Ç’të keqe ka seksi para martesës?
Të rinjtë pyesin . . .
Ç’të keqe ka seksi para martesës?
«Ndonjëherë pyes veten nëse seksi para martesës është vërtet kaq i gabuar. Kjo më ndodh sidomos kur vetja më duket jonormal, ngaqë jam ende i virgjër.»—Xhordoni. *
«Ndiej një nxitje të fortë nga brenda për të provuar si është seksi. Mendoj se të gjithë kemi lindur me këtë prirje»,—thotë Keli. Pastaj shton: «Ngado që të shkosh, të gjitha gjërat vërtiten rreth seksit.»
A NDIHESH edhe ti si Xhordoni dhe Keli? Në fund të fundit, zakonet dhe normat morale tradicionale që dikur e dënonin seksin para martesës, sot pothuajse janë zhdukur. (Hebrenjve 13:4) Nga një anketë e zhvilluar në një vend aziatik u pa se shumica e meshkujve 15-24 vjeç mendonin se marrëdhëniet para martese jo vetëm që ishin të pranueshme, por madje prej tyre pritej një gjë e tillë. Nuk është habi që anembanë botës shumë të rinj kanë bërë seks para se të mbushnin 19 vjeç.
Nga ana tjetër ka të rinj që nuk kryejnë marrëdhënie seksuale, por provojnë të ashtuquajturat alternativa të seksit, siç është përkëdhelja e organeve seksuale të njëri-tjetrit (e quajtur ndonjëherë masturbim reciprok). Një artikull në The New York Times zbulon faktin shqetësues se «seksi oral është bërë një praktikë e zakonshme për të filluar aktivitetin seksual. Shumë të rinj e quajnë atë më pak intim dhe më pak të rrezikshëm, sesa marrëdhëniet seksuale . . . [dhe] një mënyrë për të shmangur shtatzëninë e për të ruajtur virgjërinë».
Por si duhet ta konsiderojnë seksin para martesës ata që i binden Perëndisë? Ç’mund të thuhet për të ashtuquajturat alternativa të seksit? A i pranon Perëndia ato? A janë të parrezikshme? Dhe së fundi, a e ruajnë vërtet virgjërinë ato?
Çfarë përfshin kurvëria?
Për këto pyetje mund të na japë përgjigje të besueshme vetëm Krijuesi ynë, Perëndia Jehova. Në Fjalën e tij ai na thotë të ‘ikim nga kurvëria’. (1 Korintasve 6:18) Por ç’do të thotë kjo? Fjala greke e përkthyer «kurvëri» nuk nënkupton vetëm marrëdhëniet seksuale, por përfshin një sërë aktesh të turpshme seksuale. Pra, nëse dy të pamartuar kryejnë seks oral ose përkëdhelin organet riprodhuese të njëri-tjetrit, ata janë fajtorë për kurvëri.
Por, a mund të jenë ata ende të virgjër në sytë e Perëndisë? Në Bibël fjala ‘i virgjër’ përdoret si simbol i pastërtisë morale. (2 Korintasve 11:2-6) Megjithatë përdoret edhe në kuptimin fizik. Në Bibël flitet për një vajzë të re me emrin Rebeka. Aty thuhet se Rebeka ishte «e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur [s’kishte pasur marrëdhënie seksuale me të, BR]». (Zanafilla 24:16) Është interesante që në gjuhën origjinale, në hebraisht, fjala «marrëdhënie» me sa duket nënkuptonte edhe akte të tjera përveç marrëdhënieve seksuale normale burrë-grua. (Zanafilla 19:5) Pra, sipas Biblës, në qoftë se një i ri ose e re kryen ndonjë nga format e kurvërisë, nuk mund të quhet më i virgjër.
Bibla u jep një nxitje të fortë shërbëtorëve të Perëndisë që të ikin jo vetëm nga kurvëria, por edhe nga të gjitha sjelljet e ndyra që mund të çojnë në kurvëri. * (Kolosianëve 3:5) Të tjerët mund të tallen me ty ngaqë mban një qëndrim të tillë. «‘S’e ke idenë se çfarë po humb!’—ishin fjalët që dëgjoja gjatë gjithë shkollës së mesme»,—thotë Keli, një e re e krishterë. Por seksi para martesës s’është veçse ‘kënaqësia e përkohshme e mëkatit’. (Hebrenjve 11:25) Ai mund të sjellë dëme fizike, emocionale dhe frymore që vazhdojnë për një kohë të gjatë.
Rreziqe serioze
Bibla tregon se një herë mbreti Solomon pa një të ri të cilin po e joshnin të bënte seks para martesës. Solomoni e krahasoi atë të ri me «një ka që shkon në thertore». Një ka që do të theret nuk e ka idenë se ç’do të ndodhë me të. Shpesh të rinjtë që kryejnë marrëdhënie para martesës sillen njësoj si ai, pra duket sikur janë pak ose aspak të vetëdijshëm për pasojat serioze të veprimeve të tyre. Solomoni tha se ai i ri po vepronte ‘pa ditur që një lak ishte ngritur kundër jetës së tij’. (Fjalët e urta 7:22, 23) Po, është në lojë vetë jeta jote.
Për shembull, çdo vit miliona të rinj marrin sëmundje seksualisht të transmetueshme. «Kur zbulova se kisha herpes, më vinte të zhdukesha»,—thotë Lidia. Ajo shton me keqardhje: «Është një sëmundje e dhimbshme që nuk të ikën kurrë.» Më shumë se gjysma e të gjithë njerëzve që infektohen me HIV në mbarë botën (6.000 veta në ditë) janë nga mosha 15 deri në 24 vjeç.
Veçanërisht femrat preken nga një sërë problemesh që lidhen me seksin para martese. Ç’është e vërteta, rreziku i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (përfshirë edhe HIV-in) është më i madh për femrat, sesa për meshkujt. Nëse një vajzë shumë e re mbetet shtatzënë, ajo e vë veten dhe fëmijën e palindur para një rreziku tjetër. Pse? Sepse trupi i një vajze shumë të re ka mundësi që të mos jetë zhvilluar deri në atë pikë, sa ta përballojë me sukses lindjen.
Edhe kur një nënë adoleshente shpëton nga pasojat e rënda shëndetësore, ajo duhet të përballojë
përgjegjësitë serioze që sjell të qenët prind. Shumë vajza e provojnë në kurrizin e tyre se të sigurojnë jetesën për veten dhe për foshnjën e sapolindur është shumë më e vështirë nga ç’e kishin menduar.Përveç këtyre që thamë janë edhe pasojat frymore dhe emocionale. Mëkati që bëri Davidi, duke kryer imoralitet, e vuri në rrezik miqësinë e tij me Perëndinë dhe gati sa nuk e rrënoi frymësisht. (Psalmi 51) Ndonëse Davidi e mori prapë veten frymësisht, ai i vuajti për gjithë jetën pasojat e mëkatit të tij.
Sot me të rinjtë mund të ndodhë njësoj. Për shembull, kur ishte vetëm 17 vjeçe, Sheri kreu marrëdhënie me një djalë. Mendonte se ai e dashuronte. Ndonëse kanë kaluar disa vjet, Sheri ende ndihet keq për atë që bëri. Ajo thotë me keqardhje: «Nuk i mora seriozisht fjalët e Biblës dhe kështu vuajta pasojat. Humba miratimin e Jehovait, dhe kjo gjë ishte dërrmuese.» Edhe një e re me emrin Trisha pohon: «Seksi para martesës ishte gabimi më i madh i jetës sime. Do të bëja çdo gjë vetëm të isha prapë e virgjër.» Po, plagët emocionale mund të mbeten për vite të tëra, duke shkaktuar stres dhe dhembje emocionale.
Të mësosh vetëkontrollin
Shanda bën një pyetje të rëndësishme: «Pse Perëndia do t’u jepte të rinjve dëshira seksuale, kur e dinte se ata nuk duhet t’i plotësojnë ato derisa të martohen?» Është e vërtetë që dëshirat seksuale mund të jenë të forta sidomos gjatë ‘lules së rinisë’. (1 Korintasve 7:36) Në fakt, herë pas here adoleshentëve mund t’u lindë dëshira seksuale papritur dhe pa ndonjë arsye të dukshme. Por kjo nuk është diçka e keqe. Është pjesë e zhvillimit normal të sistemit riprodhues. *
Gjithashtu është e vërtetë që Jehovai i krijoi marrëdhëniet seksuale që të ishin të kënaqshme. Kjo ishte në përputhje me qëllimin e tij fillestar që njerëzit të popullonin tokën. (Zanafilla 1:28) Sidoqoftë, Perëndia nuk ka dashur kurrë që ne t’i keqpërdorim aftësitë tona riprodhuese. «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder»,—thotë Bibla. (1 Selanikasve 4:4) Të ndjekësh impulsin e brendshëm sa herë të të lindë ndonjë dëshirë seksuale, në njëfarë kuptimi do të ishte një budallallëk po aq i madh sa edhe të goditje dikë çdo herë që zemërohesh.
Marrëdhëniet seksuale janë dhuratë nga Perëndia, një dhuratë që duhet shijuar në kohën e duhur, kur martohesh. Si ndihet Perëndia kur kërkojmë të provojmë kënaqësitë e seksit pa qenë të martuar? Ta zëmë se ke blerë një dhuratë për një mik. Para se t’ia japësh dhuratën mikut tënd, ai e vjedh. A nuk do të lëndoheshe? Atëherë imagjino se si ndihet Perëndia, kur dikush bën seks pa qenë i martuar, duke e keqpërdorur dhuratën që i ka dhënë Perëndia.
Ç’duhet të bësh me dëshirat e tua seksuale? E thënë thjesht, mëso t’i mbash nën kontroll. Kujtoji vetes se «Jehovai nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujt ecën në mënyrë të patëmetë». (Psalmi 84:11, BR) «Kur nis të mendoj se seksi para martesës nuk është edhe aq i keq,—thotë një i ri me emrin Gordon,—mendoj për pasojat e këqija frymore dhe kuptoj se asnjë mëkat nuk ia vlen sa të humb marrëdhënien me Jehovain.» Të tregosh vetëkontroll mund të mos jetë e lehtë. Por siç na kujton edhe një i ri me emrin Adrian, «ai bën që të ruash një ndërgjegje të pastër dhe një marrëdhënie të mirë me Jehovain, bën që të përqendrohesh pa u penguar në gjërat më të rëndësishme, pa ndier faj ose keqardhje për veprimet e kaluara».—Psalmi 16:11.
Ka shumë arsye të vlefshme që ‘të përmbahesh nga kurvëria’ e çfarëdolloj forme. (1 Selanikasve 4:3) Kuptohet, kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Në një artikull të ardhshëm do të trajtohen disa mënyra praktike me ndihmën e të cilave mund ‘ta ruash veten të dëlirë’.—1 Timoteut 5:22.
[Shënimet]
^ par. 3 Disa nga emrat janë ndryshuar.
^ par. 11 Për një shqyrtim se çfarë është kurvëria, ndyrësia dhe sjellja e shthurur shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Ç’do të thotë ‘të shkosh tepër larg’?» në revistën Zgjohuni! të 22 tetorit 1993, anglisht.
^ par. 20 Shih «Të rinjtë pyesin . . . Pse po ndodh kjo me trupin tim?» në revistën Zgjohuni! të 8 shkurtit 1990, anglisht.
[Diçitura në faqen 13]
Nëse një i ri kryen ndonjë formë të kurvërisë, a mund të jetë i virgjër në sytë e Perëndisë?
[Figura në faqen 13]
Seksi para martesës mund të bëjë që një të ri me frikë Perëndie ta vrasë ndërgjegjja
[Figura në faqen 14]
Ata që bëjnë seks para martesës rrezikojnë të marrin sëmundje seksualisht të transmetueshme