A është zemërbutësia shenjë dobësie?
Pikëpamja e Biblës
A është zemërbutësia shenjë dobësie?
«Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë.»—2 TIMOTEUT 2:24.
SHUMË kohë përpara se të lindim, lëkura jonë fillon të jetë e ndjeshme ndaj të prekurit. Që sapo lindim, kemi nevojë për përkëdheljet e nënës. Prirja për të qeshur, aftësia për t’u zhvilluar emocionalisht e madje dëshira për të komunikuar mirë me të tjerët, lidhen ngushtë me faktin se sa dashuri e përzemërsi na japin prindërit gjatë fëmijërisë.
Mirëpo, Bibla ka parathënë se gjatë ditëve të fundit, njerëzit do të ishin «të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme». Cilësitë që përfshijnë zemërbutësinë, pra dashamirësia dhe dhembshuria, do të mungonin jashtëzakonisht, sepse njerëzit do të ishin «të dashuruar pas vetes» dhe «të egër, pa dashuri për mirësinë».—2 Timoteut 3:1-3.
Shumë veta mendojnë se sot duhet të jesh i ashpër dhe i pandjeshëm. Ata thonë se të jesh zemërbutë ose të shfaqësh butësi, është shenjë dobësie. Por, a është vërtet kështu?
Zemërbutë, por të fuqishëm
Perëndia Jehova është përshkruar si «një luftëtar burrëror». (Eksodi 15:3, BR) Ai është Burimi kryesor i fuqisë. (Psalmi 62:11; Romakëve 1:20) Megjithatë, edhe pse Jehovai ka fuqi të jashtëzakonshme, kjo nuk e pengoi të tregohej «shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm», kur shpërbleu Jobin besnik. (Jakovi 5:11) Në mënyrën se si e trajtoi popullin e Izraelit, Jehovai tregoi se kishte një marrëdhënie shumë të përzemërt me të. Ai i krahason ndjenjat e tij me ato të një nëne që mënd, së cilës i vjen keq «për fëmijën e barkut të saj».—Isaia 49:15.
Ngjashëm Jehovait, edhe Jezui i kishte këto dy cilësi, si fuqinë, ashtu edhe zemërbutësinë. Ai i dënoi me forcë udhëheqësit fetarë hipokritë të ditëve të tij. (Mateu 23:1-33) Gjithashtu, i flaku jashtë tempullit këmbyesit lakmitarë të parave. (Mateu 21:12, 13) Megjithatë, a ishte ai i pandjeshëm, meqë urrente korrupsionin dhe lakminë? Aspak! Jezui njihej si një person zemërbutë me të tjerët. Në fakt, ai e krahasoi veten me klloçkën, e cila «i mbledh nën krahë zogjtë e vet».—Luka 13:34.
Të jemi të pandjeshëm apo zemërbutë?
Të krishterët e vërtetë nxiten të imitojnë Krishtin, duke veshur «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë». (Efesianëve 4:20-24) Neve na është thënë të ‘zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij’, ashtu si një gaforre që ‘zhvesh’ guaskën e saj të vjetër, në mënyrë që të rritet. (Kolosianëve 3:9) Megjithatë, ndryshe nga gaforrja, trupi i së cilës forcohet përsëri pak kohë pasi ka hequr guaskën e vjetër, ne urdhërohemi të vishemi përgjithmonë me «përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, . . . dhe shpirtgjerësisë». (Kolosianëve 3:12) Pra, zemërbutësia është një cilësi që duhet të na karakterizojë.
Nuk është shenjë dobësie nëse vishemi me cilësi të tilla. Përkundrazi, është tregues që po bëhemi ‘të fuqishëm në njeriun që jemi përbrenda, me fuqi nëpërmjet frymës së [Jehovait]’. (Efesianët 3:16) Për shembull, një burrë i quajtur Li thotë: «Jo shumë kohë më parë, isha një person i ashpër dhe i keq. Jo vetëm kaq, por i tmerroja të tjerët edhe me paraqitjen time, pasi kisha bërë pirsing gjithandej nëpër trup. Isha i vendosur të bëja shumë para, e nuk ngurroja të përdorja një të folur të ndyrë dhe të isha i dhunshëm, në mënyrë që të dilte gjithnjë e imja. Nuk kisha pikë dhembshurie.» Megjithatë, Li filloi të studionte Biblën me një shokun e punës dhe kështu mësoi se si mund ta njihte dhe ta donte Perëndinë Jehova. Ai ka zhveshur personalitetin e vjetër dhe ka mësuar të ushtrojë vetëkontroll. Tani e shpreh dashurinë e tij duke e përdorur vullnetarisht kohën që ka për t’i ndihmuar njerëzit të studiojnë Biblën.
Dikur, edhe apostulli Pavël ishte një njeri «i pacipë», që përdorte dhunën për të arritur synimet e tij. (1 Timoteut 1:13; Veprat 9:1, 2) Por, kur filloi të kuptonte dhe të vlerësonte mëshirën dhe dashurinë që shfaqën ndaj tij Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, bëri çmos që t’i imitonte këto cilësi. (1 Korintasve 11:1) Edhe pse Pavli qëndroi i palëkundur për t’i mbajtur parimet e krishtere, mësoi të ishte zemërbutë në mënyrën se si i trajtonte të tjerët. Vërtet, Pavli nuk u kursye për të shfaqur përzemërsi të butë ndaj vëllezërve.—Veprat 20:31, 36-38; Filemonit 12.
Si të gjejmë forcë për të qenë zemërbutë?
Ashtu siç na tregon përvoja e Lisë dhe e apostullit Pavël, të mësosh t’i trajtosh të tjerët me butësi, nuk do të thotë që je njeri me karakter të dobët. Në fakt, është krejt e kundërta. Të jesh zemërbutë kërkon vërtet forcë për të transformuar mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, dhe për të luftuar prirjen e papërsosur që ‘ta kthejmë të keqen me të keqe’.—Romakëve 12:2, 17.
Edhe ne mund të mësojmë të tregohemi zemërdhembshur, duke lexuar rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe duke medituar për dashurinë dhe mëshirën që na kanë dhënë Perëndia Jehova dhe biri i tij, Jezu Krishti. Duke bërë kështu, do të lejojmë që fuqia e Fjalës së Perëndisë t’i zbutë zemrat tona. (2 Kronikave 34:26, 27, BR; Hebrenjve 4:12) Pavarësisht nga familja ku jemi rritur ose nga përvojat e ashpra të jetës që kemi kaluar, mund të mësojmë të tregohemi «zemërbutë me të gjithë».—2 Timoteut 2:24.
[Figura në faqen 18]
Një baba i mirë është zemërbutë me fëmijët e tij