Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pajtimi i shkencës me fenë

Pajtimi i shkencës me fenë

Pajtimi i shkencës me fenë

«Shkenca dhe feja nuk shihen më si të papajtueshme me njëra-tjetrën.»​—The Daily Telegraph, Londër, 26 maj, 1999.

QË TË DYJA, shkenca dhe feja, në formën e tyre më të lartë morale, përfshijnë kërkimin për të vërtetën. Me anë të shkencës zbulohet një botë ku sundon një rregull mahnitës dhe një univers që tregon qartësisht për një projekt inteligjent. Feja e vërtetë u jep domethënie këtyre zbulimeve, duke mësuar se prapa këtij projekti të konkretizuar në botën fizike qëndron mendja e Krijuesit.

«Shoh se feja e ka rritur shumë çmueshmërinë time për shkencën»,​—thotë Frensis Kolinsi, specialist i biologjisë molekulare. Ai vazhdon: «Kur zbuloj diçka rreth gjenomit të njeriut, provoj një ndjenjë frike përnderuese për natyrën e mistershme të jetës dhe i them vetes: ‘Ua, vetëm Perëndia e dinte këtë gjë më parë!’ Është një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur dhe nxitëse, që më ndihmon ta vlerësoj Perëndinë dhe ndërkohë e bën shkencën edhe më të kënaqshme për mua.»

Çfarë mund ta ndihmojë një person që të pajtojë shkencën me fenë?

Një kërkim ngulmues

Të pranojmë kufizimet: Nuk i duket aspak fundi kërkimit për gjetjen e përgjigjeve rreth universit, hapësirës dhe kohës së pafundme. Biologu Luis Tomas vërejti: «Ky kërkim nuk do të mbarojë ndonjëherë përderisa jemi specie me një kureshtje të pangopur, që vëzhgojmë, kërkojmë dhe përpiqemi t’i kuptojmë gjërat. Nuk do të arrijmë kurrë t’i gjejmë përgjigjet e pyetjeve rreth natyrës, jetës e universit. S’mund ta imagjinoj që të vijë një çast e të gjithë të psherëtijnë të lehtësuar duke thënë: ‘Tani e kuptojmë çdo gjë.’ Kjo është diçka e paarritshme për ne njerëzit.»

Ngjashëm, kur është fjala për të vërtetën fetare, kërkimi për njohuri nuk mbaron ndonjëherë. Pavli, një shkrimtar i Biblës, pohoi: «Tani shohim vetëm pasqyrime të turbullta në një pasqyrë . . . Njohuria ime tani është e pjesshme.»​—1 Korintasve 13:12, The New English Bible.

Megjithatë, njohuria e pjesshme për çështjet shkencore dhe fetare nuk na pengon që të nxjerrim përfundime të drejta në bazë të fakteve që kemi. S’ka nevojë të kemi njohuri të hollësishme për origjinën e diellit, për të qenë krejtësisht të sigurt se ai do të dalë nesër sërish.

Të shqyrtojmë faktet që njihen: Në kërkimin për gjetjen e përgjigjeve duhet të udhëhiqemi nga parime të shëndosha. Po të mos u përmbahemi dëshmive që janë në mënyrë të padiskutueshme të sakta, mund të ngatërrohemi me lehtësi në kërkimin tonë për të vërtetën shkencore dhe fetare. Të jemi realistë, asnjë nga ne nuk mund ta shqyrtojë dot të gjithë njohurinë dhe idetë shkencore që mbushin sot bibliotekat e mëdha. Nga ana tjetër, Bibla na jep për të shqyrtuar një përmbledhje të mësimit hyjnor që nuk është e ndërlikuar. Ka shumë fakte të njohura që e mbështetin mjaft mirë atë që thuhet në Bibël. *

Megjithatë, lidhur me njohurinë në përgjithësi si në fushën shkencore, ashtu edhe në atë fetare, kërkohen shumë përpjekje për të bërë dallimin ndërmjet faktit dhe spekulimit, ndërmjet realitetit dhe mashtrimit. Sikurse këshilloi Pavli, një shkrimtar i Biblës, ne duhet t’i flakim tej «kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’». (1 Timoteut 6:20) Për të pajtuar shkencën me Biblën duhet të lëmë të flasin vetë faktet, duke shmangur kështu spekulimin dhe duke shqyrtuar se si çdo fakt mbështet dhe përforcon tjetrin.

Për shembull, kur kuptojmë që Bibla e përdor termin «ditë» për të treguar periudha të ndryshme kohore, vërejmë se tregimi i Zanafillës për gjashtë ditët e krijimit, s’ka pse bie ndesh me përfundimin shkencor se mosha e tokës është rreth katër miliardë vjet e gjysmë. Sipas Biblës, toka ekzistonte prej një periudhe kohore të papërcaktuar para se të fillonin ditët e krijimit. (Shih kutinë «A janë 24 orëshe ditët e krijimit?) Edhe nëse shkenca e korrigjon veten duke sugjeruar një moshë tjetër për planetin tonë, pohimet e bëra në Bibël mbeten ende të vërteta. Në vend që ta kundërshtojë Biblën, në këtë çështje dhe në shumë çështje të tjera, shkenca na siguron në fakt një informacion të gjerë shtesë rreth botës fizike qoftë të sotme, qoftë asaj të lashtë.

Besim, jo naivitet: Bibla na jep njohuri për Perëndinë dhe qëllimet e tij, njohuri kjo që nuk mund të sigurohet nga ndonjë burim tjetër. Përse duhet të besojmë tek ajo? Vetë Bibla na fton që të provojmë saktësinë e saj. Shqyrtoni vërtetësinë e saj historike, vlerën praktike që ka, çiltërsinë e shkrimtarëve dhe tërësinë e saj morale. Kur shqyrton saktësinë e Biblës, ku përfshihen edhe pohimet me natyrë shkencore, e sidomos atë që është më bindëse, përmbushjen e saktë të qindra profecive përgjatë epokave deri në ditët tona, dikush mund të krijojë një besim të fortë se ajo është Fjala e Perëndisë. Besimi te Bibla nuk është naivitet, por përkundrazi, një siguri e provuar nga vetë saktësia e pohimeve biblike.

Të respektojmë shkencën; të pranojmë vlerën e besimit fetar: Dëshmitarët e Jehovait i ftojnë njerëzit me mendje të hapur, qofshin këta shkencëtarë ose fetarë, të marrin pjesë në një kërkim të sinqertë për të gjetur të vërtetën në të dyja fushat. Në kongregacionet e tyre Dëshmitarët nxitin respektin për shkencën dhe për gjetjet e saj të vërtetuara. Gjithashtu, ndihmojnë që të krijohet një bindje e thellë se e vërteta fetare mund të gjendet vetëm në Bibël. Ky libër tregon në mënyrë të qartë dhe me dëshmi të bollshme që është fjala e Perëndisë. Apostulli Pavël tha: «Kur e morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.»​—1 Selanikasve 2:13.

Natyrisht, siç ka ndodhur me shkencën, pavërtetësi dhe praktika të dëmshme kanë depërtuar edhe tek feja. Pra, ka fe të vërtetë dhe fe të rreme. Ja përse shumë njerëz janë larguar nga organizatat kryesore fetare dhe janë bërë anëtarë të kongregacionit të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata janë zhgënjyer nga fetë ku bënin pjesë më parë, të cilat nuk kanë qenë të gatshme t’i hidhnin poshtë traditat dhe legjendat njerëzore për të zbuluar ose për të nxjerrë në pah të vërtetën.

Jo vetëm kaq, por të krishterët e vërtetë kanë një qëllim të vërtetë në jetë. Ky qëllim bazohet te njohuria e thellë për Krijuesin, ashtu siç zbulohet ky Krijues në Bibël, dhe te qëllimet që ai ka shpallur për njerëzimin dhe për planetin tonë. Dëshmitarët e Jehovait kanë gjetur përgjigje të arsyeshme të bazuara në Bibël të këtyre pyetjeve: Përse jemi këtu? Ku po shkojmë? Ata do të ishin shumë të kënaqur ta ndanin edhe me ju këtë informacion.

[Shënimi]

^ par. 10 Shih Bibla: Fjala e Perëndisë apo e njeriut? (angl.), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 10]

A janë 24-orëshe ditët e krijimit?

Disa fondamentalistë pohojnë se i gjithë krijimi fizik u realizua vetëm në gjashtë ditë 24-orëshe secila, aty rreth 6.000 deri 10.000 vjet më parë. Por duke bërë këtë nxorën një mësim jobiblik, i cili ka bërë që shumë veta të tallen me Biblën.

A është me gjithë mend një ditë në Bibël gjithnjë 24-orëshe? Zanafilla 2:4 flet për «ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin». Kjo ditë përfshin të gjashta ditët e krijimit në kapitullin 1 të Zanafillës. Sipas mënyrës që përdoret në Bibël, një ditë është një periudhë e caktuar kohore dhe mund të jetë një mijë vjet ose mijëra vjet. Duke analizuar ditët e krijimit për të cilat flitet në Bibël, nxjerrim përfundimin se ishin të gjata mijëra vjet secila. Për më tepër, toka ekzistonte para se të fillonin ditët e krijimit. (Zanafilla 1:1) Prandaj, në këtë pikë, tregimi i Biblës pajtohet me shkencën e bazuar në fakte.​—2 Pjetrit 3:8.

Duke komentuar për pohimin që ditët e krijimit ishin të gjata vetëm 24 orë, specialisti në fushën e biologjisë molekulare Frensis Kolinsi vëren: «Bindja se ditët e krijimit ishin 24-orëshe i ka shkaktuar konceptit të besimit më shumë dëm se çdo gjë tjetër në historinë moderne.»

[Kutia në faqen 11]

A qëndron shkenca në një shkallë më të lartë morale?

Kuptohet që feja është hedhur poshtë nga shumë njerëz të shkencës për shkak se i ka bërë qëndresë përparimit shkencor dhe i ka bërë një emër shumë të keq vetes. Gjithashtu, është hedhur poshtë edhe për shkak të hipokrizisë e mizorisë së saj. Profesori i mikrobiologjisë Xhon Postgeit thotë: «Fetë e botës . . . sollën tmerrin e sakrificave njerëzore, të kryqëzatave, të masakrave dhe të inkuizicionit. Në botën moderne, kjo anë e errët e fesë është bërë e rrezikshme. Ndryshe nga shkenca, feja nuk është asnjanëse.»

Duke e krahasuar këtë aspekt me racionalizmin, me objektivitetin dhe me disiplinën e supozuar të shkencës, Postgeiti pohon se «shkenca ka arritur një shkallë më të lartë morale».

A është vërtet kështu? Përgjigjja është jo. Vetë Postgeiti pranon se «mes vetë bashkësive shkencore ka xhelozi, lakmi, paragjykim dhe smirë». Ai shton se «disa shkencëtarë kanë treguar se janë të aftë të vrasin në emër të kërkimit, siç ndodhi në kampet e burgimit në Gjermaninë Naziste dhe në Japoni». Në një rast, National Geographic caktoi një reporter si hetues për të zbuluar se si mbërriti në faqet e saj një informacion i gënjeshtërt për një lloj fosili. Ky reporter paraqiti «një tregim ku flitej për mbajtjen fshehur të asaj që nuk duhet fshehur dhe besimin aty ku s’duhet. Veç kësaj, foli për konflikte të ashpra mes njerëzve që ngulin këmbë në të tyren, për lartësim të vetes, për bindje jorealiste të krijuara thjesht nga dëshira, për përfundime naive, gabime njerëzore, kokëfortësi, manipulime, përgojime, gënjeshtra, [dhe] korrupsion».

Dhe sigurisht, është shkenca ajo që i ka dhënë njerëzimit mjetet e llahtarshme të luftës të tilla, si: armët biologjike, gazi helmues, raketat, bombat «e zgjuara» që drejtohen me rreze lazer dhe bombat bërthamore.

[Figura në faqet 8, 9]

Mjegullnaja e Milingonës (Menzël 3), nga Teleskopi i hapësirës Habëll

[Burimi]

NASA, ESA and The Hubble Heritage Team (STScI/AURA)

[Figurat në faqen 9]

Me anë të shkencës zbulohet një tokë ku shfaqen qartë shenjat e një projekti inteligjent

[Figura në faqen 10]

Dëshmitarët e Jehovait nxitin respektin për shkencën e bazuar në fakte dhe besimin në Bibël