Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kafshët​—Një dhuratë nga Perëndia

Kafshët​—Një dhuratë nga Perëndia

Kafshët​—Një dhuratë nga Perëndia

A KENI shkuar ndonjëherë në një kopsht zoologjik ose në cirk? A nuk dëshironit fort të përqafonit ose të përkëdhelnit ndonjë nga kafshët e bukura, ndoshta një luan madhështor ose një tigër të stërmadh siberian? Mbase jeni drithëruar teksa shihnit që një stërvitës kafshësh ose një kujdestar bënte pikërisht kështu. Rreth 2.000 vjet më parë, një shkrimtar i Biblës shkroi: «Çdo lloj bishe, zogu, rrëshqanori dhe krijese deti, ka për t’u zbutur dhe është zbutur nga njeriu.»​—Jakovi 3:7.

Kafshët e të gjitha llojeve i përgjigjen dashurisë dhe kujdesit që u tregohet. Mund të jetë vërtet një kënaqësi t’i shohësh ato kur bashkëpunojnë me njerëzit që i kanë zbutur e që kujdesen për to. Shkrimtari romak Plini, që shkroi pothuajse në të njëjtën periudhë me shkrimtarin e Biblës, Jakovin, foli për zbutjen e elefantëve, luanëve, tigrave, shqiponjave, krokodilëve, gjarpërinjve e madje të peshqve.

Në fakt, zbutja e kafshëve që mbahen për shoqëri e ka fillimin në kohë shumë më të hershme. Shumë kohë para se të shkruanin Jakovi dhe Plini, egjiptianët zbutnin kafshë të egra dhe i mbanin për kënaqësi. Sot, në disa vende, shumë prej kafshëve që shihni në kopshtin zoologjik mund t’i gjeni edhe në shtëpitë e njerëzve.

Lidhje e vjetër me njerëzit

Bibla, dokumentimi më i vjetër i historisë së njerëzimit, tregon se njeriu i parë, Adami, u vuri emra kafshëve. «Sido që njeriu t‘i quante qeniet e gjalla,​—thuhet në Bibël,​—ai do të ishte emri i tyre. Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave.» (Zanafilla 2:19, 20) Siç duket, Adami i vëzhgoi imtësisht kafshët në mënyrë që t’u vinte një emër të përshtatshëm. Por ai nuk kishte nevojë të mbrohej, madje as nga kafshët e egra. Ato ishin paqësore me të. Sa shumë duhet të jetë kënaqur ai në shoqërinë e tyre!

Perëndia i la si detyrë Adamit dhe gruas të tij, Evës, që të kujdeseshin për kafshët. Sipas qëllimit të Perëndisë, siç tregohet në Bibël, njerëzit duhej ‘të ushtronin sundimin e tyre mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe’.​—Zanafilla 1:26.

Lidhje e ngushtë dhe jetëgjatë

Kur njerëzit e ushtrojnë siç duhet sundimin mbi kafshët, rezultati mund të jetë shpërblyes. Një kafshë e dashur mund të bëhet si një mik i shtrenjtë, madje si pjesë e familjes. Kështu ndodhte edhe mijëra vjet më parë, dhe kjo kuptohet nga tregimi i Biblës që flet për ‘qengjin femër’ të një njeriu të varfër. Profeti Natan i tregoi mbretit David për këtë qengj, dhe tha se njeriu i varfër e kishte rritur atë me «ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij».​2 Samuelit 12:1-3.

Shumë njerëz sot arrijnë ta kuptojnë se si një kafshë mund të bëhet një shok i dashur, të bëhet si një pjesëtar i familjes. Le të marrim rastin e një familjeje që jetonte pranë Harares, kryeqytetit të Zimbabves. Prindërit i blenë secilit prej fëmijëve nga një qen që t’u bënte shoqëri. Kur njëri nga djemtë, që në atë kohë ishte rreth tetë vjeç, po shëtiste bashkë me qenin, papritur një gjarpër i madh helmues, i quajtur mamba, zbriti nga pema përballë tij. Mamba e sulmoi djalin, por qeni iu hodh me shpejtësi rrufeje dhe shpëtoi jetën e fëmijës. A mund të përfytyroni se sa i çmuar ishte ai qen për atë familje?

Ata që nuk dëgjojnë i çmojnë pa masë kafshët, sidomos qentë që janë stërvitur për t’i ndihmuar ata. Një grua tregon: «Sapo dëgjon zilen e derës, Tuinki vjen tek unë, më godet lehtë te këmba dhe më drejton për nga dera kryesore. Po kështu, kur Tuinki dëgjon zilen e orës së sobës, ajo vrapon drejt meje dhe unë i shkoj nga pas. Në qoftë se ndien tym ose dëgjon ndonjë sinjal alarmi në rast zjarri, Tuinki është e stërvitur të më tërheqë vëmendjen e pastaj shtrihet për të treguar se ka rrezik.»

Vlen të përmendet sidomos lidhja e çmuar mes të verbërve dhe qenve që janë stërvitur për t’u treguar rrugën atyre. Majkëll Takeri, që merret me stërvitjen e qenve për këtë qëllim dhe që është autor i librit Sytë që udhëheqin (anglisht), mendon se një qen udhërrëfyes mund të hapë para të verbërit një botë të tërë e të panjohur. Ai i jep të verbërit «liri, pavarësi, mundësinë për të lëvizur dhe i bën shoqëri». Vërtet, shpesh është një kënaqësi të shohësh lidhjen që ekziston midis një qeni udhërrëfyes dhe të zotit.

Po kështu ndodh edhe me ata që vuajnë nga ndonjë gjymtim tjetër dhe që mbajnë një qen. Një grua e ngujuar në një karrige me rrota ka një qen që është stërvitur të ngrejë receptorin e telefonit dhe të ngjisë pullat e postës. Një qen tjetër është i aftë t’u bindet 120 urdhërave, madje di të marrë edhe kanaçet dhe kutitë nga raftet e supermarketit. Me anë të një pajisjeje që lëshon rreze lazer, i zoti me një paaftësi fizike i tregon qenit gjërat që dëshiron të blejë dhe pastaj qeni i merr ato dhe ia çon atij.

Kafshët mund t’u sjellin dobi edhe të moshuarve. Një veteriner tha se kafshët që mbahen për shoqëri, përfshirë edhe qentë, «i japin një qëllim dhe domethënie jetës, në një kohë kur të moshuarit shpesh ndihen të veçuar nga shoqëria». Gazeta The Toronto Star tha: «Kafshët që mbahen për shoqëri bëjnë që njerëzve t’u pakësohet stresi, të bëjnë më pak vizita te mjeku e madje falë tyre ulet edhe shkalla e vdekshmërisë pas një infarkti në zemër.»

The New Encyclopædia Britannica bën këtë koment interesant: «Mbajtja e kafshëve të jep mundësi që t’u mësosh fëmijëve lidhjen e ngushtë mes të mirave që kemi dhe përgjegjësive që sjellin ato, si edhe diçka rreth seksit. Fëmijët e vënë re shpejt procesin e çiftimit, që pasohet nga periudha e shtatzënisë dhe një sërë problemesh që lidhen me lindjen dhe me kujdesin për të voglin.»

Përkushtimi ndaj kafshëve

Besnikëria e jashtëzakonshme e kafshëve bën që disa njerëz të duan më shumë ato sesa pjesëtarët e familjes. Në rast divorci, kujdestaria për kafshët ndonjëherë është pjesë e marrëveshjes për ndarjen e pasurisë. Madje njerëzit i kanë përmendur kafshët edhe në testament, ku shprehin dëshirën e tyre të fundit, duke i bërë kështu trashëgimtare të një pasurie përrallore.

Nuk është për t’u habitur që sot kafshët që mbahen për kënaqësi janë një biznes me leverdi. Ka libra dhe revista që japin këshilla për çdo çështje që lidhet me kafshët. Duke kuptuar se disa njerëz janë gati t’u sigurojnë gjëra luksoze tepër të kushtueshme kafshëve që mbajnë për shoqëri, tregtarët nxjerrin në shitje çdo gjë që dëshirojnë pronarët e kafshëve.

Për shembull, i zoti i kafshës ka mundësi të këshillohet me mjekë mjaft të specializuar që trajtojnë të gjitha llojet e sëmundjeve që prekin kafshët. Ka psikiatër për kafshët, të cilët japin ilaçe kundër depresionit të kafshëve. Gjithashtu, ka avokatë posaçërisht për kafshët shtëpiake, ka agjentë sigurimesh, shërbime për pastrimin e rregullimin e kafshëve dhe institucione për stërvitjen e tyre. Për kafshët mbahen funerale. E madje janë bërë oferta për t’i klonuar​—patjetër që të gjitha këto kushtojnë një grusht me para.

Duket qartë se dashuria për kafshët shtëpiake është shumë e përhapur. Në librin e saj Tërheqja pas kafshëve (anglisht), dr. Xhonika Njubi nxjerr si përfundim: «Kur një qen vrapon drejt nesh, duke tundur bishtin e duke na lëpirë sikur kthimi ynë në shtëpi të jetë gjëja më e bukur që i ka ndodhur gjatë gjithë ditës, mund të themi me plot gojën se kjo quhet ‘dashuri’.» Sigurisht kuptohet përse shumë pronarë kafshësh nxiten t’i përgjigjen kësaj «dashurie».

Megjithatë, përpjekjet për ta trajtuar kafshën si njeri mund të kenë edhe një anë të dëmshme. Në fund të fundit, një kafshë që mbahet për shoqëri nuk mund të t’i plotësojë nevojat siç mund të bëjnë njerëzit. Për më tepër, «qytetërimi» i kafshëve, pra përshtatja e tyre me kushtet e qytetit, krijon probleme për disa kafshë dhe për të zotët. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë këto çështje.

[Figura në faqen 3]

Zbutja e kafshëve të egra ka një histori të gjatë

[Burimi]

Pjesë nga Mbreti i Madh i Partës në gjueti me panterat e tij të zbutura, nga Giovanni Stradanno: © Stapleton Collection/CORBIS

[Figura në faqen 4]

Barinjtë izraelitë i trajtonin me shumë dhembshuri qengjat

[Figurat në faqen 5]

Kafshët që mbahen për shoqëri mund të ndihmojnë njerëzit me kufizime dhe të moshuarit