Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Suksese dhe dështime në luftën kundër sëmundjeve

Suksese dhe dështime në luftën kundër sëmundjeve

Suksese dhe dështime në luftën kundër sëmundjeve

NË DATËN 5 gusht 1942, dr. Aleksandër Flemingu kuptoi se njëri nga pacientët e tij, një mik, po vdiste. Burri 52-vjeçar vuante nga meningjiti i shtyllës kurrizore dhe pavarësisht nga përpjekjet e Flemingut, miku i tij kishte rënë në komë.

Pesëmbëdhjetë vjet para se të ndodhte kjo, Flemingu rastësisht kishte zbuluar një lëndë të çuditshme që prodhohej nga një lloj myku me ngjyrë blu në të gjelbër. Flemingu e quajti atë penicilinë. Ai vuri re se ky myk kishte aftësi të vriste bakteret; por nuk mundi ta veçonte penicilinën e pastër dhe kështu e provoi vetëm si antiseptik. Megjithatë, më 1938, Hauard Floreji dhe ekipi i tij i kërkimeve në Universitetin e Oksfordit ishin përpjekur të prodhonin një sasi të mjaftueshme peniciline për ta provuar te njerëzit. Flemingu i telefonoi Florejit, i cili u tregua i gatshëm t’ia dërgonte të gjithë sasinë e penicilinës që kishte gati. Ishte mundësia e fundit e Flemingut për të shpëtuar mikun e tij.

Injeksioni i penicilinës në muskul nuk i bëri efekt mikut të tij, prandaj Flemingu ia injektoi ilaçin drejt e në shtyllën kurrizore. Penicilina i asgjësoi mikrobet; e s’kaloi pak më shumë se një javë dhe pacienti i Flemingut doli nga spitali i shëruar plotësisht. Kishte aguar epoka e antibiotikëve dhe kjo shënoi një pikë kthese në luftën e njerëzimit kundër sëmundjeve.

Epoka e antibiotikëve

Në fillim dukej sikur antibiotikët ishin ilaçe çudibërëse. Infeksione që dikur ishin të pashërueshme e që shkaktoheshin nga bakteret, kërpudhat ose mikroorganizma të tjerë, tani mund të kuroheshin me sukses. Falë ilaçeve të reja ra ndjeshëm numri i vdekjeve nga meningjiti, pneumonia dhe skarlatina. Infeksionet që pacientët merrnin në spital e që më parë ishin vdekjeprurëse tani shëroheshin brenda pak ditësh.

Që nga koha e Flemingut, kërkuesit kanë prodhuar sa e sa antibiotikë të tjerë dhe kërkimet për antibiotikë të rinj vazhdojnë. Gjatë 60 viteve të fundit, antibiotikët janë bërë një armë e pazëvendësueshme në luftën kundër sëmundjeve. Nëse Xhorxh Uashingtoni do të ishte ende gjallë, sigurisht që mjekët do t’ia kuronin infeksionin e bajameve me antibiotik dhe ka shumë mundësi që ta merrte veten pak a shumë për një javë. Pothuajse të gjithëve, antibiotikët na kanë ndihmuar të shërohemi nga ndonjë infeksion. Megjithatë është parë se antibiotikët kanë të këqijat e tyre.

Kura me antibiotikë nuk bën efekt për sëmundje të shkaktuara nga viruset, si për shembull SIDA ose gripi. Për më tepër, ka njerëz që u bëjnë alergji disa antibiotikë. Veç kësaj, antibiotikët me spektër të gjerë, që kanë aftësi të shkatërrojnë shumë lloje mikrobesh, mund të vrasin edhe mikroorganizmat e dobishëm që kemi në trup. Por ndoshta problemi më shqetësues që lidhet me antibiotikët është mbidoza dhe marrja e një doze më të vogël nga ç’duhet.

Pacientët marrin një dozë më të vogël se ç’duhet kur nuk e çojnë deri në fund kurën që u ka dhënë mjeku. Kjo mund të ndodhë ose ngaqë ata ndihen më mirë ose ngaqë kura është e gjatë. Si pasojë antibiotikët mund të mos i vrasin të gjitha bakteret e dëmshme, dhe kjo gjë lejon që bakteret rezistente të mbijetojnë e të shumohen. Kjo ka ndodhur shpesh me të sëmurët nga tuberkulozi.

Si mjekët, ashtu edhe fermerët kanë pjesën e tyre të fajit për përdorimin e tepërt të këtyre ilaçeve të reja. «Shpesh në Shtetet e Bashkuara recetat me antibiotikë janë dhënë edhe pa qenë të nevojshme, kurse në shumë shtete të tjera përdorimi i tyre pa kriter ka qenë edhe më i theksuar,​—thuhet në librin Njeriu dhe mikrobet.​—Sasira tepër të mëdha antibiotikësh u janë hedhur në ushqim bagëtive, jo për të shëruar ndonjë sëmundje, por për të shpejtuar rritjen, dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse mikrobet janë bërë edhe më rezistente.» Në libër paralajmërohet se si pasojë e kësaj «ka mundësi që të vijë një ditë kur të mos kemi më antibiotikë të rinj».

Por me gjithë shqetësimin për rezistencën ndaj antibiotikëve, gjysma e dytë e shekullit të 20-të ishte kohë fitoresh në mjekësi. Dukej sikur kërkuesit në fushën mjekësore ishin në gjendje të zbulonin ilaçe që mund të luftonin pothuajse çdo sëmundje. Madje vaksinat hapën perspektivën për të parandaluar sëmundjet.

Fitore në mjekësi

«Imunizimi është arritja më e madhe historike në shëndetësi»,​—thoshte Raporti Botëror i Shëndetit për vitin 1999. Falë fushatave mbarëbotërore të vaksinimit në masë, kanë shpëtuar miliona njerëz. Një program botëror imunizimi ka zhdukur linë, sëmundjen vdekjeprurëse që mori më shumë jetë njerëzish se të gjitha luftërat e shekullit të 20-të të marra së bashku. Një fushatë e tillë, thuajse ka zhdukur fare edhe poliomielitin. (Shih kutinë «Fitore mbi linë dhe poliomielitin».) Sot shumë fëmijë i vaksinojnë për t’i mbrojtur nga ato sëmundje të përhapura që janë të rrezikshme për jetën.

Me anë të metodave jo kaq rrënjësore është arritur të frenohet edhe përhapja e sëmundjeve të tjera. Rrallë ndodh që infeksione, si kolera, të cilat merren nëpërmjet ujit, të krijojnë probleme në vendet ku ka kushte të mira higjienike dhe ku rezervat e ujit janë të pastra. Në shumë vende ata që kanë nevojë për kujdes shëndetësor tani kanë edhe më shumë mundësi të vizitohen te mjeku ose në spital. Për pasojë shumica e sëmundjeve kapen e kurohen para se të bëhen vdekjeprurëse. Gjithashtu, ushqimi e kushtet më të mira të jetesës si edhe nxjerrja e ligjeve për ambalazhimin, transportimin dhe ruajtjen e duhur të ushqimeve kanë ndihmuar në përmirësimin e shëndetit.

Pasi shkencëtarët zbuluan shkaqet e sëmundjeve infektive, autoritetet në fushën e shëndetësisë ishin në gjendje të merrnin masa konkrete për të ndaluar përhapjen e epidemive. Le të marrim vetëm një shembull. Murtaja bubonike që ra në San-Françisko në vitin 1907 vrau pak njerëz, sepse menjëherë në qytet filloi një fushatë për të shfarosur të gjithë minjtë, nga pleshtat e të cilëve ngjitej sëmundja. Nga ana tjetër, nga viti 1896, brenda 12 vjetësh, në Indi kishin vdekur dhjetë milionë njerëz po nga kjo sëmundje. Kjo erdhi sepse ende nuk ishte kuptuar shkaku i saj kryesor.

Dështime në luftën kundër sëmundjeve

Është e qartë se në këtë luftë janë fituar beteja të rëndësishme. Por disa fitore në shëndetësi janë kufizuar vetëm në vendet e pasura të botës. Sëmundjet e kurueshme ende vrasin me miliona njerëz, vetëm për shkak të mungesës së fondeve. Në vendet në zhvillim, shumë njerëzve ende u mungojnë kushtet e duhura higjienike, kujdesi shëndetësor dhe uji i pijshëm i pastër. Plotësimi i këtyre nevojave bazë është bërë më i vështirë për shkak të lëvizjes masive të njerëzve nga fshati drejt qyteteve të mëdha të vendeve në zhvillim. Si pasojë e këtyre faktorëve, të varfrit e botës vuajnë nga ajo që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan «një ndarje e pabarabartë e barrës së sëmundjeve».

Egoizmi dritëshkurtër është shkaku kryesor i kësaj pabarazie në fushën e shëndetit. «Disa nga sëmundjet ngjitëse më vrastare në botë duken një gjë e largët,​—thotë libri Njeriu dhe mikrobet.​—Disa prej këtyre sëmundjeve hasen vetëm ose kryesisht në rajonet e varfra tropikale dhe subtropikale.» Meqë nuk nxjerrin ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë, vendet e zhvilluara e të pasura dhe firmat farmaceutike ngurrojnë të derdhin fonde për kurimin e këtyre sëmundjeve.

Sjellja e papërgjegjshme e njerëzve është një faktor tjetër për përhapjen e sëmundjeve. Kjo e vërtetë e hidhur ilustrohet më së miri në rastin e virusit të SIDA-s, i cili kalon nga njëri te tjetri nëpërmjet lëngjeve të trupit. Brenda disa vitesh kjo epidemi e rëndë është përhapur me shpejtësi anembanë globit. (Shih kutinë «SIDA​—Murtaja e kohëve tona».) «Njerëzve ua bëri koka,​—pohon epidemiologu Xho Mekormik.​—Dhe këtë nuk e them për të bërë moral, por është thjesht një fakt.»

Në ç’mënyrë njerëzit, si pa e kuptuar, e ndihmuan virusin e SIDA-s? Libri Murtaja që po vjen (anglisht) rendit faktorët e mëposhtëm: ndryshimet shoqërore​—sidomos pasja e marrëdhënieve seksuale me shumë partnerë​—shkaktuan një valë sëmundjesh të transmetuara seksualisht, dhe kështu virusi fitoi terren shumë më shpejt e nga një njeri i vetëm u infektuan shumë të tjerë. Përdorimi i madh në vendet në zhvillim i shiringave të infektuara për të bërë injeksione, si edhe përdorimi i tyre për të marrë drogë pati të njëjtën pasojë. Gjithashtu tregtia botërore miliarda dollarëshe e transfuzionit të gjakut i krijoi mundësi virusit të SIDA-s të kalonte nga një dhurues te shumë marrës.

Siç u përmend edhe më sipër, përdorimi pa kriter ose lënia përgjysmë e kurës me antibiotikë ka ndihmuar në krijimin e mikrobeve rezistente. Ky është një problem serioz dhe gjendja po rëndohet vazhdimisht. Bakteri stafilokok, i cili shpesh shkakton infektimin e plagëve, dikur luftohej lehtë duke përdorur ilaçe që përftohen nga penicilina. Por sot, këta antibiotikë tradicionalë shpesh nuk bëjnë efekt. Prandaj mjekët detyrohen të përdorin antibiotikë të rinj e të kushtueshëm, që spitalet e vendeve në zhvillim zakonisht nuk mund t’i blejnë. Ka raste kur edhe antibiotikët më të fundit nuk janë në gjendje t’i luftojnë disa mikrobe, dhe kështu infeksionet që merren në spital bëhen më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse. Dr. Riçard Krauze, ish-drejtor në Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse në SHBA, e thotë troç se gjendja aktuale është «një epidemi e mikrobeve rezistente».

«A kemi dalë më fitimtarë sot?»

Sot, në agimin e shekullit të 21-të, duket qartë se sëmundjet janë përsëri një kërcënim. Përhapja e vrullshme e SIDA-s, dalja e mikrobeve sëmundjeshkaktuese rezistente ndaj ilaçeve dhe rishfaqja e vrasësve të vjetër, si tuberkulozi dhe malarja, tregojnë se ende nuk e kemi fituar luftën kundër sëmundjeve.

«A kemi dalë më fitimtarë sot sesa një shekull më parë?​—pyeti fituesi i çmimit Nobel, Xhoshua Ledërbërg.​—Në shumë drejtime sot jemi më të humbur,​—tha ai.​—Jemi treguar të pakujdesshëm lidhur me mikrobet dhe tani po korrim ç’ka mbollëm.» A mund të kapërcehen pengesat aktuale nëse mjekësia dhe mbarë shtetet e botës përpiqen me të gjitha forcat? A do të çrrënjosen më në fund sëmundjet ngjitëse kryesore, siç ndodhi me linë? Artikulli i fundit do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

Fitore mbi linë dhe poliomielitin

Në fund të tetorit të vitit 1977, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbuloi rastin e fundit të njohur të lisë të përhapur në rrugën e zakonshme. Ali-Mau Malini, një kuzhinier spitali që jetonte në Somali, nuk u prek rëndë nga sëmundja, prandaj e mori veten brenda pak javësh. Të gjithë njerëzit që ishin në kontakt me të u vaksinuan.

Për dy vjet me radhë mjekët pritën tërë ankth. Atij që do të njoftonte ndonjë «rast të lisë ku sëmundja ishte aktive», do t’i jepej një shpërblim prej 1.000 dollarësh. Askush nuk e mori shpërblimin dhe më 8 maj 1980, OBSH-ja shpalli zyrtarisht se «bota dhe të gjithë popujt e saj janë çliruar nga lia». Vetëm një dhjetëvjeçar para kësaj deklarate lia shkaktonte afro dy milionë vdekje në vit. Për herë të parë në histori ishte zhdukur një nga sëmundjet kryesore ngjitëse. *

U duk sikur e njëjta fitore mund të arrihej edhe me poliomielitin, një sëmundje ligështuese që të zë kur je fëmijë. Më 1955, Xhonas Sollku prodhoi një vaksinë të efektshme kundër poliomielitit dhe kështu në Shtetet e Bashkuara e në vende të tjera filloi një fushatë vaksinimi. Më vonë u prodhua një vaksinë që merrej nga goja. Më 1988, OBSH-ja nisi një program mbarëbotëror për të zhdukur poliomielitin.

«Kur nisëm fushatën për zhdukjen e poliomielitit më 1988, ai paralizonte më shumë se 1.000 fëmijë çdo ditë,​—thotë dr. Gro Harlem Bruntlandi, që atëherë ishte drejtoreshë e përgjithshme e OBSH-së.​—Më 2001, për gjithë vitin, rastet me poliomielit ishin shumë më pak se 1.000.» Sot poliomieliti kufizohet vetëm në më pak se dhjetë vende, por nevojiten më shumë fonde për t’i ndihmuar ato që ta zhdukin përfundimisht këtë sëmundje.

[Shënimi]

^ par. 28 Rasti i lisë është shembulli më i mirë për të treguar se si një sëmundje mund të luftohet nëpërmjet një fushate ndërkombëtare vaksinimi. Me linë ndodhi kështu, sepse ndryshe nga sëmundjet që përhapen me anë të bartësve të bezdisshëm, siç janë minjtë dhe insektet, virusi i lisë mund të mbijetojë vetëm nëse strehohet në trupin e njeriut.

[Figura]

Një djalë etiopas po merr vaksinën e poliomielitit

[Burimi]

© OBSH/P. Virot

[Kutia dhe figura në faqen 10]

SIDA​—Murtaja e kohëve tona

Sot botës i kanoset një kërcënim tjetër: SIDA. Tashmë, rreth 20 vjet pas zbulimit të saj, më shumë se 60 milionë njerëz janë infektuar me këtë sëmundje. Disa autoritete në shëndetësi paralajmërojnë se epidemia e rëndë e SIDA-s është ende «në fazat e hershme». Numri i njerëzve të infektuar po «rritet përtej çdo parashikimi të mundshëm» dhe në zonat më të prekura pasojat janë shkatërrimtare.

«Shumica dërrmuese e njerëzve të infektuar me HIV/SIDA në mbarë botën kanë një moshë kur njeriu është në kulmin e fuqive për të punuar»,​—thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara. Si pasojë, mendohet se disa vende në jug të Afrikës do të kenë humbur 10 deri në 20 për qind të fuqisë punëtore brenda vitit 2005. Gjithashtu raporti thotë: «Sot jetëgjatësia mesatare në vendet afrikane poshtë Saharasë është 47 vjeç. Po të mos ishte SIDA do të kishte qenë 62 vjeç.»

Deri tani përpjekjet për të gjetur një vaksinë kanë dalë të pafrytshme dhe vetëm 4 për qind nga gjashtë milionë veta të infektuar me SIDA në vendet në zhvillim po trajtohen me ilaçe. Sot për sot nuk ka ndonjë kurë për SIDA-n dhe mjekët kanë frikë se shumica e njerëzve që janë bartës të virusit përfundimisht do të sëmuren.

[Figura]

Limfocite T të infektuara me virusin e HIV-it

[Burimi]

Godo-Foto

[Figura në faqen 7]

Një laborant po studion një formë virusi të vështirë për t’u luftuar

[Burimi]

CDC/Anthony Sanchez