Kur foshnja nuk pushon së qari
Kur foshnja nuk pushon së qari
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA
MJEKU konfirmoi pikërisht atë që dyshonte edhe nëna. Rasti i fëmijës së saj ishte një rast tipik i kolikës ose i dhembjeve therëse të barkut. Këtë sindromë e ka «një në çdo katër fëmijë»,—thotë gazeta kanadeze Globe and Mail. Një nga simptomat e kësaj sëmundjeje është qarja për disa orë rresht, dhe kjo përsëritet të paktën tri ditë në javë. Çfarë mund të bëjë një prind i shqetësuar? Pediatrët thonë se në shumë raste si prindërit, ashtu edhe fëmija duhet të presin që dhembjet të ikin vetë. Por, sa duhet të presin?
Kohët e fundit një studim kanadez i nënave që kanë fëmijë me dhembje të forta barku zbuloi që në më shumë se 85 për qind të rasteve dhembjet e barkut qetësoheshin dhe iknin kur fëmija bëhej tre muajsh. Kërkimi që u drejtua nga dr. Tami Kliford, shefe e repartit të epidemiologjisë në Spitalin e Fëmijëve të Institutit të Kërkimeve në Ontarion Lindore, zbuloi gjithashtu se kjo sëmundje e foshnjës nuk ka ndikim të përhershëm në gjendjen mendore të nënës. «Gjashtë muaj pas lindjes këto nëna janë njësoj si mamatë fëmijët e të cilave nuk i kanë këto probleme. Duket sikur ato e fshijnë nga kujtesa këtë përvojë që në momentin që foshnja pushon së qari»,—thotë dr. Kliford.
Në gazetën Globe thuhet se ky kërkim i ri, i botuar nga dr. Kliford dhe nga kolegët e saj, «i pasuron njohuritë shkencore për këtë sëmundje me hollësi të rëndësishme pasi i ndan këta fëmijë në tri grupe të ndryshme: ata te të cilët dhembjet shfaqen dhe ikin brenda tre muajve të parë; ata që kanë dhembje të vazhdueshme që zgjasin për disa muaj pa pushim dhe një grup i vogël tek të cilët dhembjet shfaqen disi vonë, disa muaj pas lindjes». Një studim tjetër po bëhet për të parë zhvillimin e këtyre fëmijëve ndërsa rriten dhe ai që ngjall interes në mënyrë të veçantë është grupi i tretë.
E qara pa pushim besohet se është një faktor që mund të çojë në sindromën që vjen nga tundja fort e fëmijës. Siç raportohet në Globe, «e qara në vetvete nuk i bën keq fëmijës, por tundja fort e tij, sikur edhe për pak, mund t’i shkaktojë dëmtime të përhershme në tru, madje edhe vdekje».
Nga ana tjetër, e qara e fëmijës edhe kur është e vazhdueshme, mund të ketë diçka pozitive. «Kërkimet kanë treguar,—thuhet në gazetën Globe,—se foshnjave që qajnë shumë u kushtohet shumë më tepër vëmendje duke i përkëdhelur, buzëqeshur, folur dhe duke i përqafuar.»