu vlejnë për të dyja gjinitë.

[Figura në faqen 11]

Hidhërimi mund të jetë si dallgët që përplasen në breg atëherë kur s’e pret