Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mbroni buzëqeshjen?

Si ta mbroni buzëqeshjen?

Si ta mbroni buzëqeshjen?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA

PËR çfarë merakoseni kur shiheni në pasqyrë? Mbase për flokët a për diçka tjetër. Po për buzëqeshjen? A e keni vënë re se sa shumë ndikojnë dhëmbët në buzëqeshjen tuaj? Po, nëse doni të keni një buzëqeshje të këndshme, duhet të kujdeseni për dhëmbët. Pasi t’ju kenë rënë dhëmbët e qumështit, dhëmbët e rinj do t’i keni për gjithë jetën. Prandaj duhet t’u kushtoni kujdes të veçantë. Dhëmbët ju ndihmojnë të flitni qartë dhe me to përtypni ushqimin, por jo vetëm kaq. Ata janë një mbështetje për buzët dhe faqet, e kështu jua bëjnë më të bukur dhe më rrëzëlluese buzëqeshjen. Po, dhëmbët janë vërtet të çmuar.

Si t’i mbroni dhëmbët?

Shëndeti i dhëmbëve fillon nga ushqimi. Një dietë që i përfshin të gjitha ushqimet dhe është e pasur me kalcium, vitamina A, C dhe D, ndihmon në zhvillimin e dhëmbëve që në barkun e nënës e derisa të formohen plotësisht. * Ushqimet me vlera do t’ju ndihmojnë të keni dhëmbë të shëndetshëm, por mos e teproni me sheqernat. Ato ju prishin dhëmbët. Megjithëse paralajmërohet vazhdimisht se sheqeri i prish dhëmbët, amerikano-veriorët konsumojnë mesatarisht 50 deri në 60 kilogramë sheqer çdo vit. Pse jua dëmton sheqeri dhëmbët?

Kalbja e dhëmbëve shkaktohet nga dy lloj bakteresh​—bakteri Streptococcus mutans dhe laktobacilet​—që gjenden në pllakëzat e dhëmbëve. Këto janë shtresa të ngjitshme me baktere e mbeturina ushqimesh që krijohen te dhëmbët. Bakteret e pllakëzave ushqehen me sheqer dhe e kthejnë atë në acide dëmtuese që i gërryejnë dhëmbët. Disa lloje sheqernash kthehen më lehtë në acide ose ngjiten më lehtë pas dhëmbëve, e kështu pllakëzat kanë më tepër kohë të kalbin dhëmbin. * Po të mos hiqen, pllakëzat forcohen e kthehen në gurëza që rrethojnë mishrat e dhëmbëve.

Pastrimi i pllakëzave të dhëmbëve dhe sidomos masat kundër baktereve Streptococcus mutans janë thelbësore që prishja e dhëmbit të mos përparojë. Pra, nëse doni të mbroni buzëqeshjen, është e domosdoshme të kujdeseni çdo ditë për higjienën e gojës. Fakulteti i Kolumbias për Kirurgjinë e Gojës e të Dhëmbëve thotë: «Bashkë me pastrimin me fill dentar, [larja e dhëmbëve] është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për t’i ruajtur të fortë e të shëndetshëm dhëmbët dhe indet përreth.» Në këtë faqe dhe në faqen tjetër tregohen disa metoda të mira për larjen e dhëmbëve dhe pastrimin e tyre me fill dentar. Dentisti mund t’ju këshillojë të përdorni mjete e teknika të tjera që do t’ju ndihmojnë t’i pastroni mirë dhëmbët e të keni një buzëqeshje të këndshme.

Nga acidet e vazhdueshme, dhëmbi humbet kripërat minerale, e si rrjedhojë, smalti zbutet. Megjithatë, pjesët e dëmtuara i rifitojnë sërish kripërat çdo ditë. Si? Është parë se fluoruri ndihmon në parandalimin e prishjes së dhëmbit duke nxitur procesin e marrjes së lëndëve të humbura minerale. Kështu, edhe pse prishja e dhëmbit është një proces që përhapet, ajo mund të frenohet e dëmet e saj të ndreqen, nëse janë të pranishme elemente të tilla, si fluoruri. Po, dhëmbët mund të shërohen vetë.

Ç’ndodh te dentisti?

Gjatë një sondazhi, njerëzit u pyetën se nga cilat gjëra kishin frikë. Vizita te dentisti zuri vendin e dytë, menjëherë pas frikës për të folur para një auditori. A ka kuptim i gjithë ky ankth? Sot, në vendet e pasura, frezat me shpejtësi të madhe, anestezia e jashtme dhe ajo lokale bëjnë që pacienti të ketë fare pak dhembje e të ndihet sa më pak në siklet kur dentisti punon. Kur dini ç’ndodh në fazat e ndryshme ndërsa dentisti ju mjekon, mund t’ju dalë frika.

Kur shkoni te dentisti, mund të bëni një pastrim profesional të dhëmbëve, procedurë që zakonisht e bën një profesionist nën mbikëqyrjen e dentistit. Gjatë këtij procesi, gurëzat dhe pllakëzat hiqen nga vendet që nuk i arrini dot me furçë ose me fill dentar. Pastaj, dhëmbët lustrohen me qëllim që të pengohet grumbullimi i pllakëzave e të hiqet ndonjë njollë që ju prish bukurinë e buzëqeshjes.

Meqë është provuar se fluoruri i mbron dhëmbët nga prishja, shpesh dentistët e përdorin te dhëmbët e fëmijëve në formë xheli, solucioni ose smalti. Në shumë vende edhe uji i çezmës përmban fluorur. Gjithashtu, shpesh, pastat e dhëmbëve përmbajnë fluorur si një mbrojtje kundër prishjes.

Ç’mund të bëjë dentisti?

Dentistët po mësojnë gjithnjë e më shumë të përdorin masat parandaluese për të pakësuar dëmin që vjen nga zbutja e smaltit. Duke i trajtuar dëmtimet kur janë të vogla, shpesh procesi i prishjes mund të prapësohet. Kështu, kur vizitën te dentisti e bëni me synimin për të diktuar dhe kuruar ndonjë dëmtim që në fazat fillestare, ajo nuk ka pse të jetë një përvojë e pakëndshme.

Megjithatë, nëse acidet e krijuara nga pllakëzat, mbeten nëpër dhëmbë, si pasojë ndodh kariesi ose kalbja e dhëmbëve. Po të mos frenohet kalbja, mund të krijohet një zgavër. Tani dhëmbi duhet mjekuar. Kur kalbja nuk ka arritur ende te pulpa, ku kalon nervi i dhëmbit, në përgjithësi dhëmbi riparohet me mbushje.

Zakonisht dentisti përdor një frezë për të pastruar zgavrën e për t’i dhënë formë, që më pas ta mbushë. Pasi pastrohet zgavra, boshllëku i krijuar mbushet me material. Mbushja me amalgamë forcohet shpejt dhe gdhendet për t’i dhënë formë, kurse përbërjet me rrëshirë forcohen duke përdorur një llambë me fibër optike e me dritë blu. Nëse zgavrat nuk mjekohen dhe kalbja arrin deri te pulpa, mund të mjekohet kanali i rrënjës, madje mund të jetë e nevojshme edhe heqja e dhëmbit. Po të mjekohet kanali i rrënjës, nuk ka nevojë të shkulet dhëmbi, pasi ky proces përfshin mbushjen dhe mbylljen hermetike të pjesës së brendshme të dhëmbit të sëmurë. Për të veshur dhëmbët shumë të dëmtuar përdoren këllëfët, kurse për të zëvendësuar dhëmbët përdoren urat ose protezat. *

Përse ia vlen?

Ndoshta ende keni frikë të shkoni te dentisti. Nëse është kështu, flitni me dentistin dhe thuajini çfarë ju shqetëson. Para se t’ju mjekojë, vendosni se çfarë shenje do të bëni nëse do të keni dhembje (si për shembull, të ngrini dorën). Kërkojini t’ju shpjegojë çdo fazë të mjekimit. Edhe fëmijën tuaj mund ta ndihmoni të ketë dhëmbë të shëndetshëm, duke i treguar të mirat që sjell kujdesi për dhëmbët. Por mos e përmendni vizitën te dentisti për ta frikësuar që të mos sillet keq.

Dr. Daniel Kandelmani, profesor në Fakultetin e Shëndetit të Gojës në Monreal, thotë: «Sot është e mundur të arrihet ky synim me vlerë për shëndetin e dhëmbëve: të ruani dhëmbët e shëndoshë natyralë, që të keni gjithë jetën një buzëqeshje të bukur e rrëzëllyese.» Me të vërtetë ia vlen!

[Shënimet]

^ par. 5 Një dhëmb plotësisht i zhvilluar tregon se si është ushqyer nëna kur ishte shtatzënë dhe kur ushqente fëmijën me gji, ndërsa dhëmbi formohej nën sipërfaqen e mishrave të dhëmbëve. Rritja përfundon në adoleshencën e vonë ose në fillim të të njëzetave.

^ par. 6 Specialistë të kësaj fushe, kanë zbuluar se ksilitoli, një lloj sheqeri natyror, lufton bakteret e dëmshme të pllakëzave që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve. Disa çamçakëza përmbajnë ksilitol.

^ par. 16 Për më shumë informacione për dhëmbët e vënë, shih artikullin «A keni nevojë për proteza?» në revistën Zgjohuni! të 22 shkurtit 1993, faqet 18-20, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqen 12]

Larja e dhëmbëve

Ka disa metoda për të larë dhëmbët, por kujdes: përdorni pak pastë dhëmbësh. Pasta e dhëmbëve është një material gërryes e mund të jetë «njëqind herë më e fortë se materiali natyror i dhëmbit».

1 Mbajeni furçën në një mënyrë që qimet të krijojnë një kënd 45 gradë me mishin e dhëmbëve. Me lëvizje të shkurtra, fërkojini butë dhëmbët, duke filluar nga mishi i dhëmbëve drejt sipërfaqes përtypë- se. Pastroji dhëmbët nga brenda dhe nga jashtë.

2 Me lëvizje të shkurtra rrethore të furçës pastroni sipërfaqen përtypëse.

3 Për të pastruar anën e brendshme të dhëmbëve të parë, mbajeni furçën pothuajse vertikal. Lëvizeni furçën, duke filluar nga pjesa ku përfundon mishi i dhëmbëve në drejtim të sipërfaqes përtypëse.

4 Kalojeni furçën në gjuhë e në qiellzë, duke e lëvizur në formë rrethore.

[Burimi]

Hapat 1-4: Me mirësjelljen e www.OralB.com

[Kutia dhe figurat në faqen 13]

Pastrimi i dhëmbëve me fill dentar

Dentistët këshillojnë që dhëmbët t’i pastroni me fill dentar çdo ditë e t’i lani gjithnjë pas ngrënies.

1 Mbështillni pak fill rreth gishtit të mesit të secilës dorë, duke lënë një hapësirë të vogël mes tyre.

2 Me gishtin e madh të njërës dorë dhe me gishtin tregues të dorës tjetër mbajeni fillin të tendosur. Futeni fillin midis dhëmbëve duke e lëvizur para-prapa.

3 Harkojeni fillin në formë C-je rreth dhëmbit dhe lëvizeni lart e poshtë anëve të secilit dhëmb. Me butësi çojeni fillin te mishi i dhëmbëve, por mos e shtyni me forcë dhe mos e lëvizni para-prapa përtej kufirit të mishit të dhëmbëve.

[Burimet]

Burimi: Udhëzime për shëndetin e dhëmbëve në familje, nga Fakulteti i Kolumbias për Kirurgjinë e Gojës e të Dhëmbëve (anglisht)

Hapat 1-3: Me mirësjelljen e www.OralB.com