Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Mashtrimet Dua t’ju shpreh mirënjohjen time për serinë «Mbrohuni nga mashtrimet». (22 korrik 2004) Nga shtëpia drejtoj një biznes të vogël, dhe rashë viktimë e një mashtrimi. Provova të njëjtat ndjenja që përshkruheshin në artikull—turp, faj, siklet dhe më vinte inat me veten. Veprova si sugjeronte revista. E pranova që kisha gabuar, iu luta Jehovait dhe fola me një mbikëqyrës kongregacioni që është një miku im. Këta artikuj më ndihmuan ta zgjidhja problemin. Çfarë lehtësimi!
T. G., Shtetet e Bashkuara
Seksi para martesës Artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Ç’të keqe ka seksi para martesës?», më dha zemër. (22 korrik 2004) Kisha të njëjtat mendime si ato të të rinjve të cituar në artikull. Fjalët që më prekën më shumë, ishin ato të Psalmit 84:11, që thonë se Jehovai nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujt ecën në mënyrë të patëmetë.
T. Y., Gjermani
Si adoleshente, gjithmonë jam përpjekur të qëndroj e dëlirë në sytë e Jehovait, por ndonjëherë është vërtet e vështirë. Ky artikull më forcoi vendosmërinë për të bërë kështu, dhe më solli ndër mend se nuk jam e vetmja që po përballem me presionet e botës së Satanait. Është shumë inkurajuese të mendosh se Jehovai kujdeset kaq shumë për ne të rinjtë.
F. B., Botsvanë
Pamja Dua t’ju falënderoj për artikullin «Kur pamja të bëhet fiksim». (22 korrik 2004) Jam 21 vjeçe. Gjithnjë e kam pasur problem që jam trupmadhe. Tani, dua t’i kushtoj më shumë vëmendje bukurisë së brendshme. Ky artikull sikur ishte shkruar enkas për mua!
N. U., Japoni
Mjerisht, sot është përhapur ideja se duhet të kemi një trup të përsosur. Ndonjëherë kjo është një betejë dhe në shumicën e rasteve shkurajohem ngaqë nuk fitoj. Megjithatë, nuk dua të dorëzohem dhe ky artikull është një ndihmë e fuqishme për t’ia dalë mbanë.
D. P., Gjermani
Sindromi pas-poliomielit Faleminderit për përvojën e Xhek Meinsmas në artikullin «Të zë njëherë, të sëmur dy herë». (22 korrik 2004) Kam 23 vjet që vuaj nga poliartriti, por simptomat i kam pasur të ngjashme me ato të përmendura në artikull. Dua ta falënderoj vëllanë Meinsman për informacionin që dha në lidhje me pajisjet ndihmëse, dhe që t’i përdorim sa më pak muskujt e sëmurë.
Y. K., Austri
E kalova poliomielitin kur isha dy vjeç e gjysmë dhe në moshën 25-vjeçare u preka nga sindromi i pas-poliomielitit. Mjekët nuk e njihnin shumë mirë këtë sindromë, dhe e patën të vështirë për ta diagnostikuar. Para se të lexoja këtë artikull, asnjëherë më parë nuk kisha gjetur informacion kaq të hollësishëm për këtë temë.
ZH. E., Francë
Mamaja u prek nga poliomieliti që kur ishte gjashtë vjeçe. Përshkrimi i saktë i sëmundjes që gjendej në artikull, më ndihmoi të kuptoja gjendjen e saj.
T. V., Itali
U sëmura nga poliomieliti që kur isha 18 muajshe, por kjo sindromë nuk më ka prekur kaq shumë sa vëllanë Meinsma. Sidoqoftë, gati më kanë shterur fuqitë si pasojë e dobësimit të muskujve. Artikulli më ndihmoi të kuptoja si t’i ruaj energjitë. Dobia më e madhe që nxora nga ky artikull, ishte fakti që Jehovai na kupton dhe kujdeset për ne.
L. XH., Shtetet e Bashkuara