Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëgjojnë tingujt e universit në Australi

Dëgjojnë tingujt e universit në Australi

Dëgjojnë tingujt e universit në Australi

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

NJË kangur ngre kokën papritur dhe i drejton veshët që i rrinë përpjetë andej nga vjen një zhurmë që mezi dëgjohet. Tingujt vijnë nga një grup antenash radioteleskopi që lëvizin ngadalë mbi shina. Në qetësinë e natyrës, si antenat ashtu edhe kanguri qëndrojnë në heshtje si të ngrirë—një kombinim i çuditshëm i natyrës dhe i shkencës.

Pamje të tilla mund t’i vëresh shpesh pranë Qendrës Kombëtare Australiane të Teleskopit (ATNF), e cila ndodhet afër qytetit të Narabrit, në zonën rurale të Nju-Sauth-Wellsit. Grupi i gjashtë antenave parabolike, pesë prej të cilave janë të lëvizshme dhe njëra e palëvizshme, lidhet me një antenë të veçuar parabolike me diametër 64 metra, afër qytetit të Parksit si dhe me një tjetër me diametër 22 metra, afër Kunabarabranit. Kur këto antena punojnë në sinkroni, ato funksionojnë vërtet si një antenë e vetme gjigante. Kjo antenë mund të bëhet edhe më e madhe po të lidhet me teleskopët që ndodhen në Tidbinbila, afër Kanberrës dhe në Hobart, Tasmani.

Këto instrumente të jashtëzakonshme vrojtojnë qiejt e hemisferës jugore—duke zhbiruar me kujdes në sekretet që fshehin ata. Pse bëhet e gjithë kjo? Në një broshurë të ATNF-së thuhet: «Një kureshtje e vogël të çon drejt zbulimeve të mëdha.»

Duke zbuluar sekretet e hapësirës

Teleskopi në Parks u inagurua në tetor të vitit 1961 nga Lord Dë Lajl, i cili në atë kohë ishte guvernatori i përgjithshëm i Australisë. Ai parashikoi me entuziazëm: «Ky instrument do të tërheqë vëmendjen e shkencëtarëve anembanë botës dhe rëndësia që ka ai për të ndihmuar në zbulimin e sekreteve të hapësirës është jashtëzakonisht e madhe.»

Besimi i guvernatorit të përgjithshëm nuk doli i kotë. Hapja e kësaj qendre ishte ndër ngjarjet me rëndësi kryesore në shkencën pak a shumë të re të radioastronomisë. Libri Beyond Southern Skies (Përtej qiejve të Jugut) thotë: «Përurimi i teleskopit në Parks . . . ishte një ditë e shënuar për shkencën në Australi. Fillimisht ideja për teleskopin u hodh para dhjetë vjetësh. U deshën katër vjet për ta projektuar dhe dy vjet të tjerë për ta ndërtuar.»

Dr. Dejvid Mek Konell, përgjegjës në Qendrën e Narabrit, tha për Zgjohuni! se ATNF-ja është qendra më e madhe e këtij lloji në hemisferën jugore dhe shtoi: «Radioastronomët nga shumë pjesë të botës vijnë për të përdorur ATNF-në për kërkime shkencore dhe për të studiuar universin. Vendndodhja e pashoqe e ATNF-së siguron një mundësi të shkëlqyer për të vrojtuar për këto qëllime qiejt e hemisferës jugore.»

Shohin atë që është e padukshme

Ndryshe nga teleskopët optikë, radioteleskopët e mbledhin informacionin në formën e rrezatimit që ka frekuencën e radiovalëve. Ai analizohet e pastaj transformohet në pamje që mund të shihen. Kjo nuk është një punë e lehtë, sepse sinjalet e radiovalëve janë jashtëzakonisht të dobëta.

Për shembull, nëse e gjithë energjia që ka mbledhur teleskopi Parks nga sinjalet e radiovalëve gjatë 40 vjetëve të kaluara do të kthehej në energji elektrike, ajo do të ndizte vetëm një llambë me tension 100 W, e cila do të rrinte ndezur vetëm njëqind të miliontat e sekondës. Kështu thotë Riki Tuordi, përgjegjës i shërbimeve shkencore në ATNF, në Parks. Pasi mblidhet, informacioni dërgohet në një kompjuter shumë të madh i cili i krahason gjithë sinjalet që kanë kapur antenat. «Qendra në Narabri ka një kompjuter të tillë i cili mund të përpunojë 6.000 milionë të dhëna në sekondë»,—shpjegoi Mek Konell. Rezultatet përpunohen më tej dhe pastaj çohen në qendrën kryesore të ATNF-së në Sidnei, ku kthehen në pamje televizive. Kur këto pamje kombinohen me të dhënat e marra nga teleskopët optikë, zbulohen disa nga mrekullitë mbresëlënëse të universit.

Megjithatë, radioteleskopët mund të punojnë edhe veç e veç për projekte të veçanta kërkimi. Për shembull, sinjale radioje shumë të dobëta, si ato që lëshojnë pulsarët, kapen dhe përpunohen më mirë nga antenat parabolike më të mëdha të veçuara, siç është ajo në Parks. Prandaj, ky teleskop është përdorur për të zbuluar më shumë se gjysmën e gjithë pulsarëve që njihen në univers. Gjithashtu, atë e përdorën për të marrë dhe për të transmetuar pamje nga shëtitjet e para në hënë dhe luajti një rol të rëndësishëm në misionin për të shpëtuar Apollon 13. Ka ndihmuar edhe për shumë zbulime të tjera, ku futen unaza e Ajnshtajnit si dhe mbetjet e një supernove, sa për të përmendur vetëm dy shembuj.—Shih kutinë shoqëruese.

A jemi të vetmit?

Ndonëse funksioni kryesor i ATNF-së është të ndihmojë në kërkimet shkencore dhe t’u përgjigjet pyetjeve të ndërlikuara rreth universit, një grup i vogël kërkuesish e përdorin atë për të hetuar rreth një pyetjeje tjetër: A ka qytetërime të tjera në univers? Kjo pyetje vlon në mendjet e kërkuesve të njohur si ekzobiologë. Ky term rrjedh nga bashkimi i fjalës greke exo, që do të thotë jashtë dhe bios, që do të thotë jetë.

Si mund të përdoren radioteleskopët për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje të vështirë? Disa ekzobiologë besojnë se po të kishte ndonjë qytetërim tjetër në univers, ka shumë mundësi që ai të ishte shumë më i vjetër se ky yni dhe kështu banorët e tij do të kishin njohuri për sinjalet e radiovalëve dhe do t’i përdornin ato për t’u lidhur me tokën. Disa shkencëtarë janë shumë optimistë se do të zbulohen qytetërime pak a shumë si i yni.

Por shumë të tjerë nuk janë kaq të sigurt. Disa ekzobiologë madje pranojnë se sinjalet e radiovalëve që kanë marrë, që dukej sikur tregonin se në univers ka jetë, «si përfundim, vinin vetëm nga një qytetërim—pikërisht nga i yni». Dr. Jan Morison, kryeinxhinier në radioteleskopin Jodrell Bank në Britani, tha: «Njëzet vjet më parë, mendonim se kishte deri në një milion qytetërime të tjera në galaktikën tonë. Tani sa po vjen e po më përforcohet edhe më shumë mendimi se raca njerëzore është shumë e veçantë.»

Ndonëse qytetërimi njerëzor mund të jetë i veçantë, ne po u krijojmë shumë probleme astronomëve dhe me të vërtetë që po i pengojmë përpjekjet e tyre për mbledhjen e të dhënave nga universi. Dëgjimi i tingujve që vijnë nga universi po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të interferencave që krijojmë ne.

Ju lutem qetësi! Po përpiqem të dëgjoj

Radiovalët që lëshojnë pajisjet e krijuara nga njerëzit, duke qenë më të forta, po i mbulojnë radiovalët natyrore që lëshojnë trupat qiellorë deri në atë pikë saqë «zona e radiovalëve po bëhet shurdhuese», raporton Science News. Kjo interferencë krijohet nga kompjuterat, sobat me mikrovalë, telefonat celularë, transmetimet në radio dhe në televizion, radarët e ushtrisë, pajisjet për kontrollin e trafikut ajror dhe sistemet satelitore. Sinjalet e tyre duhen veçuar nga ato që vijnë te ne nga galaktikat në hapësirë.

Për të shmangur një pjesë të madhe të interferencës, radioteleskopët në Australi dhe në ndonjë vend tjetër të botës janë ngritur në zona të largëta. Por edhe kjo largësi kaq e madhe ndoshta nuk mjafton. «Radioastronomët kanë frikë se së shpejti nuk do të kenë më vende të qeta ku mund të bëjnë kërkime. . . . Ndoshta një ditë ata mund t’i fshehin teleskopët e tyre në një vend që ka të ngjarë të mbetet i qetë: në atë pjesë të hënës që është më larg tokës.» Kështu shprehet me keqardhje një artikull në Science News.

Megjithatë, pavarësisht nga gjithë këto vështirësi, kërkimet në ATNF po zbulojnë hollësira rreth një universi të mrekullueshëm që me sy të lirë nuk do të arrinim kurrë ta shihnim. Kjo na jep të gjithëve mundësinë për të medituar se sa vend i mrekullueshëm është toka në gjithë këtë univers mahnitës dhe duhet të na mbushë me mirënjohje për Bërësin e qiellit dhe të tokës.

[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]

NGA SE FORMOHET UNIVERSI?

Galaktikat

Grupe të mëdhenj sistemesh yjore që mbahen të bashkuara nga tërheqja gravitacionale

[Figura]

Pamje nga grupi i galaktikave M81, e përftuar me anë të radiovalëve.

[Burimi]

Pamje me mirësjelljen e NRAO/AUI/NSF

Kuazarët

Trupa qiellorë ngjashëm yjeve që mund të jenë më të largëtit dhe më të ndritshmit në univers

[Figura]

Pamje e një kuazari që është gjashtë miliardë vjet-dritë larg, e përftuar nëpërmjet radiovalëve. Burimi i tij i energjisë mendohet se është një vrimë e zezë tejet e madhe

[Burimi]

Copyright Australia Telescope, CSIRO

Pulsarët

Trupa qiellorë, për të cilët në përgjithësi besohet se janë yje neutronikë që rrotullohen shpejt dhe se lëshojnë impulse rrezatimi, sidomos radiovalë shumë sistematike.

[Figura]

Në këtë pamje të përftuar nga rrezatimi i dukshëm, pulsari është trupi i zbehtë në qendër të mjegullnajës së Gaforres

[Burimi]

Observatori i Hejlit/NASA

Novat

Yje që papritur bëhen mijëra herë më të ndritshëm dhe pastaj gradualisht zbehen derisa marrin ndriçimin fillestar

Supernovat

Nova që janë miliona herë më të ndritshëm sesa dielli

[Figura]

Mbetje supernove: me ngjyrë të kuqe pamja e përftuar nga radiovalët, me blu pamja e përftuar nga rrezet rëntgen dhe me të gjelbër pamja e përftuar nga rrezatimi i dukshëm

[Burimi]

rreze rëntgen (NASA/CXC/SAO)/drita e dukshme (NASA/HST)/radiovalë (ACTA)

Unazat e Ajshtajnit

A mund të fshihet një galaktikë pas një tjetre ? Jo, në qoftë se janë saktësisht në vijë të drejtë. Galaktika që është përpara vepron si një thjerrë e stërmadhe gravitacionale dhe e përthyen dritën ose radiovalët që vijnë nga galaktika pas saj, duke formuar ato që duken si unaza drite

[Burimi]

HST/MERLIN/VLBI Qendra Kombëtare

[Diagrami në faqen 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ashtu si pamjet me rreze rëntgen mund të na tregojnë pjesët e brendshme të trupit të njeriut, pamjet me radiovalë na tregojnë pjesët e brendshme të universit

RADIOVALË

MIKROVALË

INFRAKUQE

I DUKSHËM

ULTRAVJOLLCË

RREZE RËNTGEN

RREZE GAMA

[Burimi]

Steven Stankiewicz

[Figura në faqen 15]

Sipër: Pesë nga gjashtë antenat afër Narabrit

[Burimi]

S. Duff © CSIRO, Qendra Kombëtare Australiane e Teleskopit

[Figura në faqen 15]

Antena parabolike afër Parksit me diametër 64 metra

[Burimi]

Photo Copyright: John Sarkissian

[Burimi i figurës në faqen 15]

J. Masterson © CSIRO, Qendra Kombëtare Australiane e Teleskopit