Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Peshkaqenët në rrezik

Peshkaqenët në rrezik

Peshkaqenët në rrezik

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

JANË të pakta kafshët që u kallin tmerr njerëzve më shumë se peshkaqenët. Anembanë botës çdo vit ndodhin mesatarisht 75 sulme peshkaqenësh të paprovokuara, dhe gati 10 prej tyre janë fatale. Këto sulme që bëjnë bujë, dhe imazhi i keq që përcjellin filmat për peshkaqenin, bëjnë të krijohet ideja se ai është njeringrënës. Sigurisht, me peshkaqenët nuk bëhet shaka. Por nëse e shohim me një sy realist situatën, shumë më tepër vdekje shkaktohen nga pickimi i bletëve dhe nga krokodilët, sesa nga sulmet e peshkaqenëve.

Nga ana tjetër, peshkaqenët sulmohen vazhdimisht nga njerëzit. «Çdo vit kapen 100 milionë peshkaqenë, pra aq shumë, saqë po t’i vëmë në radhë, duke bashkuar hundën e njërit me bishtin e tjetrit, do ta qarkonin globin pesë herë»,—thotë në revistën Premier një studiues pranë organizatës «Argos» së shkencëtarëve këshillues për botën detare. Shtoji këtij rrënimi lindjet që në përgjithësi janë të pakta, pjekurinë e ngadaltë seksuale, periudhën e gjatë të shtatzënisë, bashkë me ndotjen e zonave ku rritin të vegjlit, dhe ja ku kemi si pasojë zvogëlimin e shpejtë të popullatës së peshkaqenëve. Në rast se do të pakësoheshin shumë, do të duheshin vite që ta merrnin veten.

Shumica e peshkaqenëve kapen për t’u marrë pendët notuese, që disa aziatikë i vlerësojnë shumë, pasi besohet se kanë veti mjekësore dhe nxitin dëshirën seksuale. * Supa me pendë peshkaqeni është një ushqim i rrallë e i shtrenjtë dhe një tas mund të kushtojë edhe 110 euro. Furnizimi i tregut fitimprurës aziatik ka çuar në praktikën mizore dhe shpërdoruese të «gjuetisë së pendëve», që do të thotë se peshkaqenëve të gjallë u priten pendët dhe hidhen prapë në oqean ku ngordhin nga uria ose ngaqë mbyten.

Mbijetesa kërkon masa konkrete

A duhet të merakosemi që peshkaqenët janë në rrezik? Ndoshta është e vështirë të ndiejmë për ta të njëjtën keqardhje që provojmë për elefantët ose balenat. Megjithatë, duhet të kuptojmë rolin e tyre jetësor në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të oqeaneve. Për shembull, zakonet e tyre të të ushqyerit tani ndihmojnë për të mbajtur nën kontroll shtimin e popullatave të peshqve të tjerë.

Në shumë vende, nuk ka kurrfarë rregullash për gjuetinë e peshkaqenëve. Meksika shquhet për këtë gjueti dhe atje kapen çdo vit më shumë se 30.000 tonë gjah. Kohët e fundit, pas një debati dhjetëvjeçar, ky vend miratoi një ligj për ndalimin e gjuetisë së pendëve. Si për ta rënduar më tepër gjendjen, kërkesa për pendë peshkaqeni ka çuar në përhapjen e gjuetisë së paligjshme në rezervatet detare të vendeve të ndryshme të botës. Për shembull, drejtori i Shërbimit të Parkut Kombëtar në Galapagos thotë me keqardhje: «Gjuetia e paligjshme për pendë peshkaqeni në Galapagos është shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ajo është mjaft fitimprurëse dhe në vend ka krijuar një mafie.»

Në përpjekjet për të shpëtuar peshkaqenët nga shfarosja është bërë një hap përpara: në disa vende është ndaluar gjuetia e pendëve. Megjithatë, Sharlota Mogenseni, këshilltare për administrimin e peshkimit pranë Fondit Botëror për Natyrën, paralajmëron se nevojitet shumë më tepër. Ajo thotë: «Peshkaqenët janë ende në rrezik në mbarë botën. U bëjmë thirrje të gjitha organizatave përgjegjëse për administrimin e peshkimit, që jo vetëm të ndalojnë gjuetinë e pendëve, por edhe të vënë rregulla për përpilimin e statistikave rreth gjendjes së peshkaqenëve dhe për kufizimin e gjuetisë së tyre që popullata e peshkaqenëve të mos zhduket.»

Sa mirë që Krijuesi i botës së gjallë nuk do ta lejojë edhe për shumë kohë shfrytëzimin lakmitar të krijimit të tij madhështor! Këtu përfshihet edhe peshkaqeni, kjo krijesë e frikshme, por e domosdoshme.—Zbulesa 11:18.

[Shënimi]

^ par. 5 Si për ironi, te pendët e peshkaqenëve kanë gjetur sasi të mëdha merkuri, që mund të shkaktojë sterilitetin te burrat.

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

TË DHËNA PËR PESHKAQENIN

Madhësia: Lloji më trupmadh, peshkaqeni-balenë (sipër), mund të arrijë gjatësinë 18 metra dhe të peshojë disa tonë. Gjithsesi është një krijesë e padëmshme që ushqehet me plankton dhe peshq të vegjël.

Periudha e shtatzënisë: Lindja ndodh pas një shtatzënie që zgjat 22 muaj.

Ritmi i riprodhimit: Peshkaqeni lind mesatarisht dy deri në dhjetë të vegjël në një shtatzëni. Shumica e llojeve i lindin të gjallë të vegjlit.

Ritmi i rritjes: Për shumicën e peshkaqenëve duhen 12 deri në 15 vjet që të arrijnë pjekurinë seksuale.

Jetëgjatësia: Është e vështirë të përcaktosh jetëgjatësinë për shumicën e llojeve të peshkaqenëve, por peshkaqeni i bardhë i madh (poshtë), një lloj që sulmon, jeton përafërsisht 60 vjet.

[Burimet]

Seawatch.org

© Kelvin Aitken/​age fotostock

[Figura në faqet 16, 17]

Nga më shumë se 300 lloje peshkaqenësh, 62 kërcënohen nga rreziku i shfarosjes

[Burimi]

© Mark Strickland/​SeaPics.com

[Figura në faqen 17]

Vetëm gjysmë kilogramë pendë peshkaqeni mund të shiten 150 euro a më tepër. Nofullat e peshkaqenit të bardhë mund të kushtojnë deri në 7.500 euro

[Burimi]

© Ron & Valerie Taylor/​SeaPics.com