Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të ndërtoni një martesë të lumtur

Si të ndërtoni një martesë të lumtur

Si të ndërtoni një martesë të lumtur

«Burri . . . do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.»​—ZANAFILLA 2:24.

BËRËSI ynë, Perëndia Jehova, e krijoi martesën që të ishte një bashkim i përhershëm midis burrit dhe gruas. Te Zanafilla 2:18, 22-24 lexojmë: «Perëndia Jehova tha: ‘Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.’ Nga brinja që kishte marrë prej njeriut, Perëndia Jehova bëri një grua dhe ia çoi njeriut. Pastaj njeriu tha: ‘Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse u mor nga burri.’ Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.»

Po, të ndërtosh një martesë të lumtur e jetëgjatë nuk është e lehtë, por patjetër që është e mundur. Shumë çifte kanë 50, 60 a më shumë vjet martuar e përsëri janë të lumtur. Si e arrijnë këtë? Ata përpiqen vazhdimisht dhe pa egoizëm, që të kenë një martesë të suksesshme dhe ‘të fitojnë miratimin’ e bashkëshortit. (1 Korintasve 7:33, 34) Kjo kërkon punë. Nëse jeni gati të investoni kohë dhe përpjekje, edhe ju mund të ndërtoni një martesë të lumtur, një martesë që do të zgjatë për shumë kohë.

Ndiqni me kujdes projektin

Një sipërmarrës i zotë nuk do ta niste kurrë ndërtimin pa parë në fillim projektin. Po kështu, nuk mund t’ia dalim mbanë që të ndërtojmë një martesë të lumtur pa shqyrtuar më parë me kujdes, projektin që ka bërë Perëndia. Ai gjendet në faqet e Fjalës së Perëndisë. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm . . . për të ndrequr»,—shkroi apostulli Pavël.—2 Timoteut 3:16.

Burrat dhe gratë mund të mësojnë shumë për martesën duke shqyrtuar si i trajtonte Jezui dishepujt e vet. Përse themi kështu? Në Bibël marrëdhënia midis Jezuit dhe atyre që do të sundojnë me të në qiell, krahasohet me marrëdhënien burrë e grua. (2 Korintasve 11:2) Jezui u qëndroi besnik miqve të tij, edhe në kohët më të vështira. «Ai i deshi ata deri në fund.» (Gjoni 13:1) Si një udhëheqës i dhembshur, Jezui gjithmonë mori parasysh kufizimet dhe brishtësinë e ithtarëve të tij. Ai kurrë nuk u kërkoi më shumë nga ç’ishin në gjendje të bënin a të jepnin.—Gjoni 16:12.

Edhe kur miqtë e tij më të ngushtë e zhgënjyen, Jezui prapëseprapë u soll butë. Ai nuk i qortoi ashpër, por përkundrazi, u përpoq t’i ndreqte duke u treguar i përulur dhe dashamirës si Perëndia. (Mateu 11:28-30; Marku 14:34-38; Gjoni 13:5-17) Prandaj, nëse e shqyrtoni me kujdes si i trajtoi me butësi Jezui dishepujt e tij dhe si iu përgjigjën ata dashurisë me dashuri, do të nxirrni mësime praktike si të ndërtoni një martesë të lumtur.—1 Pjetrit 2:21.

Ndërtoni mbi themele të forta

Patjetër që në themelet e martesës suaj do të përplasen probleme ngjashëm stuhive. Kjo do të provojë se sa i fortë është bazamenti mbi të cilin është ngritur lidhja që keni me bashkëshortin. Megjithatë, themeli më i fortë për të ndërtuar një martesë të lumtur është përkushtimi, që bazohet te dashuria. Jezui e theksoi rëndësinë e përkushtimit kur tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Fjala «asnjeri» nënkupton edhe vetë burrin dhe gruan e tij, të cilët janë betuar se do t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit.

Disave ky përkushtim mund t’u duket si barrë, si diçka që kërkon tepër kohë e përpjekje. Sot njerëzit më shumë preferojnë rehatinë e vet, sesa të bëjnë sakrificat që kërkohen kur i përkushtohesh dikujt.

Çfarë mund ta mbajë gjallë përkushtimin e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit? Apostulli Pavël shkroi: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.» (Efesianëve 5:28, 29) Pra të jesh ‘i bashkuar’ me bashkëshortin do të thotë edhe të merakosesh për mirëqenien e tij ose të saj, siç merakosesh për veten tënde. Është e nevojshme që një i martuar të mos i shohë më gjërat si «të miat», por «tonat», dhe të mos mendojë më «unë», por «ne».

Kur i përballoni më së miri sulmet e stuhishme që godasin martesën tuaj, do të bëheni të mençur. Kjo mençuri që do të fitoni nga përvoja mund t’ju sjellë lumturi. Te Proverbat 3:13 thuhet: «Lum njeriu që ka gjetur mençuri.»

Përdorni materiale zjarrduruese

Që një shtëpi të jetë e fortë dhe jetëgjatë, duhet të ndërtohet mirë. Prandaj, jini të vendosur që ta ndërtoni martesën duke pasur si synim që ajo ta ketë jetën të gjatë. Përdorni materiale të forta, ato lloj materialesh që mund t’u bëjnë ballë sprovave të zjarrta të besnikërisë. Vlerësojini si arin, cilësi të tilla të çmuara siç janë: mençuria nga Perëndia, bujaria, aftësia dalluese, frika e Perëndisë, ngrohtësia, çmueshmëria e dashuria për ligjet e Perëndisë dhe besimi i sinqertë.

Lumturia dhe kënaqësia në martesë nuk ndërtohen mbi gjërat materiale ose pozitën në shoqëri. Ato e kanë themelin në zemër e në mendje dhe forcohen nga të vërtetat që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Nxitja «secili le të vazhdojë të shikojë se si po ndërton» mund të zbatohet edhe për martesën.—1 Korintasve 3:10.

Kur dalin probleme

Që një ndërtesë t’i qëndrojë kohës, duhet të mirëmbahet rregullisht. Kur burri dhe gruaja e mbështetin vazhdimisht njëri-tjetrin në synimet që kanë dhe kur e nderojnë dhe e respektojnë njëri-tjetrin, martesa qëndron e fortë. Egoizmi nuk zë rrënjë dhe zemërimi mbahet nën kontroll.

Zhgënjimi dhe zemërimi i thellë e i zgjatur, mund ta vrasin dashurinë dhe përzemërsinë në martesë. Apostulli Pavël i këshilloi burrat: «Ju, burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) I njëjti parim vlen edhe për gratë. Kur bashkëshortët bëjnë çmos që t’i kushtojnë vëmendje tjetrit, ta kuptojnë dhe të tregojnë mirësi, ndihmojnë që të ndihen të lumtur dhe të kënaqur. Po të shmangen gjaknxehtësia dhe përgjigjet flakë për flakë, kjo ndihmon në parandalimin e mosmarrëveshjeve kur dalin vështirësi. Pavli nxiti: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht.»—Efesianëve 4:32.

Po sikur të ndiheni të pafuqishëm, të acaruar ose të nënvlerësuar, dhe këto ndjenja t’ju mundojnë? Me qetësi tregojani qartë bashkëshortit shqetësimin që keni. Megjithatë, nëse bëhet fjalë për gjëra të vogla, ndoshta më mirë lërini t’i mbulojë dashuria.—1 Pjetrit 4:8.

Një burrë që ka kaluar disa vështirësi gjatë 35 viteve të jetës martesore, thotë se sado të zemëruar të jeni me bashkëshortin, «kurrë mos e ndërpritni komunikimin». Me mençuri shton: «Kurrë mos reshtni së dashuri.»

Ju mund të ndërtoni një martesë të lumtur

Vërtet, nuk është e lehtë të ndërtosh një martesë të lumtur. Megjithatë, kur bashkëshortët janë të vendosur të bëjnë çmos që të përfshijnë Perëndinë në lidhjen e tyre, do të kenë lumturi dhe siguri. Prandaj, kujdesuni për gjërat frymore në familjen tuaj; përkushtojuni me besnikëri të patundur martesës. E mos harroni se sipas fjalëve të Jezuit, as burrit dhe as gruas nuk i takon e gjithë merita për një martesë të lumtur. Përkundrazi, në radhë të parë merita i takon Krijuesit të martesës, Perëndisë Jehova. «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:6.

PËR LEXIM TË MËTEJSHËM

Libri Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, jep këshilla praktike si të ndërtoni një martesë të lumtur e të suksesshme. Qindra mijë çifte të martuara përreth botës kanë parë se këshillat e tij praktike të bazuara në Bibël i kanë ndihmuar të përmirësojnë lidhjen e tyre.​—Shih faqen 32 të kësaj reviste.

[Kutia në faqen 9]

Çfarë mund t’ju ndihmojë të ndërtoni një martesë të lumtur?

▪ Studiojeni së bashku e rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe lutjuni atij për ndihmë dhe drejtim në zgjidhjen e problemeve.—Proverbat 3:5, 6; Filipianëve 4:6, 7; 2 Timoteut 3:16, 17.

▪ Mos krijoni interes në aspektin seksual për askënd tjetër përveç bashkëshortit.—Proverbat 5:15-21; Hebrenjve 13:4.

▪ Komunikoni hapur, çiltër dhe me dashuri për problemet dhe mospërputhjet që keni.—Proverbat 15:22; 20:5; 25:11.

▪ Flitni me bashkëshortin me dashamirësi dhe respekt; shmangni shpërthimet e zemërimit, ankimet dhe kritikat e ashpra.—Proverbat 15:1; 20:3; 21:9; 31:26, 28; Efesianëve 4:31, 32.

▪ Me përulësi zbatoni këshillat biblike edhe po të mendoni se bashkëshorti nuk po bën gjithçka që duhet të bëjë.—Romakëve 14:12; 1 Pjetrit 3:1, 2.

▪ Përpiquni me të gjitha forcat për të kultivuar cilësitë frymore që përmenden në Bibël.—Galatasve 5:22, 23; Kolosianëve 3:12-14; 1 Pjetrit 3:3-6.

[Figurat në faqen 7]

Ndiqni projektin e Perëndisë për martesën, i cili gjendet në Bibël

[Figura në faqen 7]

Si themel të fortë për martesën kini dashurinë pa egoizëm dhe besnikërinë

[Figurat në faqen 8]

Kultivoni cilësi frymore që mund t’u bëjnë ballë sprovave të zjarrta

[Figurat në faqen 8]

Kërkohen përpjekje për të mirëmbajtur një martesë të lumtur