Si t’i mbaj nën kontroll shpenzimet?
Të rinjtë pyesin . . .
Si t’i mbaj nën kontroll shpenzimet?
«Shpesh e kuptoj që po bëj plane për të blerë diçka që nuk më duhet vërtet dhe ndoshta s’kam as mundësi ta blej, vetëm e vetëm se kanë bërë ulje çmimesh.»—Ana, * Brazil.
«Ndonjëherë shokët më ftojnë të bëjmë gjëra që kërkojnë para. Dua të rri me shokët, të bëj qejf. Asnjërit nuk i pëlqen të thotë: ‘Më vjen keq, por nuk kam para të vij.’»—Joani, Australi.
A TË duket sikur nuk të dalin kurrë paratë? Sikur prindërit të të jepnin më shumë para, mund ta blije lojën që të pëlqen. Sikur ta kishe rrogën më të madhe, mund të blije këpucët për të cilat «ke nevojë». Megjithatë, në vend që të mërzitesh për paratë që nuk ke, përse të mos mësosh të mbash nën kontroll paratë që ke nëpër duar?
Nëse jeton me prindërit, mund të mësosh si t’i bësh mirë llogaritë, edhe pasi të ikësh nga shtëpia për të jetuar më vete. Por kjo do të ishte sikur të hidheshe nga avioni pa mësuar më parë se si përdoret parashuta. Po, njeriu mund ta marrë me mend se ç’duhet të bëjë teksa lëshohet drejt tokës. Por sa më mirë do të ishte sikur t’i mësonte gjërat elementare se si të përdorë parashutën, para se të hidhet.
Po kështu, koha më e përshtatshme për të mësuar si t’i shpenzosh siç duhet paratë është para se të përballesh vetë me realitetin e ashpër të jetës për sa u përket parave. Mbreti Solomon shkroi: ‘Paraja është mbrojtje.’ (Eklisiastiu 7:12) Megjithatë ajo do të të mbrojë vetëm po të mësosh si të mbash nën kontroll shpenzimet. Kjo gjë do të të rritë sigurinë te vetja dhe respektin që kanë prindërit për ty.
Mëso gjërat bazë
A i ke pyetur ndonjëherë prindërit se si mbahet familja? Për shembull, a e di sa para shkojnë çdo muaj për dritat,
ngrohjen dhe ujin. A e di sa para duhen për shpenzimet e makinës, për ushqimet, për qiranë ose për të paguar kredinë e marrë për shtëpinë? Mbase këto hollësi të duken të mërzitshme. Por mos harro se edhe ti ke pjesën tënde në këto shpenzime. Veç kësaj, kur të jetosh më vete, do t’i paguash nga xhepi yt faturat. Pra, edhe ti duhet të mësosh diçka për to. Kërkoju prindërve nëse mund t’i shohësh disa nga faturat dhe dëgjoji me kujdes kur të të shpjegojnë se si i ndajnë paratë për to.«Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim, dhe njeriu me kuptueshmëri përfiton nga drejtimi i aftë që i japin të tjerët»,—thotë një proverb biblik. (Proverbat 1:5) Ana, e përmendur më sipër, thotë: «Babi më mësoi si të bëja një plan për shpenzimin e parave dhe më tregoi sa e rëndësishme është të jesh i organizuar kur administron paratë e familjes.» Ndërkohë, e ëma i mësoi Anës disa gjëra të tjera praktike. «Ajo më tregoi sa rëndësi ka që të krahasoj çmimet para se të blej»,—thotë Ana. Pastaj shton: «Mami mund të bëjë mrekullira vetëm me pak para.» Çfarë dobie ka pasur Ana nga të gjitha këto? Ajo thotë: «Tani jam në gjendje të kujdesem për të ardhurat e mia. I kontrolloj me kujdes shpenzimet, kështu që kam atë liri dhe paqe mendore që ndien kur nuk futesh më kot në borxhe.»
Dallo pengesat
Kuptohet, është e lehtë të thuash që nuk do të shpenzoj më tepër se ç’duhet, po s’është kaq e lehtë ta bësh, sidomos kur jeton me prindërit dhe ata të japin rregullisht një sasi parash ose kur je me rrogë. Përse? Sepse shumicën e faturave e paguajnë prindërit. Prandaj, një pjesë të madhe të parave mund ta përdorësh për çfarë të duash. E mund të jetë edhe qejf të harxhosh para. «E kam kollaj fare të prish para dhe është diçka që më kënaq»,—pohon Pareshi, një i ri nga India. Edhe Sara nga Australia mendon njëlloj. «Vdes të blej gjëra të reja»,—thotë ajo.
Veç kësaj, edhe moshatarët mund të të nxitin që të shpenzosh më tepër se ç’duhet. Elena 21-vjeçare, thotë: «Për moshatarët e mi, blerja është bërë një nga argëtimet kryesore. Kur dal me ta, më duket sikur ekziston një rregull i pashkruar që po deshe të bësh qejf duhet të harxhosh para se s’bën.»
Është normale që të dëshirosh të jesh si shokët. Por pyete veten: ‘Po prish para sepse kam mundësi apo sepse ndihem i detyruar ta bëj?’ Shumë veta harxhojnë para duke u munduar të fitojnë respektin e shokëve e të kolegëve. Kjo prirje mund të hapë probleme të mëdha me paratë, sidomos në rast se mban kartë krediti. Këshilltarja në fushën e financës, Suzi Ormani, paralajmëron: «Nëse ndien nevojën t’u bësh përshtypje të tjerëve me ato që ke dhe jo me atë që je, ka shumë mundësi që ta shpërdorosh kartën e kreditit.»
Në vend që ta çosh në fund kartën e kreditit ose ta bësh tym të gjithë rrogën për një herë që del me shokët, përse të mos provosh zgjidhjen që ka gjetur Elena? «Kur dal me shokët,—thotë ajo,—planifikoj që më përpara dhe vë një kufi për paratë që do të prish. Rroga ime depozitohet direkt në llogarinë time bankare dhe kur dal për qejf, tërheq vetëm aq sa kam nevojë. Proverbat 13:20.
Gjithashtu kam parë se është mirë të dal nëpër dyqane vetëm me ata shokë që nuk i shpërdorojnë paratë dhe që më nxitin ta shoh mirë tregun e të mos blej gjënë e parë që më del përpara.»—Mëso nga përgjigjja jo
Edhe nëse prindërit nuk të japin rregullisht një sasi parash ose nuk je në punë, prapëseprapë mund të mësosh gjëra të vlefshme kur jeton me familjen. Për shembull, kur u kërkon prindërve ca para ose u thua të të blejnë diçka, ata mund të të thonë jo. Pse? Një arsye mund të jetë se gjërat që dëshiron janë përtej asaj që përballon buxheti i familjes. Duke i thënë jo kërkesës sate, edhe pse do të donin të të thoshin po, prindërit po të japin një shembull të mirë për vetëkontrollin. Dhe vetëkontrolli është i domosdoshëm për t’i administruar mirë paratë.
Ta zëmë se prindërit e tu janë në gjendje të t’i plotësojnë kërkesat. Por, prapëseprapë të thonë jo. Ndoshta mendon se po tregohen kurnacë. Por mendo pak: mbase ata po përpiqen të të japin një mësim të rëndësishëm se lumturia jote nuk do të thotë të kesh çdo gjë që dëshiron. Për këtë, Bibla thotë: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.»—Eklisiastiu 5:10.
Përvojat e shumë të rinjve, të cilëve prindërit u blejnë gjithçka që dëshirojnë, tregojnë se sa të vërteta janë këto fjalë. Shpejt këta të rinj zbulojnë se kurrë nuk ndihen vërtet të kënaqur. Sado të grumbullojnë, gjithmonë ndiejnë nevojën që të blejnë diçka të re. Me kalimin e kohës, të rinjtë që presin t’u plotësohet çdo tekë, mund të bëhen njerëz mosmirënjohës. Solomoni paralajmëroi: «Po ta llastosh shërbëtorin [ose fëmijën] që në rini, në fund të jetës ai do të bëhet mosmirënjohës.»—Proverbat 29:21.
Floriri është kohë
Në disa vende ekziston shprehja: koha është flori. Kjo thekson se njerëzit duhet të harxhojnë kohë për të fituar para dhe ta harxhosh kohën kot do të thotë të harxhosh paratë kot. Por është e vërtetë edhe e anasjella e kësaj shprehjeje, pra floriri është kohë. Nëse i harxhon kot paratë, në të vërtetë po harxhon kot edhe kohën që u desh për t’i fituar ato para. Mëso të mbash nën kontroll shpenzimet dhe do të mësosh si të mbash nën kontroll mënyrën si harxhon kohën. Si ka mundësi?
Vëre se çfarë tha Elena. «Kur mbaj mirë llogarinë e shpenzimeve, po mbaj mirë edhe llogarinë e parave që do më duhet të fitoj,—thotë ajo.—Duke bërë një plan praktik të shpenzimeve dhe duke e respektuar, nuk më duhet të punoj me orë të zgjatura për të paguar borxhe të mëdha. E kam më shumë nën kontroll kohën dhe jetën time.» A nuk do të të pëlqente edhe ty ta kishe nën kontroll jetën tënde?
[Shënimi]
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.
PYETJE PËR TË MENDUAR
▪ A e ke të vështirë të mbash nën kontroll shpenzimet? Pse?
▪ Pse duhet të mos ushqesh dashuri për paratë?—1 Timoteut 6:9, 10.
[Kutia dhe figura në faqen 12]
A ËSHTË ZGJIDHJA TË KESH MË SHUMË PARA?
A duhet medoemos të kesh më shumë para për të zgjidhur problemet me shpenzimet? «Të gjithë mendojmë se një rrogë më e mirë do të ishte zgjidhja për problemet tona financiare, por rrallë ndodh kështu»,—thotë këshilluesja në fushën e financës Suzi Orman.
Le ta ilustrojmë: nëse po nget makinën dhe nuk e mban dot nën kontroll ose e ke zakon që e nget me sy mbyllur, a do të ndiheshe më i sigurt po të hidhje më shumë karburant në serbator? A do të kishte më shumë mundësi që të mbërrije shëndoshë e mirë në vendin për ku je nisur? Po kështu, po të mos mësosh si të mbash nën kontroll shpenzimet, nuk do ta përmirësosh gjendjen tënde edhe po të fitosh më shumë para.
[Kutia dhe tabela në faqen 13]
MBAJI NËN KONTROLL SHPENZIMET
Sa para harxhove muajin e kaluar? Për çfarë i harxhove? Apo nuk e di? Ja si t’i mbash nën kontroll shpenzimet para se shpenzimet të të mbajnë nën kontroll ty.
▪ Mbaj shënime. Të paktën për një muaj, shëno sa para merr dhe datën kur i more. Shëno çdo gjë që blen dhe sa kushton. Në fund të muajit, llogarit sa ke marrë dhe sa ke harxhuar.
▪ Bëj një buxhet. Në një fletë bëj tri kolona. Në kolonën e parë, rendit të gjitha të ardhurat që parashikon të marrësh në një muaj. Në kolonën e dytë, shëno se për çfarë planifikon t’i harxhosh paratë; përdori ato që ke shkruar si udhëzues. Ndërkohë që muaji kalon, në kolonën e tretë shkruaj sasinë që harxhon në të vërtetë për secilën nga shpenzimet e planifikuara. Veç kësaj, shëno dhe të gjitha shpenzimet e paplanifikuara.
▪ Përshtate planin. Nëse po harxhon më shumë nga ç’parashikoje për disa gjëra dhe e sheh se po hyn në borxh, përshtate planin. Paguaj borxhet. Mbaj nën kontroll shpenzimet.
[Tabela]
Vëre diku dhe përdore
Buxheti im mujor
Të ardhurat Shpenzimet Sasia e shpenzuar
e planifikuara realisht
paratë që më japin prindërit ushqimi
puna me orar të shkurtuar veshja
të tjera telefoni
zbavitja
dhurata
kursime
të tjera
Gjithsej Gjithsej Gjithsej
lekë lekë lekë
[Figura]
Mbaj mend, nëse i harxhon kot paratë, po harxhon kot edhe kohën që u desh për t’i fituar
[Figura në faqen 11]
Përse të mos pyesësh prindërit se si të bësh një plan për shpenzimet?