Amate—Papirusi i Meksikës
Amate—Papirusi i Meksikës
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË
POPULLI meksikan ka një histori të pasur e magjepsëse. Ndër thesaret kulturore që janë ruajtur nga e kaluara përfshihen edhe «dëshmitë», pra kodikët ose ndryshe dorëshkrimet me vizatime simbolike. Nëpërmjet këtyre kodikëve sot mund të gërmojmë në shumë fusha të dijes, si në histori, shkencë, fe dhe kronologji, ose edhe në jetën e përditshme të qytetërimeve të zhvilluara në Amerikën Qendrore, ku përfshihen edhe qytetërimet acteke dhe maja. Disa tlakuilos, ose shkrues, me aftësi të jashtëzakonshme e paraqitnin historinë e tyre nëpër materiale të ndryshme.
Disa kodikë u bënë me copa pëlhure, lëkurë dreri ose në letër të bërë nga fibrat e bimës së agavës meksikane, por megjithatë materiali kryesor që përdorej ishte amate. Ky emër vjen nga fjala amatl në gjuhën nahuatl, që do të thotë letër. Ajo nxirrej nga lëvorja e një peme fiku të familjes së manoreve. Sipas Enciclopedia de México, «llojet e shumta të gjinisë Ficus mezi dallohen nga njëra-tjetra, po të mos i bëhet një shqyrtim i hollësishëm trungut të pemës, gjetheve, luleve dhe frytit». Fiku mund të jetë i
bardhë (Ficus involuta), i bardhë i korijeve (Ficus crassiuscula) ose kafe i errët (Ficus cotinifolia).Prodhimi i amates
Pas pushtimit spanjoll në shekullin e 16-të, u bënë përpjekje për të ndërprerë prodhimin e amates. Përse? Sipas pushtuesve, letra amate lidhej ngushtësisht me ritet fetare të periudhës paraspanjolle, rite që kisha katolike i dënonte. Në librin e tij, Historia e Indive të Spanjës së Re dhe e Ishujve të Kontinentit (spanjisht), murgu spanjoll Diego Duran theksonte se vendësit «kishin dokumentuar histori të rëndësishme të paraardhësve të tyre. Këto do të na kishin dhënë shumë informacione, po të mos na i kishin shkatërruar me kaq zell e injorancë. Kjo sepse kishte disa injorantë që, duke menduar se dokumente të tilla ishin idhuj, i dogjën, kur në të vërtetë ato ishin histori që ia vlente t’i ruaje e t’i kujtoje».
Gjithsesi, përpjekjet për të zhdukur traditën e prodhimit të letrës amate nuk patën sukses, kështu që lumturisht ajo ka mbijetuar deri në ditët tona. Në veri të maleve Sierra-Madre, në shtetin Puebla, ende sot e kësaj dite prodhohet kjo letër në vende si San-Pablito, në komunën Pahuatlan. Revista Arkeologjia meksikane (spanjisht), duke cituar të dhëna të dokumentuara nga mjeku i mbretit Filip II, Fransisko Hernandezi, thotë se «mjeshtrat pritnin vetëm degët e trasha të pemëve, duke lënë pa prekur filizat. Pastaj degët i linin të zbuteshin në lumenj ose rrjedha uji aty afër gjatë natës. Ditën tjetër, degëve u hiqnin lëvoren, pastaj lëvorja e jashtme shkëputej nga ajo e brendshme dhe kjo e fundit ruhej». Pasi e pastronin këtë lëvore, fibrat i hapnin në një sipërfaqe të sheshtë dhe i rrihnin me një çekan prej guri.
Sot, për t’i zbutur fibrat dhe, në të njëjtën kohë për të eliminuar prej tyre disa substanca, i ziejnë në kazanë të mëdhenj, ku është shtuar hi dhe gëlqere. Procesi i zierjes mund të zgjatë deri në gjashtë orë. Pastaj fibrat shpëlahen dhe lihen në ujë. Mjeshtrat i vendosin fibrat një nga një në një sipërfaqe të sheshtë druri në formë katrore. Pastaj, me një çekan prej guri, i rrahin fibrat me goditje të rregullta, derisa këto ndërthuren me njëra-tjetrën dhe formojnë një fletë letre. Në fund, anët e fletës përthyhen për t’u përforcuar, pastaj fleta lihet në diell që të thahet.
Fletët amate janë me disa ngjyra. Ajo më tradicionale është ngjyra kafe, por fletët mund të jenë edhe të bardha ose të fildishta, me cirka kafe dhe të bardha, si edhe në ngjyrë të verdhë, të kaltër, rozë dhe të gjelbër.
Përdorimi i sotëm
Me fletë amate bëhen punime artizanale të bukura meksikane. Ndonëse disa piktura të bëra në letër të tillë kanë domethënie fetare, të tjerat paraqesin në mënyrë të thjeshtuar kafshë të ndryshme, si edhe festa e skena që tregojnë natyrën e gëzuar të popullit meksikan. Përveç pikturave të bukura plot ngjyra, me amaten bëhen edhe kartolina, shënues librash dhe punime të tjera artizanale. Këto punime bëjnë për vete edhe vendësit, edhe të huajt, të cilët i blejnë si suvenire. Arti është përhapur përtej kufijve të Meksikës, pasi e kanë eksportuar në pjesë të ndryshme të botës. Janë bërë kopje të kodikëve të lashtë. Sa interesante duhet të ketë qenë për spanjollët, që e shihnin këtë art për herë të parë! Në fakt, Diego Durani, murgu domenikan i përmendur më sipër, komentonte se vendësit «shkruanin dhe vizatonin çdo gjë nëpër libra dhe në copa letrash të gjata, bashkë me llogaritjet e viteve, muajve dhe ditëve kur ndodhnin ngjarjet. Në këto piktura paraqiteshin ligjet dhe rregullat e tyre, listat e regjistrimit të popullsisë e gjëra të tjera, që të gjitha me rregull e hijeshi».
Sa bukur që tradita e prodhimit të amates ka mbijetuar deri në ditët tona e, bashkë me të, edhe bukuria e kulturës tradicionale meksikane! Ashtu si tlakuilosit ose shkruesit e lashtë, edhe artizanët e thjeshtë të ditëve të sotme kënaqen me bukurinë e letrës amate, e cila fare mirë mund të quhet papirusi i Meksikës.
[Figura në faqen 26]
Rrahja e fibrave