Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vallëzim me krillat

Vallëzim me krillat

Vallëzim me krillat

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

NË PUSAN, një qytet i Koresë së Jugut, mund të shohësh një valle popullore shumë mbresëlënëse. Burra të veshur me mantele të bardha e me kapela të gjata të zeza valëvitin krahët, rrotullohen e përkulen dhe qëndrojnë madje me një këmbë.

Lëvizjet e tyre disi të çuditshme dhe të improvizuara kanë një shpjegim shumë të thjeshtë. Ata burra po imitojnë krillat me kurorë të kuqe, të cilat për shekuj me radhë kanë dimëruar në Korenë e Jugut. Vallëzimi i veçantë i këtyre krillave u linte kaq shumë mbresa banorëve të atjeshëm, saqë krijuan edhe ata një valle të bazuar në lëvizjet që bënin këta zogj.

Rreth 1.500 kilometra larg, në Hokaido të Japonisë, të pasionuarit pas natyrës dynden në Parkun Kombëtar «Kushiro Shitsugen» për të parë këta zogj. Falë një programi të të ushqyerit artificial gjatë muajve të ashpër të dimrit, aty ka një koloni japoneze me disa qindra krilla me kurorë të kuqe. Është një bukuri e rrallë të shohësh një grup të këtyre zogjve elegantë bardhë e zi, që vallëzojnë me gjallëri në dëborë. Xhenifer Akermani, shkrimtare për National Geographic, përdor fjalën japoneze aware për të përshkruar magjepsjen që provoi. Ajo shpjegon se kjo fjalë shpreh «ndjenjat që lindin nga bukuria prekëse e diçkaje jetëshkurtër».

Krillat, të cilat gjenden në çdo kontinent, përveç Amerikës së Jugut dhe Antarktidës, i kanë magjepsur njerëzit nga shumë kohë. Këta zogj gjenden nëpër vizatime në shpellat e Afrikës, të Australisë dhe të Evropës. Në Lindjen e Largët, ku krillat janë simbol i jetëgjatësisë dhe i lumturisë, janë një temë shumë e pëlqyer nga artistët. Ndoshta meqë krillat mund të rrinë bashkë si çift gjithë jetën, ato paraqesin edhe lumturinë martesore, prandaj shihen shpesh në kimonot që veshin nuset. Koreanët e kanë klasifikuar krillën me kurorë të kuqe si një «monument të natyrës», për shkak të veçantisë dhe të bukurisë së saj. Japonezët kanë vënë krilla që vallëzojnë në kartëmonedhat e tyre prej 1.000 jenësh. Gjithashtu, që para 2.500 vjetësh, kinezët shpikën «vallen e krillave të bardha». Mbase është kjo dëshirë e veçantë për të vallëzuar që shpjegon pse krillat pëlqehen kaq shumë nga njerëzit.

Vallëzimi i krillave

Që të 15-a llojet e krillave vallëzojnë, e madje edhe zogjtë më të vegjël se dyditësh e bëjnë një provë. «Ka edhe grupe të tjera zogjsh që vallëzojnë,—shpjegon Handbook of the Birds of the World,—por për syrin njerëzor asnjë nuk vallëzon kaq shumë e as . . . kaq bukur sa krillat.» Vallëzimi i krillave është mjaft i larmishëm dhe gjithnjë mbresëlënës, po të kemi parasysh përmasat e mëdha të zogjve, pozat e tyre elegante dhe kërcimet e mëdha në ajër me krahë të hapura. Zakonisht vallëzimi përfshin «seri të gjata e të ndërlikuara përkuljesh, kërcimesh, vrapimesh dhe fluturimesh të shkurtra, të gjitha këto të bashkërenduara»,—shton Handbook of the Birds of the World. E po ashtu si njerëzit, pasi fillojnë të vallëzojnë disa krilla, në përgjithësi i gjithë grupi futet në vallëzim. Në Afrikë disa kanë parë deri në 60 çifte krillash me kurorë gri, që vallëzonin së bashku në mënyrë të bashkërenduar.

Pse vallëzojnë krillat? A e bëjnë këtë për ushtrim, për të komunikuar, për t’u çiftuar, për të dhënë alarmin apo thjesht për të treguar se janë të lumtura? Arsyeja mund të jetë njëra ose të gjitha së bashku. Sigurisht, krillave u pëlqen të vallëzojnë në çifte, dhe vallëzimi është pjesë e ritit të tyre të çiftimit. Por edhe krillat që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë vallëzojnë, e në përgjithësi të vegjlit janë valltarët më entuziastë. «Cilido qoftë motivi, ky vallëzim është një kënaqësi për sytë»,—përfundon Handbook of the Birds of the World.

Fluturimi i krillave

Krillave shpesh ua dëgjon zërin shumë kohë para se t’i shohësh të shfaqen. Praninë e tyre e njofton një thirrje depërtuese si e trumbetës, edhe pse ato vetë mund të jenë kilometra larg. Me sa duket, kjo thirrje shërben për ta mbajtur të bashkuar tufën gjatë fluturimeve të gjata të shtegtimit. Shumica e llojeve të krillave shtegtojnë duke u larguar nga vendi i çiftimit, që është në veri. Në vjeshtë ato përshkojnë largësi të mëdha që nga Kanadaja, Skandinavia ose Siberia për në Kinë, Indi, Shtetet e Bashkuara (Teksas) ose në rajonin e Mesdheut, ku klima është më e ngrohtë. Këto udhëtime janë të rrezikshme dhe sfilitëse. Disa krilla euro-aziatike janë vërejtur tek fluturonin në një lartësi rreth 10.000 metra, ndërsa kalonin Himalajat, rrugës për në Indi. Ato fluturojnë në formacion tipik në formë V-je dhe shfrytëzojnë rrymat me ajër të ngrohtë, me qëllim që të qëndrojnë në ajër pa rrahur krahët sa më shumë të jetë e mundur. Megjithatë, kur kapërcejnë rajone me ujë duhet të mbështeten vetëm te forca e krahëve. *

Ornitologu spanjoll Huan-Karlos Alonso ka kaluar afro 20 vjet duke studiuar shtegtimin e 70.000 krillave euro-aziatike që dimërojnë në Spanjë. «Disa zogjve u vihen unaza, kurse të tjerëve u vihen radiotransmetues të vegjël. Kjo bëhet me qëllim që të regjistrojmë fluturimin e shtegtimit,—shpjegon ai.—Ndiej një entuziazëm të vërtetë kur gjej në zonën e dimërimit në Spanjë një zog të cilit me duart e mia i kisha vënë unazën kur ishte i sapolindur në Gjermaninë Veriore. Rrugët e shtegtimit të krillave janë përdorur për shekuj të tërë. Një krillë, së cilës i ishte vënë unaza në Finlandë, u gjet larg në jug, në Etiopi, ndërsa dimëronte atje, kurse disa krilla nga Siberia dimërojnë në Meksikë.»

Lufta për mbijetesë, me ndihmën e njerëzve

Aktualisht nga 15 llojet e krillave, 9 rrezikojnë të zhduken. Lloji më i rrezikuar, krilla këlthitëse e Amerikës së Veriut, në vitin 1938 numëronte vetëm 14 zogj. Por, falë një programi të çiftimit në robëri, si edhe mbrojtjes së habitateve kryesore, numri i tyre dalëngadalë është rritur deri në më shumë se 300. Tani natyralistët i rritin zogjtë e vegjël në robëri, dhe pastaj i lëshojnë në gjendje të lirë, në zona të mbrojtura. Kohët e fundit, janë përdorur me sukses avionë shumë të lehtë për t’u mësuar disa krillave të vogla se si të shtegtojnë. Shkencëtarët rusë po bëjnë përpjekje të ngjashme për të mbrojtur krillën siberiane, edhe kjo e rrezikuar.

Një nga historitë më prekëse të suksesit në këtë fushë vjen nga Japonia. Një koloni e vogël krillash me kurorë të kuqe në Hokaido nuk shtegtonin, sepse arrinin të ushqeheshin gjatë dimrit përgjatë përrenjve që gjendeshin afër burimeve me ujëra termale. Mirëpo, në dimrin e ashpër të vitit 1952, edhe këta përrenj ngrinë, kështu që u duk se tufa e vogël me 30 zogj do të zhdukej me siguri. Por, fëmijët e shkollave në atë vend shpërndanë misër nëpër përrenjtë e ngrirë, dhe kështu zogjtë mbijetuan. Që atëherë, krillave u hidhet ushqim rregullisht dhe tufa e vogël është rritur deri në 900 zogj, rreth një e treta e gjithë popullsisë së këtyre krillave në mbarë botën.

Një e ardhme e pasigurt

Ashtu si shumë lloje të tjera, krillat kanë vuajtur si pasojë e tharjes së moçaleve dhe e zhdukjes së livadheve. Për të mbijetuar, krillave u është dashur të mësojnë të jetojnë bashkë me njerëzit. Në përgjithësi atyre u pëlqen që të qëndrojnë në një largësi prej disa kilometrash nga njerëzit, për të qenë më të sigurta, por aty ku nuk i ngacmojnë, mund të mësohen me praninë e njerëzve. Në Indi, krillat sarus, më të gjatat nga të gjithë zogjtë fluturues, janë përshtatur dhe tani çiftohen në pellgjet e fshatrave. Lloje të tjera krillash që ia kanë arritur të mbijetojnë, kanë mësuar të kërkojnë ushqim nëpër toka bujqësore ndërsa shtegtojnë ose kur janë në zonat e dimërimit.

Shpresohet që përpjekjet e bashkuara të mbrojtësve të mjedisit në shumë vende të sigurojë mbijetesën e këtyre krijesave të hijshme. Sa tragjike do të ishte sikur brezat e ardhshëm të mos e provonin dot kurrë kënaqësinë që të shihnin vallëzimin madhështor të krillave ose të dëgjonin thirrjet e tyre paralajmëruese ndërsa fluturojnë për në jug, në qiellin e vjeshtës!

[Shënimi]

^ par. 11 Mijëra krilla euro-aziatike shtegtojnë duke kaluar përmes Izraelit në pranverë e në vjeshtë, e disa prej tyre dimërojnë atje. Ndonjë pasdite vonë, në luginën e Jordanit, vëzhguesit e privilegjuar mund të shohin tufa të tëra krillash që fluturojnë, kurse në sfond është mali Hermon me majën plot dëborë. Kjo shfaqje përbën një çast bukurie të paharrueshme.

[Figura në faqen 15]

Krilla me kurorë të kuqe, Azi

[Figura në faqen 16]

Hollësi nga një enë porcelani koreane

[Figura në faqen 16]

Krillat bardhë e zi me tufa qimesh në vesh

[Figura në faqet 16, 17]

Krillat euro-aziatike në fluturim

[Figura në faqen 17]

Krilla me kurorë