Si të mbash një vend pune?
Si të mbash një vend pune?
«A ke parë një njeri të papërtueshëm [të zotin, BR] në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit.»—Fjalët e urta 22:29.
SIÇ tregon vargu i mësipërm nga Bibla, shpesh punonjësit e zotë vlerësohen shumë. Cilat janë disa aftësi dhe cilësi që vlerësojnë punëdhënësit te punonjësit e tyre? Xhorxhi, drejtor i personelit në një kompani ku punojnë 700 veta, tha për Zgjohuni!: «Ato që vlerësojmë te një punonjës është aftësia për të komunikuar mirë dhe për të bashkëpunuar me të tjerët.» Bibla ka këshilla praktike që mund të të ndihmojnë për të përmirësuar këto aftësi, dhe kështu shtohen gjasat që të mos e humbësh punën. Shqyrto disa shembuj.
Aftësia për të komunikuar
Një shkrimtar i Biblës, Jakovi, tregon se përpjekja për të komunikuar mirë fillon para se të hapim gojën. Jakovi shkroi se njeriu duhet të jetë «i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur». (Jakovi 1:19) Përse ia vlen kjo këshillë? Solomoni shkroi: «Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.» (Fjalët e urta 18:13) E vërtet, po t’i dëgjosh me vëmendje punëdhënësin dhe kolegët mund të parandalosh keqkuptimet e mund të shmangësh gabime të kota.
Kur flet, është e rëndësishme edhe mënyra se si flet. Nëse flet qartë dhe me volum të mjaftueshëm, do të të kuptojnë më lehtë dhe dëgjuesi do të të dëgjojë me më shumë respekt. Brajani, këshillues në fushën e punësimit, i cili u përmend në artikullin e kaluar, thotë: «Do të habiteshit po të dinit se sa veta e humbin
punën ngaqë u mungon aftësia për të komunikuar mirë, jo se nuk janë të aftë nga ana profesionale.»Bashkëpuno me të tjerët
S’ka dyshim se, ngaqë kalon gjithë atë kohë me shokët e punës, arrin t’i njohësh mirë ata. Si pasojë, nganjëherë të vjen të bësh ca thashetheme, duke nxjerrë në pah gabimet dhe të metat e tyre. Por Bibla na këshillon ‘të jetojmë në qetësi dhe të shikojmë punët tona’. (1 Selanikasve 4:11) Duke bërë kështu, nuk do të të hapet nami si njeri «që fut hundët në punët e të tjerëve». (1 Pjetrit 4:15) Për më tepër, nuk do të humbësh kohë dhe nuk do të kesh fërkime të kota me kolegët.
Kur të caktojnë një detyrë, mbaj parasysh këshillën e mençur që dha Jezui: «Nëse dikush që ka autoritet të merr angari për një kilometër, shko me të dy kilometra.» (Mateu 5:41) Jezui po fliste për autoritetet qeveritare, por, sigurisht, parimi zbatohet edhe në vendin e punës. Nëse të njohin si punëtor të palodhur, si një njeri që bën më tepër nga ç’i kërkohet, ka më shumë të ngjarë që ta ruash vendin e punës. Natyrisht, ka një kufi edhe për gjërat që punëdhënësi ka të drejtë të kërkojë. Jezui tha që duhet t’i paguajmë «Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë». (Mateu 22:21) Në parim, këtu Jezui tregoi se ata që kanë ndonjë pozitë me autoritet, nuk duhen lejuar të ndërhyjnë në gjëra më të rëndësishme, siç është adhurimi i Perëndisë.
Ji i ndershëm
Një sondazh i bërë me më shumë se 1.400 kompani, zbuloi se pjesa më e madhe e punëdhënësve «i quajtën ndershmërinë dhe besnikërinë ndaj normave morale, cilësitë që u bënin më tepër përshtypje te kandidatët për punë». Kuptohet, të jesh i ndershëm nënkupton që të mos i vjedhësh pronarit para ose materiale. Por do të thotë edhe që të mos vjedhësh kohë. Një studim i drejtuar nga një agjenci punësimi, zbuloi se koha që vidhej çdo javë ishte mesatarisht 4 orë e 15 minuta për punonjës. Ndër të tjera ata punonjës që vidhnin kohën, e kishin zakon të vinin vonë në punë, të largoheshin para kohe dhe të bënin muhabet gjatë orarit të punës.
Bibla këshillon: «Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur, duke bërë me duart e tij atë që është punë e mirë.» (Efesianëve 4:28) Veç kësaj, Fjala e Perëndisë i nxit të krishterët që të punojnë pa u lodhur, edhe kur përgjegjësi nuk i sheh. Apostulli Pavël shkroi: «Jini të bindur në çdo gjë ndaj atyre që janë zotërinjtë tuaj sipas mishit, jo duke shërbyer sa për sy e faqe, sikurse t’u pëlqenit njerëzve, por me sinqeritet zemre, me frikën e Jehovait.» (Kolosianëve 3:22) Nëse njihesh si njeri punëtor, edhe kur nuk të rrinë mbi kokë, te një punonjës si ti mund të kesh besim.
Ji realist
Bibla profetizoi me saktësi se kohët tona do të ishin kritike dhe të vështira për t’u përballuar. (2 Timoteut 3:1) Trazirat dhe paqëndrueshmëria politike e sociale pa dyshim do të sillnin pasiguri ekonomike. (Mateu 24:3-8) Prandaj, edhe nëse zbaton sugjerimet e mësipërme, mund ta humbësh punën.
Megjithatë, zbatimi i parimeve biblike mund të të ndihmojë të pakësosh ankthin që vjen nga papunësia. Jezui tha: «Tani, nëse Perëndia vesh kështu bimësinë e fushave, e cila sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, o besëpakë? Pra, kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’ Sepse . . . Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.»—Mateu 6:30-32.
Ashtu si miliona të tjerë rreth botës, Erika, e përmendur më parë, ka provuar se sa të vërteta janë fjalët e mësipërme. Ajo shpreh ndjenjat që provon: «Më pëlqen shumë puna që kam. Por nga përvoja e di që gjërat ndryshojnë. Sidoqoftë, duke zbatuar parimet biblike dhe duke besuar te Jehovai, kam mësuar si ta pakësoj ankthin kur jam e papunë dhe si të ndiej më tepër kënaqësi në punën që gjej.»
[Figura në faqen 10]
Nëse nuk e ke mendjen gjatë mbledhjeve mund të humbësh punën