Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta shmang homoseksualizmin?

Si ta shmang homoseksualizmin?

Të rinjtë pyesin . . .

Si ta shmang homoseksualizmin?

«Kur isha 12 vjeçe, më pëlqente një vajzë në shkollë. Nuk dija ç’të mendoja dhe kisha frikë se mos isha lezbike.»​—Ana. *

«Gjatë adoleshencës bëja luftë me veten ngaqë më pëlqenin djemtë e tjerë. Brenda meje e dija se këto mendime nuk ishin normale.»​—Olefi.

«U puthëm vetëm një ose dy herë me shoqen time. Por, ngaqë ende më pëlqenin edhe djemtë, thosha me vete se mbase më tërhiqnin të dyja sekset.»​—Sara.

QËNDRIMI tolerant në botën e sotme i ka nxitur disa të rinj që të eksperimentojnë me marrëdhëniet me individët e të njëjtit seks. «Shumë vajza në shkollën time thonë se janë lezbike, se i tërheqin të dyja sekset ose se janë kurioze për të provuar marrëdhëniet me cilindo seks»,—thotë Beki 15-vjeçare. Krista 18-vjeçare thotë se edhe në shkollën e saj është njësoj. «Dy shoqe klase më kanë propozuar,—thotë ajo.—Njëra më shkroi një pusullë ku më pyeste nëse kisha qejf ta provoja se si ishte të shkoje me një vajzë.»

Meqë njerëzit s’e kanë për gjë ta pranojnë hapur se janë homoseksualë, ndoshta pyet veten: ‘A është vërtet e gabuar të jesh homoseksual? Ç’të bëj nëse më tërheq dikush i të njëjtit seks? A do të thotë kjo se jam homoseksual?’

Çfarë mendon Perëndia për homoseksualizmin?

Sot, shumë njerëz, madje edhe disa klerikë, e zbusin çështjen e homoseksualizmit. Megjithatë, Bibla nuk lë vend për hamendje. Ajo na thotë se Perëndia Jehova bëri mashkullin dhe femrën dhe se qëllimi i tij ishte që dëshirat seksuale të plotësoheshin vetëm midis burrit dhe gruas së tij. (Zanafilla 1:27, 28; 2:24) Prandaj nuk është çudi që Bibla i dënon marrëdhëniet homoseksuale.—Romakëve 1:26, 27.

Sigurisht, shumë veta mund të thonë se Biblës i ka ikur koha. Për shembull, Megani 14-vjeçare thotë: «Disa nga gjërat që thuhen në Bibël, s’kanë vlerë në botën e sotme.» Po përse disa e kanë në majë të gjuhës këtë shprehje? Shpesh, sepse pikëpamja e Biblës bie ndesh me mendimin e tyre. Ata e hedhin poshtë Fjalën e Perëndisë, ngaqë thotë diçka të ndryshme nga ajo që dëshirojnë të besojnë ata. Megjithatë, kjo pikëpamje është e shtrembëruar, dhe Bibla na nxit që ta mposhtim atë e të mos tregohemi mendjengushtë. Në Fjalën e tij, Perëndia Jehova na nxit të mbajmë parasysh se urdhërimet e tij janë për të mirën tonë. (Isaia 48:17, 18) Kjo është e arsyeshme. Në fund të fundit, kush më mirë se Krijuesi ynë e njeh ndërtimin tonë si njerëz?

Ngaqë je i ri, ndoshta provon lloj-lloj ndjenjash. Po nëse të pëlqen dikush i të njëjtit seks? A do të thotë kjo medoemos se je homoseksual? Jo. Ki parasysh se je në «lulen e rinisë», në kohën kur dëshirat seksuale lindin, do apo s’do ti. (1 Korintasve 7:36) Për njëfarë kohe, mendja jote mund të përqendrohet te dikush i të njëjtit seks. Por kjo tërheqje nuk do të thotë se je homoseksual. Statistikat tregojnë se prirje të tilla zakonisht veniten me kalimin e kohës. Prapëseprapë thua me vete: ‘Si lindin këto dëshira?’

Disa thonë se homoseksualizmi i ka rrënjët në gjene. Të tjerë thonë se varet nga mënyra si je rritur. Qëllimi i këtij artikulli nuk është të debatojë nëse është natyra apo mënyra si je rritur. Në fakt, të pohosh se shkaku i homoseksualizmit është një i vetëm, do të thotë ta thjeshtosh tepër çështjen. Homoseksualizmi, ashtu si forma të tjera sjelljeje, duket shumë më i ndërlikuar se kaq.

Por, cilido qoftë shkaku, e rëndësishme është të kuptohet se Bibla e dënon homoseksualizmin. Prandaj, një njeri që po lufton me dëshirën për të pasur marrëdhënie me njerëz të të njëjtit seks, vihet përballë një synimi të arritshëm: ai ose ajo mund të vendosë që të mos e plotësojë këtë dëshirë. Të bëjmë një shembull: një njeri mund të jetë tip që «nxehet kollaj». (Proverbat 29:22) Në të kaluarën, shpërthente pa problem sa herë që i ngriheshin nervat. Megjithatë, nga studimi i Biblës, e kupton se duhet të kultivojë vetëkontrollin. A do të thotë kjo se nuk do t’i ndodhë më kurrë që përbrenda të ndihet i zemëruar? Jo. Megjithatë, meqë e di atë që thotë Bibla për zemërimin e pakontrolluar, nuk lejon që t’u dorëzohet ndjenjave. Njësoj është edhe me personin që dikur e tërhiqnin individët e të njëjtit seks, por që tani ka mësuar se çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin. Herë pas here mund t’i lindë ndonjë dëshirë e gabuar. Megjithatë, duke ndjekur këshillat e Biblës, ky njeri mund ta frenojë veten që të mos i dorëzohet dëshirës.

Është e vërtetë që dëshirat homoseksuale mund të jenë rrënjosur fort. Por, ji i sigurt se edhe dëshirat e rrënjosura thellë nuk janë të pamposhtshme. (1 Korintasve 9:27; Efesianëve 4:22-24) Në fund, e ke ti në dorë se si do të jetosh. (Mateu 7:13, 14; Romakëve 12:1, 2) Pavarësisht se dikush mund të thotë ndryshe, ti mund të mësosh t’i kontrollosh impulset e tua ose të paktën ta përmbash veten që të mos veprosh sipas tyre.

Hidhi poshtë praktikat e gabuara

Çfarë mund të bësh që të mos përfshihesh në praktika homoseksuale?

Së pari Zbrazja të gjitha ankthet Jehovait në lutje, i sigurt se «ai interesohet për [ty]». (1 Pjetrit 5:7; Psalmi 55:22) Jehovai mund të të forcojë duke të dhënë një paqe që «kapërcen çdo mendim». Kjo paqe mund ‘të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’ dhe të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që të mos u dorëzohesh dëshirave të gabuara. (Filipianëve 4:7; 2 Korintasve 4:7) Sarën, që e mundonte frika se mos tërhiqej nga të dyja sekset, thotë: «Sa herë që mendimet më trazojnë, lutem; dhe Jehovai më ndihmon. Pa ndihmën e tij, nuk do ta përballoja dot këtë problem. Lutja është litari im i shpëtimit!»—Psalmi 94:18, 19; Efesianëve 3:20.

Së dyti Mbushe mendjen me mendime ndërtuese frymore. (Filipianëve 4:8) Lexoje Biblën çdo ditë. Kurrë mos e nënvlerëso fuqinë e saj për të ndikuar për mirë në mendjen dhe në zemrën tënde. (Hebrenjve 4:12) Një i ri i quajtur Xhejson thotë: «Bibla, duke përfshirë shkrime të tilla si 1 Korintasve 6:9, 10 dhe Efesianëve 5:3, ka pasur një ndikim të fuqishëm tek unë. I lexoj këto shkrime sa herë që më vijnë dëshira të gabuara.»

Së treti Qëndroji larg pornografisë dhe propagandës për homoseksualizmin që vetëm sa do të të ushqejnë mendime të gabuara. * (Psalmi 119:37; Kolosianëve 3:5, 6) Edhe disa filma dhe programe televizive ushqejnë mendimin se homoseksualizmi nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë jetese e ndryshme ose e ashtuquajtur alternative. «Arsyetimet e mbrapshta të botës ndikonin në mendjen time dhe më pështjellonin edhe më shumë në aspektin seksual,—thotë Ana.—Tani i qëndroj larg çdo gjëje dhe çdokujt që nxit homoseksualizmin.»—Proverbat 13:20.

Së katërti Gjej një njeri të besueshëm dhe tregoji çfarë mendon. (Proverbat 23:26; 31:26; 2 Timoteut 1:1, 2; 3:10) Olefi, që i kërkoi ndihmë një plaku të krishterë, kujton: «Këshilla e tij më vlejti shumë. Ah, sikur të kisha folur më parë me të!»

Mos u dorëzo!

Sigurisht, disa mund të thonë se e gjithë kjo luftë nuk ka kuptim, se thjesht duhet të ndjekësh prirjen tënde seksuale dhe ta pranosh veten siç je. Por Bibla thotë se ti mund të arrish diçka më të mirë. Për shembull, në Bibël tregohet se disa nga të krishterët e hershëm që kishin qenë homoseksualë, më pas ndryshuan. (1 Korintasve 6:9-11) Edhe ti mund ta fitosh këtë betejë, edhe sikur për momentin ajo të jetë vetëm në zemrën tënde.

Nëse prapë dëshirat e tua vazhdojnë, mos u dorëzo ose mos arri në përfundimin se nuk ndryshon dot. (Hebrenjve 12:12, 13) Të gjithë ne luftojmë herë pas here me prirje të gabuara. (Romakëve 3:23; 7:21-23) Nëse nuk lejon t’u dorëzohesh dëshirave të gabuara, me kalimin e kohës ato mund të shuhen. (Kolosianëve 3:5-8) Mbi të gjitha, mbështetu te Jehovai për ndihmë. Ai të do dhe e di se çfarë do të të bëjë të lumtur. (Isaia 41:10) Po, «ki besim te Jehovai dhe bëj të mira, . . . dhe ai do të të japë çfarë të do zemra».—Psalmi 37:3, 4.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.

^ par. 19 Kohët e fundit po përhapet një mënyrë jetese, sipas së cilës burrat i kushtojnë tepër vëmendje vetes e sidomos paraqitjes së jashtme. Kjo mënyrë jetese po bën që kufiri midis të qenët homoseksual dhe heteroseksual të jetë i turbullt. Sipas një burimi, një njeri që bën një jetesë të tillë «mund të jetë homoseksual, heteroseksual ose mund ta tërheqin të dyja sekset, por kjo nuk ka rëndësi, pasi duket qartë se dashuria e tij është përqendruar te vetja dhe aktiviteti i tij seksual përfshin gjithçka që i sjell kënaqësi». Një enciklopedi thotë se ky stil jetese u përhap ngaqë «shoqëria nisi t’i pranonte gjithnjë e më shumë meshkujt homoseksualë dhe paralel me këtë nisi të rrëzohej tabuja ndaj homoseksualizmit dhe të ndryshonte koncepti për tiparet e vërteta mashkullore».

PËR TË MENDUAR

▪ Përse Perëndia e dënon homoseksualizmin?

▪ Çfarë mund të bësh nëse po lufton me veten ngaqë të tërheqin individë të të njëjtit seks?

▪ Me kë mund të hapesh nëse po lufton me dëshirat homoseksuale?

[Figura në faqen 30]

Kërkoji ndihmë një të krishteri të pjekur