Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Baptisterët​—Dëshmitarë të heshtur të një zakoni të harruar

Baptisterët​—Dëshmitarë të heshtur të një zakoni të harruar

Baptisterët​—Dëshmitarë të heshtur të një zakoni të harruar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË

«PAGËZOHET me zhytje në katedrale.» Ky ishte titulli i një artikulli në një gazetë franceze në vitin 2001. Megjithatë, fotografia në artikull tregonte që personi i sapokthyer në katolik, qëndronte në këmbë në një pagëzore të madhe, ku uji i arrinte deri në gju, kurse një peshkop katolik i derdhte ujë në kokë. Kjo skenë, e cila përsëritet në shumë vende përreth botës, pasqyron prirjen e Kishës Katolike që nga Këshilli i Dytë i Vatikanit, për t’i pagëzuar ata që kthehen në katolikë, duke i futur pjesërisht në ujë. Duke pasur parasysh se shumica e katolikëve janë pagëzuar kur ishin foshnja, duke ua spërkatur kokën me ca pika ujë, ngrihen disa pyetje. Si duhet bërë pagëzimi që të jetë sipas pagëzimit model që vendosi Gjon Pagëzori dhe apostujt e Jezuit? Si duhet të pagëzohen të krishterët sot? Historia e baptisterëve do të na ndihmojë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. *

Origjina dhe kuptimi i pagëzimit

Në fillim pagëzimi i krishterë bëhej duke u zhytur plotësisht në ujë. Kjo kuptohet edhe nga tregimi i Biblës për zyrtarin etiopas që e pagëzoi Filipi. Pasi mësoi se kush ishte Krishti, kur pa një vend me ujë, ai zyrtar tha: «Çfarë më pengon të zhytem?» (Veprat 8:26-39, The Emphatic Diaglott) Rrënja e fjalës greke të përdorur këtu për «zhytem» është baptiʹzo. Kjo ka kuptimin të zhytesh plotësisht. Këtë pikë e thekson fakti që pagëzimi krahasohet me varrosjen. (Romakëve 6:4; Kolosianëve 2:12) Është interesante se disa përkthyes francezë të Biblës (për shembull, Shuraki dhe Perno) e quajnë Gjon Pagëzorin, Gjon Zhytësi.

Në shekujt e parë të krishterimit, zhytja e plotë realizohej kudo që kishte ujë mjaftueshëm: në lumë, në det ose në vaska private. Por meqë numri i atyre që bëheshin të krishterë sa vinte e shtohej, në shumë vende të botës romake, që nga Dalmacia deri në Palestinë dhe që nga Greqia deri në Egjipt, u ndërtuan baptisterë. Një nga baptisterët më të vjetër të zbuluar gjer sot, gjendet në Siri, në brigjet e lumit Eufrat dhe daton rreth vitit 230 të e.s.

Kur feja «e krishterë» u pranua zyrtarisht në Perandorinë Romake në shekullin e katërt të e.s., miliona veta u kthyen në këtë fe dhe duheshin pagëzuar. Për këtë arsye kudo u ndërtuan baptisterë. Deri në shekullin e gjashtë, vetëm në Romë, ishin ndërtuar afro 25 baptisterë, përfshirë edhe një në bazilikën e Shën Gjon Lateranit. Edhe në Gali, çdo dioqezë ka të ngjarë të kishte baptisterin e vet. Sipas një burimi, këto arrinin në afro 150. Ka të ngjarë që në fshatra të ketë pasur qindra të tjerë, pranë kishave të vogla, varreve ose manastireve.

Arkitektura dhe furnizimi me ujë

Baptisterët shpesh ishin monumente në formë rrethore ose shumëkëndëshe që ngriheshin veçmas si ndërtesa të posaçme ose lidheshin me kishën. Gërmimet tregojnë se këto ndërtesa ishin të vogla (zakonisht më të vogla se 200 metra katrorë), por të zbukuruara hijshëm me kolonada, mermer, mozaikë dhe afreske që ndonjëherë paraqitnin skena biblike. Madje disa baptisterë, si ai në Marianë, Korsikë, kishin mbi pagëzore një tendë me zbukurime. Emri baptister përdorej edhe për vetë pagëzoren ku zhyteshin, që mund të ishte katrore, rrethore, gjashtëkëndëshe, drejtkëndëshe, tetëkëndëshe ose në formë kryqi. Gjerësia dhe thellësia tregojnë qartë se baptisterët e hershëm ishin bërë për pagëzimin e të rriturve. Në përgjithësi ata mund të nxinin të paktën dy veta. Për shembull, në Lion, në lindje të Francës Qendrore, pagëzorja ishte e gjerë 3,25 metra. Shumë pagëzore kishin shkallë, zakonisht shtatë, për të zbritur në ujë.

Sigurisht një problem kryesor për projektuesit ishte furnizimi me ujë. Shumë baptisterë u ndërtuan pranë një burimi natyror ose rrënojave të llixhave, si ai i Nicës në Francën Jugore. Shpesh pagëzoret furnizoheshin me ujë dhe zbrazeshin nëpërmjet tubacioneve. Në raste të tjera uji i shiut sillej me kova nga një sternë aty afër.

Baptisteri i Shën Gjonit në Puatje, në Francën Perëndimore, i ndërtuar rreth vitit 350 të e.s., e tregon më së miri si ishin baptisterët e kishave të shekullit të katërt. Brenda një dhome drejtkëndore, rrethuar me disa zgjatime, është një pagëzore e madhe tetëkëndëshe me tri shkallë. Thellësia e saj është 1,41 metra dhe gjerësia më e madhe arrin 2,15 metra. Pagëzorja lidhej me një ujësjellës që furnizonte qytetin nga një burim aty afër.

Zhytje e plotë apo e pjesshme?

A zhytej plotësisht në ujë kush pagëzohej në këta baptisterë? Disa historianë katolikë përgjigjen ‘jo’. Sipas tyre, disa burime thonë se në fillimet e hershme të Kishës Katolike pagëzimi bëhej me spërkatje (duke hedhur ujë në kokë). Gjithashtu, ata thonë se shumë pagëzore nuk ishin më tepër se 1 metër të thella, prandaj një i rritur nuk mund të mbulohej nga uji. Në një enciklopedi katolike thuhet se në Puatje «prifti mund të qëndronte në shkallën e tretë pa i lagur këmbët».

Megjithatë, edhe në vepra arti më të vonshme ku tregohen pagëzime, vërehet se si zakon ai bëhej me zhytje të plotë. Në to tregohet se para pagëzimit, uji i arrinte deri në gjoks ose deri në qafë atij që do të pagëzohej. (Shih pamjet sipër.) A ishte e mundur zhytja e plotë edhe kur uji i arrinte deri në bel një të rrituri me shtatlartësi mesatare? Një libër thotë se sistemi i kullimit mund të bllokohej përkohësisht derisa kandidati për pagëzim që rrinte në gjunjë ose kruspull të mbulohej nga uji. * Pier Zhuneli, profesor i liturgjisë katolike në Paris, thotë se kandidati «rrinte në këmbë dhe uji i arrinte deri në mes. Duke ia vënë dorën mbi kokë, prifti ose dhjaku e përkulte që ai të zhytej plotësisht».

Bëhen më të vogla

Me kalimin e kohës, ceremonia e thjeshtë e pagëzimit të kohëve apostolike u shndërrua në një rit të ndërlikuar me veshje dhe gjeste të veçanta, yshtje, bekimin e ujit, formula fetare dhe vajosje. Pagëzimi me zhytje të pjesshme vazhdoi të përhapej. Pagëzoret u zvogëluan. Gjerësia dhe thellësia e disave prej tyre u bënë sa gjysma e përmasave të mëparshme a më pak. Për shembull, në Kaser, të Francës Jugore, pagëzorja që fillimisht ishte 1,13 metra e thellë, në shekullin e gjashtë ishte vetëm 0,48 metra e thellë. Më vonë, rreth shekullit të 12-të, Kisha Katolike nuk pagëzonte më me zhytje të pjesshme, por me spërkatje me ujë. Sipas akademikut francez Pier Shonu kjo erdhi ngaqë «në vendet me një klimë të ashpër u bë zakon pagëzimi i foshnjave, dhe kështu ishte e pamundur të zhytje një të sapolindur në ujë të ftohtë».

Këto ndryshime bënë që vendet për pagëzim të ndërtoheshin gjithnjë e më të vogla. Në studimin e tij për historinë e pagëzimit, historiani Frederik Byler thotë: «Arkeologjia, dokumentet e shkruara dhe artet figurative tregojnë se, në përgjithësi, mënyra e pagëzimit ndryshoi nga zhytja e plotë e të rriturve në shekujt e parë të epokës së krishterimit në spërkatjen e foshnjave, dhe si faza të ndërmjetme shërbyen zhytja e pjesshme e të rriturve dhe zhytja e plotë e fëmijëve.»

Sot me sa duket po përhapet praktika e zhytjes së pjesshme të të rriturve dhe baptisterët modernë po bëhen më të mëdhenj se përpara. E në përputhje me atë që Byleri e ka quajtur nostalgji të zhytjes, liturgjia moderne e Kishës Katolike këshillon më shumë se kurrë pagëzimin me zhytje të plotë. Është interesante se gjithnjë Bibla ka treguar se mënyra e duhur për pagëzimin e krishterë është zhytja e plotë në ujë.

[Shënimet]

^ par. 3 Fjala «baptister» zakonisht tregon një ndërtesë kishtare ose një pjesë të një kishe, ku bëhet ceremonia e pagëzimit.

^ par. 14 Shumë Dëshmitarë të Jehovait në kohët tona janë pagëzuar duke u zhytur plotësisht në ujë në pishina të vogla, madje edhe në vaska.

[Figura në faqen 13]

Pagëzorja e Shën Gjonit në Puatje, Francë

[Figura në faqen 13]

Rindërtim i baptisterit të shekullit të pestë në Marianë, Korsikë

[Burimi]

© J.-B. Héron pour “Le Monde de la Bible”/​Restitution: J. Guyon dhe J.-F. Reynaud, sipas G. Moracchini-Mazel

[Figurat në faqen 14]

VEPRA ARTI KU TREGOHET PAGËZIMI I KRISHTIT

Uji i lumit Jordan i arrin Jezuit deri në gjoks, dhe engjëjt i sjellin peshqirë që t’i fshijnë trupin—shekulli i nëntë

[Burimi]

Cristal de roche carolingien-Le baptême du Christ © Musée des Antiquités, Rouen, France/​Yohann Deslandes

Jezui në lumin Jordan, ku uji i arrin deri te qafa. Majtas, dy engjëj mbajnë një pëlhurë që t’i fshijnë trupin—shekulli i 12-të

[Burimi]

© Musée d’Unterlinden-F 68000 COLMAR/​Photo O. Zimmermann