A është bashkëjetesa një themel i mirë për martesën?
A është bashkëjetesa një themel i mirë për martesën?
BASHKËJETESA e dy personave të sekseve të ndryshme pa qenë të martuar, «është bërë një dukuri e zakonshme në vendet e industrializuara anembanë botës», siç thuhet në revistën Journal of Marriage and Family. «Rreth 50 për qind e individëve që bashkëjetojnë, e shohin bashkëjetesën si një mënyrë për të parë se sa përputhen me njëri-tjetrin para se të martohen.» Revista thotë se në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë kjo parapërgatitje «duhet të zhdukë mospërputhjet dhe ta bëjë martesën e ardhshme më të qëndrueshme».
«Mirëpo dëshmitë tregojnë të kundërtën,—vazhdon revista.—Ato çifte që bashkëjetojnë para se të martohen kanë më shumë pakënaqësi në martesë; kalojnë më pak kohë duke bërë gjëra së bashku; kanë më shumë mosmarrëveshje; nuk mbështetin dhe aq njëri-tjetrin; kanë më pak sukses në zgjidhjen e problemeve, [dhe] raportohen më shumë probleme në martesë . . . Për më tepër, duke i krahasuar me çiftet që nuk kanë bashkëjetuar para martesës, ata që bashkëjetojnë rrezikojnë më shumë që martesa e tyre të dështojë [të divorcohen].»
Siç tregon edhe ky studim, ajo çfarë mund të duket e mençur nga këndvështrimi njerëzor mund të jetë në të vërtetë shumë e pamend. Ky fakt thekson vërtetësinë e fjalëve që thuhen te Jeremia 10:23: «Njeriu . . . nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» Sa më e mençur është t’i kushtojmë vëmendje Fjalës së Perëndisë, Biblës, e cila na siguron këshilla të shkëlqyera lidhur me martesën! (2 Timoteut 3:16) Për shembull, lidhur me marrëdhëniet martesore, Bibla thotë: «Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.»—Zanafilla 2:24; Mateu 19:5.
Po t’i kushtojmë vëmendje këtij drejtimi që vjen nga Perëndia, në vend që të ndjekim arsyetimet e çala njerëzore dhe shpesh të paqëndrueshme, do të kemi më shumë mundësi për një martesë vërtet të lumtur dhe të qëndrueshme.—Fjalët e urta 3:5, 6