Kontrastet mahnitëse të deltës evropiane
Kontrastet mahnitëse të deltës evropiane
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Rumani
Lumi Danub buron nga Pylli i Zi i Gjermanisë. Rrjedh bollshëm në lindje të Austrisë dhe përgjatë kufirit me Sllovakinë; zbret me rrëmbim në jug në Hungari dhe pastaj gjatë kufirit mes Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Më pas ngadalësohet dhe zgjerohet pranë kufirit bullgar përpara se të kthehet në veri, përmes Rumanisë. Në fund kapërcen edhe kufirin e Ukrainës.
I ngarkuar me lym e ujë nga rreth 300 degë ushqyese, lumi më në fund formon një deltë të bukur në brigjet e Detit të Zi. Afër qytetit të Tulças, në juglindje të Rumanisë, tri ‘bijat’ e Danubit, Kilija, Sulina dhe Shën-Gjergji, formojnë kanalet kryesore që derdhen në Detin e Zi.
Ndërsa këto tri degëzime rrjedhin ngadalë përmes deltës, copëzohen në shumë kanale të vogla që ushqejnë këneta dhe liqene të panumërta. Lymi i lumit bashkë me rërën e detit formojnë ishuj dhe brigje të mëdha ranore. Disa duna, si ato në brigjet ranore të Karaormanit, janë gati 6 metra të larta dhe ngjajnë si shkretëtirë nga larg.
Megjithatë, delta e Danubit është më shumë se një panoramë me rërë dhe lym që ndryshon gjithnjë. Ajo zë një sipërfaqe rreth 4.300 kilometra katrorë, duke formuar kështu kënetën më të madhe në Evropë. Për më tepër, delta ka shtratin më të madh me kallama që gjendet në botë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 1.700 kilometrash katrorë.
Në disa prej brigjeve ranore të deltës lulëzojnë pyje mbresëlënëse me vidhe, dushqe dhe verra. Një bollëk me bimë të egra kacavarëse,
me urth, shtalbës dhe bimë të tjera, ngjiten pas këtyre pemëve duke luftuar gjithnjë për dritën e diellit. Në njëfarë mënyre, kjo deltë është një filtër organik jashtë mase i madh, që shërben si sistemi më i madh i pastrimit të ujit në Evropë.«Parajsa» për jetën shtazore
Miliona zogj të më shumë se 300 llojeve, jetojnë bashkë në këtë parajsë për shpendët. Këtu ushqehen gati gjysma e numrit të pelikanëve të bardhë që gjenden në të gjithë botën, dhe mbi 60 për qind e karabullakëve xhuxhë. Gjithashtu këtu vijnë të dimërojnë, pothuajse nga çdo vend, patat e vogla branta—një lloj i rrezikuar në të gjithë botën. Në mars, pelikanët ngrejnë foletë e tyre dhe i vënë vezët në ishujt e veçuar të kallamave pluskues. Kur vjen vjeshta, pelikanët largohen dhe drejtohen për në deltën e Nilit, në Greqi dhe në brigjet aziatike, deri në Indi.
Zogjtë kthehen sërish në deltën e Danubit jo vetëm për habitatin ideal, por edhe për peshqit. Mbi 90 lloje peshqish janë me bollëk në kanalet e deltës. Në fakt, gjysma e të gjithë peshqve që jetojnë në ujërat e ëmbla dhe që konsumohen në Rumani, kapen në deltën e Danubit. Midis peshqve më të famshëm të deltës është blini, i cili noton për te Danubi gjatë sezonit të shumimit, që të lëshojë vezët. Vezët e tyre, të njohura edhe si havjar, janë shumë të shijshme, vlerësohen dhe kushtojnë goxha.
Këtu ka pak tokë—vetëm 13 për qind e zonës së deltës, del mbi ujë. Në këtë rajon sigurojnë ushqimin ujqërit, dhelprat, lepujt dhe minjtë me gëzof. Gjithashtu, llojet e rrezikuara të ujërave të ëmbla si lundra dhe një lloj shqarthi evropian—gëzofi i të cilit njëherë e një kohë preferohej shumë nga gratë për peliçe—ia dalin të mbijetojnë pikërisht këtu në deltë. Përveç këtyre, mbi 1.800 lloje të insekteve gumëzhijnë dhe zvarriten duke i rënë kryq e tërthor këtij vendi të bukur përrallor.
Një biosferë që ia vlen të ruhet
Në vitin 1991, delta e Danubit hyri në Listën e Trashëgimisë Botërore. Një vit më pas u vlerësua nga të gjitha vendet si një rezervat i biosferës. Ky rezervat administrohet në mënyrë të kujdesshme nga qyteti i Tulças. Peshkimi kontrollohet zyrtarisht, megjithëse ai ilegal mbetet ende një kërcënim.
Pavarësisht nga kjo, «shëndeti» i deltës është në mëshirë të qyteteve dhe të qendrave industriale që i derdhin mbetjet e tyre në Danub, që bën një udhëtim prej 2.850 kilometrash deri në det. Për shumë vjet, një shumëllojshmëri bimësh që rriten në ujë, filtronin rrjedhën e poshtme të Danubit përpara se ujërat të hynin në deltë. Sot, gati 80 për qind e këtyre bimëve janë zhdukur.
Sot, vetë delta po zgjerohet në Detin e Zi gati 30 metra çdo vit. Dhe ashtu siç ka ndodhur prej mijëra vjetësh, Danubi vazhdon ta zgjerojë, ta ndryshojë dhe t’i japë jetë kësaj panorame me kontraste jo të zakonshme.
[Hartat në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
UKRAINË
MOLDAVI
RUMANI
Bukuresht
Delta e Danubit
DETI I ZI
Lumi Danub
BULLGARI
[Figura në faqen 24]
Shtrati me kallama i deltës, një nga më të mëdhenjtë në botë, siguron strehë për kafshët e të gjitha llojeve
[Figura në faqen 24]
Minj me gëzof
[Figurat në faqen 25]
Gati gjysma e numrit të pelikanëve të bardhë në të gjithë botën jetojnë këtu
[Figura në faqen 26]
Mbi 300 lloje zogjsh, përfshirë këtu edhe bilbilat e ujit, mblidhen në këtë parajsë për shpendët
[Figurat në faqen 26]
Në deltën e Danubit jetojnë mbi 1.800 lloje insektesh
[Burimi i figurës në faqen 24]
Të gjitha fotografitë: Silviu Matei
[Burimi i figurës në faqen 25]
Të gjitha fotografitë: Silviu Matei
[Burimi i figurës në faqen 26]
Të gjitha fotografitë: Silviu Matei