Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Biblioteka e Aleksandrisë përsëri në jetë!

Biblioteka e Aleksandrisë përsëri në jetë!

Biblioteka e Aleksandrisë përsëri në jetë!

ISHTE një nga bibliotekat më të famshme të asaj kohe. Ajo e bëri qytetin mikpritës të Aleksandrisë në Egjipt, një qendër të rëndësishme për gjenitë e botës. Kur ajo u zhduk​—se si, askush nuk e di me siguri​—bashkë me të u zhdukën edhe vepra tepër të çmuara, mungesa e të cilave nuk ndikoi për mirë në arritjet akademike. Tani, ajo bibliotekë e madhe është kthyer sërish në jetë.

Rindërtimi i bibliotekës së famshme të Aleksandrisë solli si rezultat një strukturë me një formë të pazakontë. Ndërtesa kryesore e Bibliotekës së Aleksandrisë, siç quhet zyrtarisht biblioteka e re, përngjason me një daulle gjigante të anuar. Çatia prej qelqi dhe prej alumini (1)​—që është gati sa dy fusha futbolli​—është e pajisur me dritare që shikojnë nga veriu, të cilat lejojnë depërtimin e dritës në dhomën kryesore të leximit (2). Kjo strukturë cilindrike përmban ambientet më të rëndësishme publike dhe shtrihet pjesërisht nën nivelin e detit. Nga një lartësi prej shtatë katesh, çatia e ndritshme fillon të zbresë lehtë poshtë duke krijuar kështu një si të ngrënë të thellë. Nga larg, kur mbi sipërfaqen e saj metalike reflekton drita e diellit, ndërtesa duket tamam si dielli që po lind.

Muri i jashtëm i ndërtesës kryesore vjen në formën e një harku të madh dhe është paksa i pjerrët. Ai është prej graniti ngjyrë gri dhe në të janë gdhendur rreshta me shkronja nga alfabetet e lashta dhe të ditëve tona (3). Të vendosura në grup rreshtash njëra sipër tjetrës, shkronjat paraqesin elementët bazë për rritjen e njohurisë.

Dhoma e madhe e leximit shtrihet në shtatë nivele, si brezare, dhe zë pjesën më të madhe të hapësirës së brendshme të cilindrit (4). 8.000.000 volumet e bibliotekës janë vendosur në dhomat e nëndheshme të ndërtesës. Ambientet e tjera të bibliotekës përfshijnë: ekspozitat, auditoret, pajisjet e veçanta për ata me shikim të dobët (5) dhe një planetarium​—një ndërtesë sferike e ndarë nga ndërtesa kryesore që i ngjan një sateliti të ndalur në mes të orbitës (6). Kompjuterët e sofistikuar dhe sistemet për shuarjen e zjarrit, plotësojnë kompleksin e ndërtesave që janë të nivelit më të lartë të njohurisë e teknologjisë të arritur kohët e fundit.

Si u bë e famshme

Në kohët e lashta qyteti i Aleksandrisë ishte i njohur për vepra të tilla të famshme, si Fari i Aleksandrisë dhe varri i Aleksandrit të Madh, të cilat kanë shumë kohë që janë zhdukur. Thuhet se Fari i Aleksandrisë ishte më shumë se 110 metra i lartë dhe konsiderohej një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë. Dinastia greke e Ptolemenjve trashëgoi Egjiptin pas vdekjes së Aleksandrit dhe sundoi në vend deri kur Oktaviani mundi Antonin dhe Kleopatrën në vitin 30 p.e.s. Nën sundimin e Ptolemenjve, Aleksandria ndryshoi rrënjësisht. Në fakt, ajo «u bë në atë kohë qendra tregtare dhe kulturore e gjithë botës», siç pohon Atlasi i botës greke (anglisht). Në kulmin e lulëzimit të saj, Aleksandria arriti përafërsisht një popullsi prej 600.000 banorësh.

Tipari më tërheqës i këtij qyteti ishte biblioteka mbretërore. E ndërtuar në fillim të shekullit të tretë p.e.s. dhe e mbështetur bujarisht nga familja e Ptolemenjve, biblioteka bashkë me Muzan (vendi i shenjtë për muzat) u bënë qendra mësimi dhe shpikjesh në botën helenike.

Mendohet se biblioteka përmbante 700.000 rrotulla papirusi. Për të bërë vetëm një krahasim, në shekullin e 14-të biblioteka e Sorbonës​—e cila krenohej me koleksionin më të madh të kohës së vet​—kishte vetëm 1.700 libra. Sundimtarët egjiptianë ishin kaq të dhënë pas koleksionimit, saqë kishin caktuar ushtarë që të kontrollonin për rrotulla në çdo anije që vinte në qytet. Nëse gjendeshin disa, ata mbanin origjinalin dhe u kthenin mbrapsht kopjet e bëra. Sipas disa burimeve, kur athinasit i dhanë me qira Ptolemeut III kopjet origjinale shumë të çmuara të dramave klasike greke, ai premtoi t’u paguante një paradhënie dhe t’i kopjonte. Në vend të kësaj, mbreti mbajti veprat origjinale, hoqi dorë nga paradhënia, dhe u ktheu kopjet.

Lista e mendimtarëve të mëdhenj që punuan në bibliotekën dhe muzeun e Aleksandrisë duket sikur bën një apel të gjenive të lashtësisë. Studiuesit e Aleksandrisë, kanë meritën për arritjet e mëdha në fushën e gjeometrisë, trigonometrisë dhe astronomisë, si edhe në gjuhësi, literaturë dhe mjekësi. Sipas disa të dhënave, pikërisht këtu 72 studiuesit hebrenj përkthyen Shkrimet Hebreje në greqisht, duke nxjerrë kështu Septuagintën e famshme.

Biblioteka zhduket

Duket pak e çuditshme, por kronistët menduan se nuk ishte e nevojshme të përshkruheshin me hollësi institucionet e Aleksandrisë. Një pohim i Atheneusit, një historian i shekullit të tretë, është një shembull karakteristik i këtij qëndrimi. Ai thotë: «E pse qenka e nevojshme të përmend numrin e librave, ngritjen e bibliotekave, dhe koleksionet në Hollin e Muzave, kur të gjitha këto janë të ngulitura në kujtesën e njerëzve?» Komente të tilla i irritojnë studiuesit e sotëm, të cilët janë të etur për të mësuar sa më shumë për këtë bibliotekë të lashtë që ngjall kureshtje.

Në kohën kur arabët pushtuan Egjiptin në vitin 640 të e.s., ka të ngjarë që biblioteka e Aleksandrisë të mos ekzistonte. Studiuesit ende debatojnë se si dhe kur u zhduk ajo me saktësi. Disa thonë se shumë prej materialeve që ajo përmbante ndoshta humbën kur Jul Cezari i vuri flakën një pjese të qytetit në vitin 47 p.e.s. Cilido të ketë qenë shkaku, shkatërrimi i bibliotekës do të thoshte humbje e një pasurie të madhe dijesh. U zhdukën përgjithmonë qindra vepra të dramaturgëve grekë, bashkë me regjistrimet e 500 viteve të para të historisë së Greqisë, përveç disa veprave të Herodotit, Tacidit dhe të Ksenofonit.

Midis shekullit të tretë dhe të gjashtë të e.s., qyteti i Aleksandrisë shpesh kishte trazira. Paganët, judenjtë, dhe të ashtuquajturit të krishterë luftonin vazhdimisht jo vetëm kundër njëri-tjetrit, por edhe ndërmjet anëtarëve të tyre, për disa pjesë të mistershme të doktrinave. Në shumë nga këto raste vetë kisha inkurajonte plaçkitjen e tempujve paganë. Tekste të vjetra të panumërta u shkatërruan gjatë këtyre trazirave.

Arrin lavdinë e dikurshme

Biblioteka e rindërtuar u hap më tetor 2002 dhe përmban rreth 400.000 libra. Një sistem i përparuar kompjuterik të krijon mundësinë të lidhesh me bibliotekat e tjera. Koleksioni kryesor përqendrohet në qytetërimet mesdhetare të lindjes. Me një hapësirë për 8.000.000 libra, Biblioteka e Aleksandrisë është rindërtuar me qëllim që të përmirësojë nivelin e këtij qyteti të lashtë.

[Kutia në faqen 14]

FIGURAT E SHQUARA TË ALEKSANDRISË SË LASHTË

ARKIMEDI: Matematikan dhe shpikës, shekulli i tretë p.e.s. Ka meritën për shumë zbulime dhe për përpjekjet e para shkencore për të përcaktuar vlerën e pi-së (π).

ARISTARKU I SAMOS: Astronom, shekulli i tretë p.e.s. I pari që hodhi hipotezën se planetet rrotullohen përreth diellit. Përdori trigonometrinë në orvatjen për të llogaritur largësinë e diellit, të hënës, si edhe përmasat e tyre.

KALIMAKISI: Poet dhe kryebibliotekar, shekulli i tretë p.e.s. Përpiloi treguesin e parë të bibliotekës së Aleksandrisë, një përmbledhje e të gjitha veprave të literaturës klasike greke.

KLAUD PTOLEMEU: Astronom, shekulli i dytë i e.s. Shkrimet e tij në lidhje me gjeografinë dhe astronominë pranoheshin si tekste standarde.

ERATOSTENI: Dijetar dhe një nga bibliotekarët e parë të Aleksandrisë, shekulli i tretë p.e.s. Llogariti pothuajse saktësisht, perimetrin e tokës.

EUKLIDI: Matematikan, shekulli i katër p.e.s. Ati i gjeometrisë dhe pionier në studimin e optikës. Vepra e tij Elementët ishte libri standard i gjeometrisë deri në shekullin e 19-të.

GALENI: Mjek, shekulli i dytë i e.s. Pesëmbëdhjetë librat e tij në shkencën e mjekësisë ishin librat standardë për më shumë se 12 shekuj.

[Burimi i figurës në faqen 13]

Me mirësjellje nga Biblioteka e Aleksandrisë: Të gjitha fotografitë, në të dyja faqet, nga Mohamed Nafea