Duhet çuar lajmi
Duhet çuar lajmi
PARA se të shpikej telegrafi, komunikimi në largësi të mëdha shpesh ishte i avashtë e i vështirë, varej nga mjetet e transportit dhe nga terreni. Shikoni për shembull sa problem ishte kjo për inkasit, të cilët jetonin në një perandori të madhe në Amerikën e Jugut.
Në kulmin e saj, nga fundi i shekullit të 15-të dhe fillimi i shekullit të 16-të të e.s., perandoria inkase përfshinte pjesë të Argjentinës së sotme, Bolivisë, Ekuadorit, Kilit, Kolumbisë, dhe Perusë ku ndodhej edhe kryeqyteti i lashtë i kësaj perandorie, Kuskoja. Udhëtimi vështirësohej nga vargmalet e larta, xhunglat e dendura dhe nga largësitë tejet të mëdha. Për më tepër, inkasit nuk kishin kafshë të tjera barre përveç lamave, nuk kishin automjete dhe as gjuhë të shkruar. Prandaj, si komunikonin me njëri-tjetrin brenda asaj perandorie të madhe e me aq shumë larmi?
Inkasit e bënë gjuhën e tyre keçua, gjuhën e folur në tërë perandorinë. Ndërtuan edhe shumë rrugë. Rruga perandorake, ose rruga kryesore, shtrihej më shumë se 5.000 km përmes Andeve, kurse një rrugë paralele zgjatej rreth 4.000 km përgjatë bregut të Paqësorit. Disa rrugë anësore lidhnin këto të dyja. Po ashtu inkasit ndërtuan rrugë të shtruara dhe me shkallë në qafat e maleve, ura lundruese mbi këneta, si edhe ura të varura mbi gryka, në të cilat duhej goxha guxim të kaloje. Një urë e varur shtrihej 45 metra, kishte litarë të trashë sa trupi i një njeriu, dhe u përdor për 500 vjet, deri në vitin 1880.
Çelësi i komunikimit të inkasve ishin një grup vrapuesish, që quheshin çaskis, të cilët rrinin në intervale të ndryshme përgjatë rrugëve kryesore. Vraponin me radhë tre ose katër kilometra secili, dhe thuhet se bënin mbi njëqind kilometra brenda ditës. Ata çonin shumë lajme gojarisht, kurse statistikat zyrtare i përcillnin me ndihmën e një mjeti interesant që quhej kipu. Ky shërbente për të mos harruar dhe përbëhej nga një litar e kordonë me ngjyra të ndryshme që shërbenin si kode. Këta kordonë lidheshin nyje dhe këto përfaqësonin njëshe, dhjetëshe dhe qindëshe. Kur spanjollët pushtuan perandorinë inkase, ky mjet doli nga përdorimi dhe gradualisht kodet u harruan.
‘Këmbë të bukura mbi male’
Sot, miliona njerëzve që flasin gjuhën keçua, po u çohet lajmi më i rëndësishëm nga të gjithë. Ky është lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë, një qeveri mbarëbotërore që do t’u sjellë paqe të gjithë atyre që i nënshtrohen sundimit të saj. (Danieli 2:44; Mateu 24:14) Të udhëtosh në këtë vend që dikur sundohej nga inkasit, është ende e vështirë, dhe gjuha keçua kryesisht ka mbetur një gjuhë e pashkruar. Megjithatë disa Dëshmitarë të Jehovait—shumë prej të cilëve kanë mësuar gjuhën keçua—shpërndajnë gjithë gëzim botime të shkruara dhe të regjistruara në audio, në disa dialekte të sotme të kësaj gjuhe.
Puna e këtyre ungjillëzuesve na kujton fjalët e frymëzuara: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë, që shpall paqen, që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë.»—Isaia 52:7.