A kanë ndonjë të keqe diskot?
Të rinjtë pyesin . . .
A kanë ndonjë të keqe diskot?
«Shkoja me një qëllim: të bëja qejf sa më shumë.»—Shoni.
«Të jem i sinqertë, atje zbavitesha, zbavitesha jashtë mase. Kërcehej shumë, gjithë natën.»—Ernesti.
VITET e fundit diskot janë bërë vende shumë të frekuentuara. Shumë të rinj që duan të argëtohen shkojnë rregullisht në disko.
Sigurisht, të gjithë dëshirojmë të zbavitemi. Edhe Bibla thotë se ka «një kohë për të qeshur» e madje një «kohë për të hedhur valle». (Predikuesi 3:4) Por, a krijojnë diskot mundësi për një zbavitje të shëndetshme? Apo ia vlen të mendohesh mirë para se të shkosh atje?
«Ahengjet e shfrenuara»
Ndonëse Bibla nuk i dënon grumbullimet shoqërore ku gjërat nuk teprohen, ajo paralajmëron të mos përzihemi në ‘ahengje të shfrenuara’. (Galatasve 5:19-21) Në kohët biblike, shpesh në ahengjet e shfrenuara njerëzit e humbnin kontrollin. Profeti Isaia shkroi: «Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera! Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit.»—Isaia 5:11, 12.
Në këto grumbullime kishte ‘pije dehëse’ dhe muzikë të shfrenuar. Ato fillonin herët dhe vazhdonin deri vonë në mbrëmje. Vëreni edhe qëndrimin e këtyre njerëzve. Ata silleshin sikur Perëndia të mos ekzistonte. Pra, nuk është për t’u habitur që Perëndia i dënonte festa të tilla. Por çfarë mendon Perëndia për gjërat që bëhen në shumë disko sot?
Mendo për këto fakte. Së pari, në disa disko të rinjtë bëjnë një lloj kërcimi të tërbuar që quhet moshing. Një burim thotë se ky kërcim «doli në SHBA në mesin e viteve tetëdhjetë të shekullit të 20-të, në klubet që u hapën pas periudhës
së rrymës pank. Ai erdhi . . . nga ‘kërcimi me përplasje’, gjatë së cilit kërcimtarët përplasen me njëri-tjetrin». Shpesh ky lloj i ri kërcimi përfshin hedhjet lart e poshtë, tundjen e vrullshme të kokës, goditjen kokë më kokë si kafshët, si edhe përplasjet me njëri-tjetrin. Gjymtyrët e thyera dhe prerjet janë gjëra të zakonshme, por përveç tyre kanë ndodhur edhe dëmtime në shtyllën kurrizore dhe në kokë. Madje ka pasur edhe raste vdekjesh. Përveç kësaj, në disa disko, turma ngre sipër dikë dhe i mban duart lart. Pastaj, ky njeri kalon dorë më dorë sikur të ishte duke rrëshqitur mbi dallgë. Shumë nga këta të rinj kanë rënë përtokë dhe si pasojë janë dëmtuar. Jo rrallë vajzat i prekin në mënyrë të turpshme.S’ka dyshim që Perëndia nuk i miraton sjellje të tilla. Në fund të fundit, Fjala e tij i urdhëron të krishterët ‘të hedhin poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojnë me mendje të shëndoshë’.—Titit 2:12.
Muzika dhe droga
Mendoni edhe për muzikën që ka në shumicën e diskove. Në disa prej tyre, dëgjohet vetëm muzika hard rok ose hevi metëll që karakterizohen nga ritmi i fortë dhe fjalët e ndyra. Kurse në shumë disko të tjera, muzika më e kërkuar është rryma rep dhe hip-hop. Edhe në këto këngë mbizotërojnë seksi, dhuna dhe rebelimi. A mund të ndikojë te ty një muzikë e tillë në një ambient që nuk është aspak i shëndetshëm? Dejvid Holinguorthi, këshilltar për diskot, tha: «Muzika ka një ndikim psikologjik të jashtëzakonshëm te njerëzit. Kur ata mblidhen në grupe të mëdha, ajo mund të nxitë sjellje agresive.» Nuk është habi që në disko, në shumë qytete të SHBA-së, ka pasur shpërthime dhune. Shumë njerëz mendojnë se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një lloj muzike që lartëson veprimet e pahijshme dhe sjelljen mizore. *
Vitet e fundit në disko është vërejtur edhe përdorimi i drogës. Një studiuese tha se «lehtësia për të gjetur drogë, llojshmëria, dhe përdorimi i drogave të paligjshme . . i ka bërë diskot vende shumë të frekuentuara». Ka disa droga që njerëzit i quajnë droga të kërcimit. Madje disa njerëz që shkojnë në disko përdorin një kombinim drogash. Ndër drogat që përdoren në këto kombinime është ketamina (që njihet edhe si K-ja speciale), e cila mund të shkaktojë çrregullim të proceseve psikike, përçartje, vështirësi në frymëmarrje dhe dëmtime në sistemin nervor. Metamfetamina mund të sjellë humbjen e kujtesës, agresivitet, sjellje të dhunshme dhe ka të ngjarë edhe dëmtime në zemër e në sistemin nervor. Parapëlqehet sidomos droga e njohur si ekstazë që ka si bazë amfetaminën. Ajo mund të shkaktojë pështjellim, ankth, rrahje të shpejta të zemrës, tension të lartë dhe temperaturë të lartë. Madje disa përdorues të ekstazës kanë vdekur.
Përdorimi i drogës është kundër urdhrit të Biblës për ‘t’u pastruar nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës’. (2 Korintasve 7:1) A do të ishte e mençur të futeshe në një ambient ku përdorimi i drogës është kaq i përhapur?
Shoqëritë e këqija
Sill ndër mend paralajmërimin që citohet shpesh: «Shoqëritë e këqija prishin zakone të 1 Korintasve 15:33) Ashtu si ata njerëz që shkonin nëpër ahengje në kohët biblike, me sa duket, shumica e të rinjve që frekuentojnë diskot nuk merakosen t’i pëlqejnë Perëndisë. Ç’është e vërteta, shumica mund të përshkruhen si «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:4) A dëshiron vërtet të kesh shoqëri të ngushtë me njerëz të tillë?
dobishme.» (Disa mund të arsyetojnë se ka më pak rreziqe po të shkojnë në disko me të rinj të krishterë. Megjithatë, ata të rinj të krishterë që janë vërtet «shembull për të besueshmit . . . në sjellje» ka të ngjarë që nuk u pëlqen fare të shkojnë në disko. (1 Timoteut 4:12) Edhe sikur një grup të rinjsh të krishterë të shkonin në një disko e të rrinin bashkë, prapëseprapë muzika dhe atmosfera do të ishin jo të shëndetshme. Ata mund të gjendeshin në një situatë të sikletshme nëse të tjerët do t’i ftonin për të vallëzuar. Madje disa të rinj janë përfshirë në ndonjë rrahje. Pra, fjalët e Biblës dalin të vërteta: «Kush ecën me të mençurit do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë do t’i shkojë keq.»—Fjalët e urta (Proverbat) 13:20, BR.
Kërcim provokues
Diçka tjetër për t’u shqyrtuar është edhe vetë lloji i kërcimit. Në Shtetet e Bashkuara, sidomos midis adoleshentëve, është përhapur shumë një kërcim tepër i veçantë, frik densing. Në përgjithësi, ky kërcim shoqërohet nga muzika hip-hop me tekste që përshkruajnë deri në imtësi marrëdhëniet seksuale. Për më tepër, vetë kërcimi imiton marrëdhëniet seksuale. Prandaj lëvizjet e tij janë përshkruar si ‘të bësh seks me rroba’.
A do të donte një i ri i krishterë të përfshihej në këtë lloj kërcimi? Jo, nëse dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë i cili na urdhëron ‘të ikim nga kurvëria’. (1 Korintasve 6:18) Disa mund të arsyetojnë: ‘Meqë të gjithë kërcejnë kështu, atëherë s’ka ndonjë gjë të keqe.’ Megjithatë, shumica mund ta ketë gabim. (Eksodi 23:2) Ji i guximshëm për t’u rezistuar bashkëmoshatarëve dhe për të mbajtur një ndërgjegje të pastër para Perëndisë.—1 Pjetrit 4:3, 4.
Të marrësh vendim
Kjo nuk do të thotë se të kërcesh është gjithmonë diçka e gabuar. Bibla na thotë se kur u kthyen në Jerusalem me arkën e shenjtë të besëlidhjes, mbretin David e pushtoi një gëzim kaq i madh, saqë «hidhte valle me gjithë forcat e tija». (2 Samuelit 6:14) Në shëmbëlltyrën e Jezuit për birin plëngprishës, atmosfera e gëzuar kur u kthye djali përfshinte edhe «këngë e valle».—Luka 15:25.
Po kështu, disa lloje kërcimesh mund të jenë të pranueshme për të krishterët në zonën tënde. Por edhe në këto raste ekuilibri dhe gjykimi i shëndoshë janë të rëndësishëm. Është shumë më e sigurtë ta shijosh muzikën dhe kërcimin në grumbullimet e krishtere ku ka kontroll dhe mbikëqyrje të përshtatshme sesa në diskot për adoleshentë. Në këto grumbullime të krishtere të mbikëqyrura mirë, të rinjtë nuk veçohen, por gëzojnë shoqëri të shëndetshme me të krishterë të të gjitha moshave.
Është e vërtetë se në zonën tënde mund të ketë disa restorante ku ka muzikë dhe kërcime të pranueshme. Gjithsesi, para se të pranosh ndonjë ftesë për të shkuar në këto vende, bën mirë ta pyesësh veten: ‘Çfarë nami ka ky vend? A është ai vetëm për të rinjtë? Nëse është kështu, a do të ketë atje një atmosferë të shëndetshme? Çfarë muzike do të ketë? Çfarë lloj kërcimesh ka? A u pëlqen prindërve të mi që të shkoj atje?’ Pyetje si këto mund të të ndihmojnë të ruash veten.
Shoni që përmendëm në fillim e përmbledh bukur të gjithë sa thamë. Para se të bëhej i krishterë, ai e kishte zakon të shkonte në disko. Shoni sjell ndër mend: «Në disko, degjenerimin e ke me shumicë. Zakonisht këngët kanë tekste të ndyra, kërcimi ka lëvizje tepër të turpshme dhe shumica shkojnë me një synim: që kur të dalin nga diskoja të kenë dikë me të cilin të kryejnë marrëdhënie seksuale.» Pasi studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, Shoni hoqi dorë nga diskot. Ai e shpreh me këto fjalë përfundimin që ka nxjerrë nga përvoja e vet e hidhur: «Diskot nuk janë vende për të krishterët.»
[Shënimi]
^ par. 13 Shih artikullin «Përse muzika ndikon mbi ne?» në revistën Zgjohuni!, tetor 1999.
[Figura në faqen 26]
Disa të rinj janë gjendur në situata të sikletshme, në disko