Udhëtim mahnitës në Autostradën Nr. 1
Udhëtim mahnitës në Autostradën Nr. 1
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NORVEGJI
ÇDO mbrëmje, gjatë gjithë vitit, një anije lë qytetin e Bergenit, në bregun jugperëndimor të Norvegjisë dhe niset drejt veriut për një udhëtim 4.500 kilometra që zgjat 11 ditë. Ajo lundron pranë mijëra ishujve e përmes fjordeve dhe gjireve të shumta detare, ndërsa viziton qytete dhe fshatra përgjatë bregdetit të bukur e të thyer të Norvegjisë.
Ndonëse rrugën detare që përshkon «Ekspresi Bregdetar Norvegjez» shumë njerëz e quajnë lundrimin më të bukur në botë, «Ekspresi Bregdetar» ka edhe një rol praktik—transportimin e mallrave, të postës dhe të pasagjerëve deri në portin e Kirkenesit. Ky port gjendet thellë në Rrethin Polar Verior dhe shërben si ndalesa e fundit e ekspresit.
Si ia dalin anijet të lundrojnë në këto ujëra polare, sidomos në dimër kur akulli e bën të pamundur lundrimin në pjesën më të madhe të polit të veriut? Për shkak të pozitës gjeografike, Norvegjia është nën ndikimin e ujërave të ngrohta të rrymës së Atlantikut Verior dhe erërave të ngrohta që vijnë nga perëndimi. Të dy këta faktorë e zbutin klimën e Norvegjisë, duke e bërë atë më të butë nga sa do të pritej, po të mbajmë parasysh afërsinë e madhe me polin e veriut. Dhe vërtet, portet e Norvegjisë janë pothuajse pa akull, madje edhe në dimër.
Lind një autostradë detare
Aty nga fundi i shekullit të 19-të, kur po i kushtohej rëndësi lidhjes së popullsive të vendeve bregdetare, me anë të rrugëve, hekurudhave ose detit, më e preferuara ishte rruga detare. Megjithatë, në atë kohë, edhe kjo lloj rruge kishte vështirësi, pasi ishte e rrezikshme të lundroje natën dhe në kohë të keqe, edhe pse uji nuk ngrinte.
Sidomos falë fantazisë dhe vendosmërisë së Rikard Vitit, kapiten anijesh, më 2 korrik 1893 u përurua një linjë e rregullt detare. Atë ditë «Ekspresi Bregdetar» i parë u nis nga Tronheimi dhe porti i fundit i itinerarit ishte Hamerfesti, qyteti më verior i Evropës. Pavarësisht nga parashikimet pesimiste, linja me anije ia doli me sukses. Në fakt, më vonë ajo u shtri derisa përfshiu 34 porte, nga Bergeni në Kirkenes—pikat më të skajshme të kësaj linje edhe sot e kësaj dite. Por ndoshta prova më e mirë e suksesit dhe e rëndësisë së kësaj rruge detare, pasqyrohet tek emri jozyrtar që i kanë vënë vetë njerëzit që jetojnë përgjatë bregdetit, pra, Autostrada Nr. 1.
Sot, Autostrada Nr. 1 përshkohet nga një flotë me 11 anije moderne që nisen çdo 24 orë. Por për shkak të rrjetit mjaft të përmirësuar rrugor dhe hekurudhor që lidh shumë nga qytetet e bregdetit, roli i «Ekspresit Bregdetar» po kufizohet gjithnjë e më tepër për turizëm, gjë që pasqyrohet edhe në modelin e anijeve.
Shpaloset një panoramë
Anijet ndjekin një kurs që i çon ato kryesisht drejt ujërave të qeta. Prandaj, pasagjerët kanë kënaqësinë që për 11 ditë të shijojnë disa nga panoramat më të bukura që dhuron Norvegjia: fshatra të vogla e të këndshme të ngritura në lëndina të harlisura, fshatra bregdetare peshkatarësh, akullnaja, fjorde, male të mbuluara me dëborë, shkëmbinj të hijeshuar nga shpendë uji të panumërt, ujëvara madhështore e madje edhe balena.
Por kënaqësia e pasagjerëve nuk mbaron këtu. Ata janë të lirë të zbresin për të vizituar vendet ndërkohë që anija është e ankoruar. Për shembull, në qytetin e vogël të Moldit mund të shihet një peizazh i mrekullueshëm me 87 maja të Alpeve të Rumsdalit të mbuluara me borë. Madje, në Olesund dhe në Tronheim vizitorët kanë kohë edhe për një ekskursion të shkurtër që mund të përfshijë një shëtitje nëpër rrugë, anash të cilave vërehen ndërtesa me arkitekturë tipike vendëse. Në disa qytete, pasagjerët marrin me qira një makinë dhe e arrijnë përsëri anijen kur ajo ndalon në portin më të afërt.
Pasi niset nga qyteti i Budës, «Ekspresi Bregdetar» kalon Vest-Fjordin dhe drejtohet për në ishujt Lofoten, një arkipelag 175 kilometra i gjatë me maja të shumta malesh dhe fshatra të këndshme peshkatarësh. Disa nga ishujt që ndodhen në pjesën më të jashtme të Lofotenit janë thjesht ishuj të vegjël të formuar nga shkëmbinj nënujorë ose shkrepa që dalin mbi oqean, në disa prej të cilëve gjendet një far ose dritë sinjalizuese. Arkipelagu është edhe shtëpia e disa prej kolonive më të mëdha të shpendëve ujorë, ku hyjnë: pulëbardhat, dallëndyshet e detit, rosat e detit, zogjtë e detit, uriet, karabullakët, pulëbardhat e Atlantikut, pinguinët sqepngushtë dhe me raste edhe zgalemat e stuhisë. Zogjtë arrijnë me miliona.
Çdo dimër, deti rreth Lofotenit gjallërohet nga barkat që dalin për të peshkuar skrei, një lloj merluci. Gjithashtu, kjo zonë është e njohur për balenat. Sa drithërohen pasagjerët kur këta gjitarë gjigantë kërcejnë dhe shfryjnë duke nxjerrë currila uji në një largësi që duken nga anija!
Në verë, «Ekspresi Bregdetar» shmanget nga kursi i tij i zakonshëm dhe shkon drejt Troll-Fjordit. Hyrja për në këtë fjord është kaq e ngushtë dhe kaq e pjerrët, saqë të duket sikur po të zgjatësh dorën nga parmakët e anijes mund të prekësh sipërfaqen e thikët të shkëmbinjve. Këtu timonieri nuk i bie sirenës që të mos shkaktojë ndonjë rrëshqitje të shkëmbinjve. Me majat e maleve të mbuluara me dëborë në sfond, kjo pjesë e bregdetit është gjithçka që mund të ëndërronte një fotograf.
Pasi kanë ndaluar në disa qytete të tjera dhe fshatra peshkatarësh, anijet kthehen nga lindja dhe vazhdojnë drejt një zone bregdetare që për shumë pasagjerë është pjesa kulmore e gjithë udhëtimit. Për shembull, nga porti i Honingzvogut pasagjerët mund të bëjnë një ekskursion për
në Kepin e Veriut, ku shkëmbi ngrihet pothuajse vertikalisht rreth 300 metra mbi Oqeanin e Ngrirë të Veriut, duke dhuruar peizazhe mahnitëse.«Ekspresi Bregdetar» ankorohet në Kirkenes, në skajin më verior të kësaj rruge dhe qëndron atje vetëm për disa orë, para se të nisë rrugën e kthimit për në Bergen. Lundrimi drejt jugut u krijon mundësi pasagjerëve të shijojnë ato peizazhe që nuk i panë dot, se ndoshta ishin në gjumë ndërsa udhëtonin për në veri. Për shembull, në Rrethin Polar Verior mund të shohësh Svartisenin hijerëndë, një mbulesë e madhe dhe e përhershme akulli, që zë rreth 370 kilometra katrorë. Lundrimi vazhdon pranë vargmalit të bukur të quajtur Shtatë Motrat dhe pranë Torghatenit, një mal në formë zhardhoku, me një tunel të madh natyror që kalon tejpërtej malit dhe kështu ai të ngjan si një kapele me vrimë në majë. Midis qyteteve të Molëit dhe Flurës ekspresi kalon pranë Hornelenit, një mal 860 metra i lartë që zbret me një pjerrësi kaq të madhe në det, saqë edhe këtu timonieri nuk i bie sirenës nga frika se mos shkakton ndonjë rrëshqitje të shkëmbinjve.
Dielli i mesnatës dhe nata polare
Turistët që udhëtojnë gjatë verës, pothuajse gjatë gjithë udhëtimit i shoqëron pa ndërprerje drita e diellit. Në fakt, pjesa më e madhe e Autostradës Nr. 1 është në «tokën e diellit të mesnatës», në veri të Rrethit Polar Verior. Këtu dielli i
verës ndriçon gjatë gjithë natës. Për shembull, në Kepin Verior dielli nuk perëndon për gati 12 javë!Ata që udhëtojnë në dimër përjetojnë të kundërtën—natën e gjatë polare. Por edhe dimri ka bukurinë e tij. Qielli, oqeani, malet dhe bora kridhen në ngjyrat çlodhëse të agimit, ndërsa dielli i afrohet horizontit, por nuk ia del dot të ngrihet mbi të. Për më tepër, qielli në dimër krijon një sfond të shkëlqyer për një nga më madhështoret e të gjitha shfaqjeve—të famshmin agim polar të veriut ose dritat e veriut. Kur erërat e mbushura me grimca diellore me elektricitet fryjnë në qiellin polar, drita me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë në të gjelbër, ndonjëherë edhe me nuanca të së kuqes, vallëzojnë në qiellin plot yje. Ato krijojnë forma si shirita dhe perde mahnitëse që harkohen, regëtijnë dhe valëzohen, duke ndjekur ritmin e tyre kozmik.
Natyrisht, nuk është e thënë që medoemos të udhëtoni me «Ekspresin Bregdetar» për të soditur shumë nga këto pamje të mrekullueshme. Falë rrjetit të zgjeruar rrugor dhe hekurudhor, një pjesë të madhe të Norvegjisë mund ta shijoni edhe nga dritarja e makinës ose e trenit. Për ata që nuk mund t’i lejojnë vetes shumë shpenzime, këto mjete transporti mund të jenë më ekonomike. Megjithatë, çfarëdo rruge të zgjidhni, një gjë është e sigurt: kurrë nuk do të lodheni me panoramat e reja që shpalosen çdo kilometër dhe në çdo stinë përgjatë bregdetit mahnitës të Norvegjisë.
[Harta në faqen 13]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
FINLANDË
SUEDI
NORVEGJI
OSLO
Rrugë detare
▿ ▵ Bergen
▿ ▵ Flurë
▿ ▵ Molëi
▿ ▵ Olesundi
▿ ▵ Moldi
▿ ▵ Tronheimi
RRETHI POLAR VERIOR
Monument në Rrethin Polar Verior
▿ ▵ Budë
▿ ▵ Ishujt Lofoten
Troll-Fjordi
▿ ▵ Tromsë
▿ ▵ Hamerfesti
▿ ▵ Honingzvogu
▿ ▵ Kirkenes
[Burimi]
Bazuar në hartë: Hurtigruten
[Figura në faqen 15]
Në Troll-Fjord, rrethuar nga majat alpine
[Burimi]
TO-FOTO AS, Harstad
[Figurat në faqen 15]
Ishujt Lofoten janë habitati i shumë zogjve detarë, ku futen pulëbardhat, dallëndyshet e detit dhe zogjtë e detit
[Figura në faqen 16]
Autostrada Nr. 1 fillon në Bergen
[Figura në faqen 16]
Monument në Rrethin Polar Verior
[Figura në faqen 16]
Dielli i mesnatës
[Burimi]
TO-FOTO AS, Harstad
[Figura në faqet 16, 17]
Shtatë Motrat
[Burimi]
Per Eide
[Figura në faqen 17]
Fshat bregdetar në errësirën e dimrit
[Figura në faqen 17]
Agimi polar verior, dritat e veriut
[Burimi]
© TO-FOTO AS, Harstad
[Figura në faqen 17]
Lundrimi mbaron në Kirkenes
[Burimi]
Hallgeir Henriksen
[Burimi i figurës në faqen 13]
Nancy Bundt