Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’e ardhme e pret profesionin e mjekut?

Ç’e ardhme e pret profesionin e mjekut?

Ç’e ardhme e pret profesionin e mjekut?

KUR ngrihet pyetja se ç’e ardhme e pret profesionin e mjekut, shpesh mendja të shkon te përparimet në teknologji dhe te çështja nëse këto arritje do t’i çlirojnë mjekët nga punët rutinë, kështu që të kenë mundësi të kalojnë më shumë kohë me pacientët individualisht. Sigurisht e ardhmja e mjekëve lidhet me një çështje më të madhe, me të ardhmen e njerëzimit. Dy libra të Biblës që hedhin dritë mbi këtë të ardhme tregojnë historinë e Jezuit dhe të apostujve të tij. Që të dy këta libra i shkroi një mjek.

Pse është veçanërisht me interes fakti që në këto histori pasqyrohet pikëpamja e një mjeku? Si lidhen ato me të ardhmen e mjekëve dhe të pacientëve? Përse disa mjekë mezi e presin kohën kur profesioni i tyre të mos nevojitet më?

Shumë mjekë janë vëzhgues të kujdesshëm. Luka, i quajtur «mjeku i dashur», shkroi dy nga librat e Biblës dhe përshkroi me hollësi disa nga të sëmurët që shëruan Jezui dhe apostujt. (Kolosianëve 4:14) Kështu Luka na ndihmon t’u përgjigjemi pyetjeve: A ndodhën me të vërtetë këto gjëra? Dhe nëse është kështu, çfarë do të thotë kjo për mjekët dhe për pacientët sot?

Një shqyrtim i dëshmive mjekësore

Luka kishte mundësi të vërtetonte natyrën e mrekullueshme të këtyre shërimeve duke folur me njerëz që i kishin parë me sytë e tyre ato. Veç kësaj, ai udhëtoi në shumë vende me apostullin Pavël. Me sa duket, Luka ishte me Pavlin kur ky shëroi shumë njerëz. Ndërkohë që shqyrtojmë tregimet e mjekut Luka për dy nga këto shërime, vini re se sa hollësira përmendi ai.

Luka jep kohën, datën dhe vendin e ngjarjes në vijim: ishte mesnatë, dita e parë e javës dhe një grup të krishterësh ndodheshin në katin e tretë të një ndërtese në Troadë, provincë romake në Azi. (Veprat 20:4-8) Lexojmë këto hollësi: «Një djalë i ri i quajtur Eutik, që ishte ulur në dritare, ra në një gjumë të thellë teksa Pavli fliste gjerë e gjatë dhe i mundur nga gjumi, ra nga kati i tretë dhe e ngritën të vdekur.» Atëherë, me fuqinë e Perëndisë, Pavli e shëroi djalin dhe e ktheu në jetë. Pasi hëngrën, «e prunë djalin të gjallë dhe u ngushëlluan jashtë mase».​—Veprat 20:9-12.

Luka thotë se ishte me Pavlin edhe në Maltë. Të dy ishin ftuar si mysafirë te Publi, «i pari» i ishullit, dhe aty Pavli bëri një mrekulli tjetër. Kësaj radhe shëroi një burrë. Ai vuante nga një sëmundje që mund t’ia kishte marrë jetën në atë kohë kur ende nuk ishin zbuluar antibiotikët. Luka tregon: «I ati i Publit dergjej duke vuajtur nga ethet dhe dizenteria e Pavli hyri aty ku ishte ai, u lut, vuri duart mbi të dhe e shëroi. Pasi ndodhi kjo, tek ai filluan të vinin e të shëroheshin edhe njerëz të tjerë të ishullit që kishin sëmundje.»​—Veprat 28:7-9.

Çfarë e bindi mjekun?

Luka i shkroi këto tregime në librin e Veprave, ndërkohë që lexuesit kishin ende mundësi t’i vërtetonin vetë faktet duke folur me individët që ishin të përfshirë. Lidhur me atë që është shkruar në librin biblik që mban emrin e tij, Luka shkroi: «I kam rrëmuar të gjitha gjërat qysh prej fillimit me saktësi . . . që ta njohësh plotësisht sigurinë e gjërave.» (Luka 1:3, 4) Ajo që pa ky mjek dhe gjërat që zbuloi nga hulumtimet e bindën se mësimet e Jezuit ishin të vërteta. Shërimet e mrekullueshme ishin pjesë e këtyre mësimeve dhe jepnin një bazë për të besuar në profecinë biblike se sëmundjet do të mposhten përfundimisht me anë të ndërhyrjes së Perëndisë. (Isaia 35:5, 6) Meqë ishte mjek dhe përballej me vuajtjet e njerëzve, Lukës duhet t’i jetë dukur shumë ngushëllues mendimi se do të vinte një kohë kur profesioni i tij nuk do të nevojitej më. A ju duket edhe juve prekëse kjo perspektivë?

Është interesante se pikërisht këtë do të sjellë e ardhmja për ata që duan Perëndinë, pavarësisht se ku jetojnë. Bibla premton se nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, asnjë banor «nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24) Shumë mjekë të ditëve tona kanë arritur në përfundimin se ka një bazë logjike që të besojmë në premtimet e Biblës.

«Më bëri për vete»

«Ashtu si shumica, edhe unë i hyra mjekësisë për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga sëmundjet,​—thotë dr. Xhon Shileri, mjek familjeje në Amerikën e Veriut.​—Shpresa për një botë pa sëmundje më bëri për vete. Kur nisa të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait kisha përfunduar një kurs në fakultet që fliste për historinë e qytetërimit perëndimor. Nga kursi doli se fetë ishin në rrënjë të një morie problemesh dhe më dukej se edhe Biblën po e përdornin me hipokrizi. Prandaj pyeta veten: ‘Çfarë thotë në të vërtetë Bibla?’

Në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait, në fillim më tërhoqën njerëzit miqësorë dhe të këndshëm, që ishin krejt ndryshe nga shumë prej të njohurve të mi. Një Dëshmitar m’u afrua dhe më tha se nëse dëshiroja mund të më vinte në shtëpi për të shqyrtuar Biblën. Ajo që më bëri përshtypje ishte se çfarëdo pyetjeje që i bëja, përgjigjen ma tregonte në Bibël.

Sa më shumë kalon mosha, aq më shumë e çmoj faktin që jam Dëshmitar i Jehovait. Kur fillon të punosh si mjek, shpreson të arrish diçka që ia vlen. Por shpesh shoh njerëz të zhgënjyer që thonë se në të vërtetë nuk arritën ndonjë gjë të madhe në jetë. Mendoj se një nga gjërat më të mrekullueshme kur je Dëshmitar i Jehovait është që kemi një shpresë për të ardhmen dhe një qëllim në jetë. Qoftë nëse jemi mjekë, mekanikë apo pastrues, e dimë se ajo që po bëjmë në shërbimin e Perëndisë ia vlen; po bëjmë diçka për Jehovain. Dhe kjo na jep kënaqësi.»

«Zbatimi i parimeve biblike e përmirësoi familjen tonë»

Dr. Krister Renvali është një mjek nga Finlanda dhe gjithnjë i pëlqen të bisedojë me fëmijët. «Një ditë fola me një vajzë 12-vjeçare që kishte kancer të pashërueshëm,​—thotë ai.​—Ajo më dha një libër që titullohej Paqja dhe siguria e vërtetë: Nga cili burim? * Besimi që shprehte gjatë kohës kur vuante nga sëmundja e pashërueshme më bënë shumë përshtypje, por librin nuk pata kohë ta lexoja. Ç’është e vërteta, në atë kohë isha kaq i zënë me punë në një klinikë në Helsinki, saqë kjo po ndikonte për keq edhe në familje.

Megjithatë, ca kohë më vonë, ime shoqe e mori librin nga rafti dhe filloi ta lexonte. Menjëherë u bind se ajo që po lexonte ishte e vërteta. Një Dëshmitare e Jehovait i bëri një vizitë dhe filloi të studionte Biblën me të. Në fillim gruaja kishte pak frikë të më thoshte. Por kur më tregoi, unë i thashë: ‘Çdo gjë që mund ta ndihmojë familjen tonë është e mirë.’ Fillova të marr pjesë në studim. Zbatimi i parimeve biblike e përmirësoi familjen tonë dhe na dha një botëkuptim të ri për jetën. U gëzova shumë kur mësova rreth shpresës për një botë pa sëmundje; dukej e natyrshme që Perëndia të kishte këtë qëllim për njerëzimin. S’kaloi shumë kur gruaja ime, unë dhe si përfundim e gjithë familja u pagëzuam. Ajo vajzë e vogël që më foli në fillim vdiq, por besimi i saj jeton ende.»

Në botën tonë që po ndryshon me të shpejtë, jeta po bëhet gjithnjë e më stresuese për mjekët. Kjo bën që sakrificat e tyre për të ndihmuar të sëmurët të jenë vërtet për t’u lavdëruar. Por ndryshimet më të mëdha për njerëzimin do t’i shohim së shpejti. Shumë mjekë sot shohin me besim drejt së ardhmes që premtohet në Fjalën e Perëndisë​—një botë pa sëmundje. (Zbulesa 21:1-4) Kjo është një çështje të cilën ia vlen ta shqyrtoni personalisht.

[Shënimi]

^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqet 10, 11]

«KUPTOVA SE JETA KA NJË QËLLIM»

«Kur punoja me nxënës handikapatë, pashë se prindërit që ishin Dëshmitarë të Jehovait dalloheshin nga të tjerët. Në krahasim me të tjerët që ishin në të njëjtat rrethana, ata dukeshin më të zotë për t’ia dalë mbanë me një fëmijë handikapat. Gjithashtu vura re se kishin goxha kulturë po të merrje parasysh punën që bënin. E admiroja besimin e tyre. Besimi im pothuajse ishte shkatërruar fare nga mësuesit e teorisë së evolucionit. Gjithsesi ajo që kisha studiuar në mjekësi më kishte zgjuar kureshtjen për mrekullinë e jetës.

Në të njëjtën kohë kisha filluar të kuptoja se nuk dija t’i rritja fëmijët e mi. Çfarë duhej t’u ndaloja? Për çfarë duhej t’i nxitja? Çfarë qëllimi duhej t’u jepja në jetë? Vetë jeta ime ishte pa një qëllim. Madje iu luta Perëndisë për ndihmë.

Pikërisht në këtë kohë Dëshmitarët e Jehovait më dhanë një revistë ku tregohej si t’i korrigjoje dhe si t’i qortoje fëmijët me dashuri. Parimet biblike që shpjegoheshin në revistë m’u dukën vërtet të dobishme, kështu që kur më ftuan të bëja një studim biblik, pranova. Kur mësova përse Jehovai e krijoi jetën dhe përse vdiq Jezui, kuptova se jeta ka një qëllim. (Gjoni 3:16; Romakëve 5:12, 18, 19) Teoria e evolucionit ma kishte shtrembëruar mënyrën e të menduarit. Sa u lehtësova kur mësova se sëmundjet dhe vdekja nuk ishin pjesë e qëllimit të Perëndisë! Edhe sot vazhdoj të gjej kënaqësi të vërtetë duke u mësuar njerëzve të sinqertë se së shpejti Perëndia do të zhdukë të gjitha sëmundjet.»

[Figurat]

Helena Bauisi ishte mjeke për nxënësit e shkollave në Holandë

[Figurat në faqen 9]

Mjeku dhe një nga shkrimtarët e Biblës, Luka, ishte shok udhëtimi me Pavlin kur apostulli shëroi të atin e Publit dhe ringjalli Eutikun

[Figurat në faqen 10]

Dr. Xhon Shileri, Shtetet e Bashkuara

[Figurat në faqen 10]

Dr. Krister Renvali, Finlandë