Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Viti i shkuar ishte «viti më i ngrohtë i regjistruar në Hemisferën Veriore» dhe «i dyti për nga ngrohtësia në shkallë botërore». «Tetë nga 10 vitet më të ngrohta [të regjistruara], janë të dekadës së fundit.»—BBC NEWS, BRITANI.
▪ Sezoni i uraganeve në Atlantik në vitin 2005 ishte «më aktivi» dhe «pa dyshim . . . më shkatërrimtari» nga të gjithë. Është regjistruar se shtatë nga 14 uraganet kishin shpejtësi mbi 177 kilometra në orë.—U.S. NATIONAL OCEANIC AND ATMOSPHERIC ADMINISTRATION.
▪ «Në vitin 1850, kishte mbi 150 akullnaja në Parkun Kombëtar të Akullnajave në Montana [SHBA]. Tani kanë mbetur 27.»—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.
▪ «Kur bëhet fjalë për mënyrën se si do të veprojnë qeveritë për ngrohjen globale, e vërteta lakuriqe është se asnjë vend nuk do që të sakrifikojë ekonominë e vet për të zgjidhur këtë çështje të vështirë.»—TONI BLER, KRYEMINISTRI BRITANIK.
Katolikët «shtëpi më shtëpi»?
Sipas Klaudio Umesit, kryepeshkopit të San-Paulos, numri i brazilianëve katolikë ka rënë nga 83 për qind në 67 për qind gjatë 14 viteve të fundit. Ky klerik fajëson kishën që «nuk ka qenë e aftë, për arsye të ndryshme, t’ua predikojë siç duhet ungjillin anëtarëve të saj të pagëzuar». Umesi thotë: «Nuk duhet t’i takojmë besimtarët vetëm në famulli, por duhet t’u shkojmë shtëpi më shtëpi, në shkolla dhe në institucione.» Gazeta Folha Online vëren se këtë punë duhet ta marrin përsipër besimtarë të thjeshtë të stërvitur si misionarë. Numri i paktë i priftërinjve është një nga problemet më të mëdha që po ndesh Kisha Katolike në Brazil dhe në gjithë pjesën tjetër të Amerikës Latine.
Njohje ligjore në Gjermani
Në një vendim të shpallur më 10 shkurt 2006, Gjykata Federale Administrative në Lajpcig, Gjermani, nxori urdhrin që shteti i Berlinit duhet ta njohë Shoqatën Fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani si një korporatë publike. Kjo i dha fund një beteje ligjore 15-vjeçare, gjatë së cilës çështja u shqyrtua nga disa gjykata të ndryshme gjermane, përfshirë edhe Gjykatën Federale Kushtetuese. Si një korporatë publike, Shoqata Fetare e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani përjashtohet nga taksat, dhe ka ato të drejta që gëzojnë fetë kryesore në këtë vend.
Të rinjtë kinezë, robër të lojërave në Internet
«Dhënia pas lojërave në Internet është bërë diçka e zakonshme mes të rinjve kinezë»,—thotë gazeta e Hong-Kongut South China Morning Post. Ky fenomen vërehet edhe te të rinjtë në vende të tjera të Lindjes, si për shembull në Hong-Kong, në Japoni dhe në Republikën e Koresë. Gazeta vëren: «Dëshira gjithnjë e më e madhe për t’u lidhur me Internetin, për të luajtur duke shpërfillur kështu të tjerët përreth, pasqyron një kundërveprim të fortë të të rinjve ndaj presionit mbytës të shoqërisë. Ky reagim i ka rrënjët te kërkesat e tepruara të prindërve dhe te konkurrenca e egër për të hyrë në universitet.» Është llogaritur se gjashtë milionë të rinj e fëmijë kinezë, kanë nevojë për ndihmë që ta mposhtin këtë ves.