Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Fëmijët Sapo e mora serinë e artikujve «Fëmijët: Për çfarë kanë nevojë nga prindërit?», e lexova me një frymë. (22 dhjetor 2003) Jam një nënë me pesë fëmijë, ndaj u preka thellë nga ata artikuj. Uroj që të gjitha nënat të kenë mundësi t’i lexojnë!
K. M., Francë
Më duket sikur artikujt që botoni ju, vijnë tamam në kohë. Kur unë dhe im shoq zbuluam se prisnim një fëmijë, ju botuat informacione për gratë shtatzëna. (8 janar 2003) Tani që jemi prindër të lumtur, sepse kemi një djalë tremuajsh, keni botuar sugjerime të mrekullueshme për rritjen e foshnjave. Këta artikuj janë shumë të dobishëm për një nënë të re.
D. K., Poloni
Jetëshkrimi Ju falënderoj për të gjithë artikujt, por në veçanti më pëlqejnë jetëshkrimet. Historia e Ajlina Brëmbout, «Veshja dhe paraqitja u bënë pengesë për mua», më preku shumë. (22 dhjetor 2003) Ç’dëshirë të zjarrtë që kishte për të gjetur fenë e vërtetë!
L. M., Rusi
E lexova me interes të veçantë historinë e Ajlina Brëmbout, se këtu në zonën tonë ka shumë familje amishe dhe menonite. Më parë mendoja se është e kotë t’u flasësh për Biblën, pasi duken tepër të bindur për besimin që kanë. Nga përvoja e Ajlinës kuptova se po t’i kushtojmë vëmendje dhe po të tregojmë interesim për çdo njeri, mund të ndihmojmë të gjithë llojet e njerëzve që të marrin njohurinë e saktë për Perëndinë.
M. H., Shtetet e Bashkuara
Edhe unë jam përpjekur të mposht pikëpamjen se të bësh tualet dhe të vësh bizhuteri është diçka shumë «botërore». Pikërisht dashuria pa hipokrizi ndërmjet Dëshmitarëve të Jehovait, si edhe respekti që kanë për Shkrimet e Shenjta, më ndihmuan të shihja përtej pamjes së jashtme.
A. K., Shtetet e Bashkuara
Kurat bimore U kënaqa kur lexova artikullin: «Kurat bimore: A mund t’ju ndihmojnë?» (22 dhjetor 2003) Jam infermiere profesioniste dhe përdor një sërë kurash natyrore për kyçet. Kam parë se janë shumë të dobishme në rastin tim. Megjithatë ju nuk përmendnit diçka, disa kura bimore mund të çojnë në gjakrrjedhje të tepërt në raste operacionesh. Që disa bimë duhen ndërprerë para ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale, është një gjë që Dëshmitarët e Jehovait duhet ta kenë parasysh.
J. H., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: E çmojmë këtë porosi të rëndësishme. Është thelbësore që para operacionit, pacienti të vërë në dijeni mjekun e tij për të gjitha mjekimet që ka marrë, përfshirë edhe kurat bimore. Kjo është shumë e rëndësishme sidomos për ata që ia vënë veshin këshillës së Biblës që ‘të përmbahen nga gjaku’.—Veprat 15:29.
Oratoria Më pëlqeu vërtet artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Si të bëhem një orator i zoti?» (22 dhjetor 2003) Kam punuar dhjetë vjet në fushën e gazetarisë, por përsëri bëhem ca nervoze kur bëj një prezantim para një grupi me shumë njerëz. Kam marrë stërvitje në shkollë dhe në punë, e prapëseprapë, asgjë nuk krahasohet me udhëzimet e shkëlqyera që kam marrë si studente në Shkollën Teokratike, që mbahet në Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo stërvitje jo vetëm që më ka ndihmuar të përmirësohem në shërbimin nga shtëpia në shtëpi, por edhe më ka ndihmuar t’ia dal mbanë në punën time si gazetare.
L. B., Shtetet e Bashkuara