Shërbimet e pyjeve: Sa të çmuara janë?
Shërbimet e pyjeve: Sa të çmuara janë?
EDHE pse pyjet mbulojnë gati një të tretën e sipërfaqes së thatë të tokës, kjo shifër vazhdon të ulet. Revista Choices—The Human Development Magazine, botuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, thoshte më 1998 se vetëm në vendet në zhvillim «gati 4 milionë hektarë tokë, pra një zonë me madhësi sa Zvicra, shpyllëzohen çdo vit».
Përse shpyllëzimi është një paradoks?
Disa specialistë thonë se shpyllëzimi që po vazhdon pa pushim është një paradoks. Themi kështu pasi djegia dhe prerja e pyjeve vazhdon për arsye ekonomike. Por, siç thotë një raport, pyjet «kanë një vlerë shumë më të madhe kur nuk preken, sesa kur priten ose kur digjen». Përse?
Dr. Filip M. Fërnsajdi dhe dr. Flavju J. Luizau, studiues në Institutin Kombëtar të Kërkimeve në Amazonë, në Manaus, Brazil, thanë për Zgjohuni! se një pyll shiu i paprerë kryen «shërbime për botën». Në këto shërbime përfshihen thithja dhe grumbullimi i dyoksidit të karbonit (gaz që shkakton efektin serrë), parandalimi i rrëshqitjes së dheut e i përmbytjeve, riciklimi i lëndëve ushqyese. Pyjet shërbejnë edhe si rregullatorë të reshjeve, si shtëpi për kafshët që rrezikojnë të zhduken dhe si strehë për llojet e egra të bimëve me vlerë ekonomike. Gjithashtu pyjet u dhurojnë njerëzve peizazhe të mrekullueshme dhe vende çlodhëse. Sipas studiuesve, të gjitha këto shërbime ekologjike kanë vlerë ekonomike.
Për shembull le të shqyrtojmë aftësinë e pyllit për të grumbulluar karbonin. Kur pritet një pyll, karboni që çlirojnë pemët e rrëzuara kthehet në atmosferë në formën e dyoksidit të karbonit, dhe kjo ndikon në ngrohjen globale. Prandaj, vlera ekonomike e këtij «shërbimi për botën»—pra grumbullimi i karbonit—të cilin e kryen pylli, mund të llogaritet duke përcaktuar koston e punës për pakësimin e sasisë së karbonit që lëshojnë mjetet e bëra nga njeriu.
Sipas Mark J. Dourozheanit, këshilltar për fushën e mjedisit në zyrën braziliane të Bankës për
Zhvillimin Ndëramerikan, llogaritje të tilla tregojnë se «vlera e pyjeve si rezervuarë [vende depozitimi] të karbonit është shumë më e madhe, sesa të ardhurat që sigurohen prej tyre nga lënda drusore ose kur kthehen në toka bujqësore». Megjithatë gjithnjë e më tepër pyje po rrafshohen. Pse?Një stimul për t’i ruajtur
Mendoni për këtë krahasim: disa njerëz kanë si pronë një central elektrik. Ky stacion furnizon me energji qytetet përreth, por për këtë shërbim konsumatorët nuk paguajnë asnjë qindarkë. Pas njëfarë kohe, pronarët thonë: ‘Ta mbyllim centralin, t’i heqim të gjitha pajisjet dhe të shesim mallin. Kjo do të na leverdisë më shumë, sesa të mbajmë një central ku nuk nxjerrim asnjë fitim.’ Me sa duket kështu mendojnë edhe disa zyrtarë në vendet me shumë pyje. Sipas këtij arsyetimi, meqë për shërbimet e dobishme që kryen pylli konsumatorët në botë nuk paguajnë asgjë, atyre u duket më me leverdi t’i presin pyjet (si të thuash, t’i heqin të gjitha pajisjet e centralit) dhe pemët t’i shesin (të shesin mallin) për një fitim të shpejtë e të majmë.
Sipas Dourozheanit, e vetmja mënyrë për ta sprapsur këtë prirje është duke bërë që mbrojtja e pyllit të duket diçka me leverdi nga ana ekonomike. Profesor dr. Zhuze Goldembergu, fizikan brazilian në fushën e fizikës bërthamore dhe ish-rektor i Universitetit të San-Paulos, ka propozuar që përdoruesve të atyre lëndëve djegëse, të cilat shpesh quhen lëndë djegëse fosile, t’u vihet një «taksë mbarëbotërore karboni».
Sipas përkrahësve të kësaj ideje, vlera e taksës do të varej nga sasia e lëndës djegëse që do të harxhohej në një vend ose shtet, si edhe nga sasia e gazeve të efektit serrë që do të çlirohej aty. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, ku jeton rreth 5 për qind e popullsisë së botës, çlirohet gati 24 për qind e sasisë botërore të gazeve që shkaktojnë efektin serrë. Disa specialistë gjykojnë se paratë e mbledhura nga taksat në një vend të tillë do të përdoreshin pastaj për të shpërblyer ato vende, të cilat për t’i ruajtur pyjet, kanë hequr dorë nga fitimi i shpejtë që vjen nga prerja e tyre. Pra, sipas këtij sugjerimi, konsumatorët do të paguanin ‘faturën e energjisë elektrike’ dhe të ashtuquajturit pronarë do të kishin një stimul ekonomik për ta ruajtur ‘centralin elektrik’.
Por, kush do t’i caktonte çmimet e shërbimeve që i bëjnë pyjet mjedisit? Dhe kush do t’i mblidhte e do t’i shpërndante pagesat?
Nevojiten ndryshime në qëndrim
«Këto çështje,—thotë Dourozheani,—mund të trajtohen në një konferencë mbarëbotërore për pyjet.» Kjo konferencë mund të vendosë çmimet për shërbimet që i bëjnë pyjet mjedisit. Pastaj, «për të drejtuar këto përpjekje ndërkombëtare, mund të formohet një organizatë botërore për pyjet».
Ndonëse mund të duket logjike që për trajtimin e një problemi ndërkombëtar të përdoret një institucion ndërkombëtar, Dourozheani pranoi: «Shtimi i madh i institucioneve dhe i komisioneve të ngritura për zgjidhjen e problemeve të pyjeve nuk ka dhënë rezultat.» Ai shton se çka nevojitet vërtet, janë «ndryshimet rrënjësore në qëndrimin ndaj çështjeve shoqërore dhe ekonomike». Vërtet, për të mbrojtur pyjet nuk mjafton thjesht ndryshimi i ligjit—duhet ndryshuar zemra.
A do të zgjidhen ndonjëherë këto probleme? Krijuesi i tokës, Perëndia Jehova premton se ato do të zgjidhen. Bibla thotë se ai ka formuar një qeveri që do të sundojë së shpejti në mbarë botën dhe do të zgjidhë problemet e tokës. Kjo qeveri «nuk do të shkatërrohet kurrë». (Danieli 2:44) Për më tepër, ajo do t’i drejtojë banorët tokës që t’i përdorin siç duhet ekosistemet e planetit, ndërkohë që vazhdojnë të mësojnë për Krijuesin e tyre, për atë që Bibla e identifikon me emrin Jehova. (Isaia 54:13) Të gjithë njerëzit që do të jetojnë në atë kohë do të jenë plotësisht të vetëdijshëm për vlerën e tokës, duke përfshirë edhe vlerën e pyjeve.
[Burimet e figurave në faqen 26]
Ricardo Beliel/SocialPhotos
© Michael Harvey/Panos Pictures