Sa serioz është ky kërcënim?
Sa serioz është ky kërcënim?
NË TETOR të vitit 1997, Holli Mulini, një foshnjë trijavëshe, mori një infeksion në vesh. Meqë pas disa ditësh infeksioni nuk i kishte kaluar ende, mjeku i dha një antibiotik të kohëve të fundit. Me këtë duhej të ishte shëruar lehtë, por nuk ndodhi kështu. Infeksioni iu rikthye dhe pas çdo kure me antibiotikë ndodhte e njëjta gjë.
Gjatë vitit të parë të jetës, Holli bëri 17 kura me antibiotikë të ndryshëm. Pastaj, kur ishte 21-muajshe, kaloi infeksionin më të rëndë. Pas një kure brendavenoze 14-ditore me një antibiotik që kishte mbetur si mjeti i fundit, më në fund infeksioni u shërua.
Raste të tilla po ndodhin gjithnjë e më shpesh, e jo vetëm te foshnjat dhe te të moshuarit. Njerëz të të gjitha moshave po sëmuren, e madje po vdesin nga infeksione që dikur kuroheshin lehtë me antibiotikë. Ç’është e vërteta, mikrobet që mbijetojnë nga sulmi i antibiotikëve kanë qenë një problem serioz në disa spitale që nga vitet 50 të shekullit të 20-të. Pastaj, gjatë viteve 60 dhe 70, mikrobet rezistente ndaj antibiotikëve u përhapën nëpër zonat e banuara.
Me kalimin e kohës, kërkuesit në fushën e mjekësisë filluan të thoshin se përdorimi i tepërt i antibiotikëve te njerëzit dhe te kafshët ishte shkaku kryesor i shtimit të mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve. Më 1978, një nga këta kërkues tha se përdorimi i tepërt i antibiotikëve kishte dalë «plotësisht jashtë kontrollit». Prandaj, aty nga vitet 90, anembanë botës dilnin kryeartikuj të tillë, si: «Erdhën supermikrobet», «Supermikrobet kanë zënë vend», «Ilaçet e rrezikshme: Përdorimi i tepërt i antibiotikëve po krijon supermikrobe».
A ishin këta artikuj vetëm për të bërë bujë? Sipas organizatave mjekësore me emër, jo. Në një raport rreth sëmundjeve ngjitëse në vitin 2000, drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha: «Në agimin e mijëvjeçarit të ri, njerëzimi po përballet me një krizë tjetër. Sëmundje dikur të shërueshme . . . sot kanë veshur parzmoren e rezistencës ndaj antimikrobikëve që sa vjen e bëhet më e padepërtueshme.»
Sa e rëndë është kjo krizë? Sipas OBSH-së «ky zhvillim shqetësues [i mikrobeve rezistente ndaj ilaçeve] po i mbyll rrugën kurimit të sëmundjeve ngjitëse». Madje sot shumë autoritete flasin për një rikthim të njerëzimit në «epokën e paraantibiotikëve», kur nuk kishte asnjë antibiotik për të luftuar infeksionet.
Si kanë mundur mikroorganizmat rezistentë që të kolonizojnë botën, duke mposhtur me mjeshtëri edhe arritjet më të larta shkencore? Ç’mund të bëjë secili nga ne për të mbrojtur veten ose të tjerët? Dhe cilat zgjidhje shpresohet të arrihen për të luftuar mikrobet rezistente ndaj antibiotikëve? Artikujt vijues do të japin disa përgjigje.