Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Të burgosur për shkak të besimit»

«Të burgosur për shkak të besimit»

«Të burgosur për shkak të besimit»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË POLONI

FJALËT Arbeit Macht Frei (Puna të bën të lirë) gjenden edhe sot e kësaj dite në portat e hekurta të kampit të përqendrimit në Aushvic, në jug të Polonisë, rreth 60 kilometra larg kufirit çek. * Megjithatë, këto fjalë bien ndesh me atë që i ndodhi shumicës së njerëzve që hynë në këto porta në vitet 1940-1945. Gjatë atyre viteve, më shumë se një milion njerëz vdiqën në Aushvic nga duart e nazistëve. Megjithatë, pjesëtarët e një grupi mund ta fitonin lirinë kur të donin.

Çfarë çmimi duhej të paguanin ata për të fituar lirinë? Çdo i burgosur që ishte Dëshmitar i Jehovait dhe që firmoste një dokument ku deklaronte se ai ose ajo nuk do të shërbente më si Dëshmitar i Jehovait, mund të lirohej. Si vendosën shumica e Dëshmitarëve? Historian Ishtvan Deaku thotë se Dëshmitarët «ishin si të krishterët e hershëm që më mirë preferonin të gllabëroheshin nga luanët, sesa të bënin një ofertë të vogël në altarin e ndonjë perandori romak». Sigurisht që një qëndrim i tillë meriton të kujtohet, dhe vërtet kështu ndodhi.

Për dy muaj, duke filluar më 21 shtator 2004, në sallën kryesore të Muzeut Shtetëror Aushvic-Birkenau u hap një ekspozitë që u kushtohej vetëm Dëshmitarëve. Ekspozita mbante një titull të përshtatshëm «Të burgosur për shkak të besimit: Dëshmitarët e Jehovait dhe regjimi nazist». Ajo kishte 27 stenda me të dhëna historike ku pasqyrohej vendimi i patundur i Dëshmitarëve për të mbajtur asnjanësinë e krishterë gjatë kohës së nazizmit.

Shumë vizitorë i preku letra që Deliana Rademarkers, nga Holanda, i kishte dërguar nga burgu familjes së saj. Ajo shkruante: «Jam betuar të bëj vullnetin e Jehovait. . . . Jini të guximshëm e mos kini frikë. Jehovai është me ne.» Në vitin 1942, Delianën e çuan në Aushvic, ku vdiq pa kaluar as tri javë.

Në Aushvic kishte gjithsej rreth 400 Dëshmitarë. Tre nga të mbijetuarit ishin të pranishëm në hapjen e ekspozitës, ku treguan përvojat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Ata kishin po atë forcë që i ndihmoi të mbijetonin në kushtet e kampit.

Në librin e saj Të burgosur për shkak të besimit: Dëshmitarët e Jehovait në Kampin e Përqendrimit në Aushvic, studiuesja Tereza Vontor-Cihi, e cila punon pranë Muzeut Shtetëror, shkroi: «Qëndrimi i këtij grupi të vogël ndikoi për mirë edhe te të burgosurit e tjerë, dhe vendosmëria e tyre e patundur dita-ditës, u forcoi të tjerëve bindjen se në çfarëdo rrethane, njerëzit mund t’u qëndrojnë besnikë parimeve që respektojnë.»

Ç’është e vërteta, burgosja dhe vdekja nuk janë aspak të panjohura për ithtarët e Jezu Krishtit, të cilin edhe vetë e arrestuan dhe e vranë për shkak të besimit. (Luka 22:54; 23:32, 33) Edhe apostullin e Jezuit, Jakovin, e ekzekutuan. Apostullin Pjetër e burgosën, kurse apostullin Pavël e rrahën dhe e burgosën shumë herë.—Veprat 12:2, 5; 16:22-25; 2 Korintasve 11:23.

Po kështu, Dëshmitarët e Jehovait në Evropë dhanë një dëshmi të shkëlqyer për besimin te Perëndia gjatë viteve 30 dhe 40. Është për t’u lavdëruar që besimi i tyre është bërë i njohur në muzeun e Aushvicit.

[Shënimi]

^ par. 3 Aushvici përbëhej nga tri pjesë kryesore: Aushvici I (kampi kryesor), Aushvici II (Birkenau) dhe Aushvici III (Monovici). Shumica e dhomave famëkeqe të gazit ishin në Birkenau.

[Figura në faqen 10]

Tre të mbijetuar të Aushvicit me tabelën ku është shkruar titulli i ekspozitës

[Figurat në faqen 11]

Deliana Rademarkersi dhe një letër që shkroi në burg

[Burimi]

Fotografitë e vogla: Zdjęcie: Archiwum Państwowego Muzeum Auschwitz-Birkenau

[Burimi i figurës në faqen 10]

Kulla: Dzięki uprzejmości Państwowego Muzeum Auschwitz-Birkenau