Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nganjëherë më duket sikur jam në ëndërr!»

«Nganjëherë më duket sikur jam në ëndërr!»

«Nganjëherë më duket sikur jam në ëndërr!»

Lurdesi sodit qytetin që nga dritarja e apartamentit të saj, gishtat i mbulojnë buzët që i dridhen. Ajo është një grua latino-amerikane që vuajti nga Alfredoja, burri i saj i dhunshëm, i cili për më se 20 vjet vuri dorë mbi të. Alfredoja u nxit të ndryshonte. Megjithatë, është ende shumë e vështirë për Lurdesin të flasë për dhembjen fizike dhe emocionale që duroi.

«Filloi pikërisht dy javë pas dasmës sonë,—thotë Lurdesi me zë të ulët.—Një herë, ai më theu dy dhëmbë, një herë tjetër u shmanga dhe grushti i tij u përplas me garderobën. Por, nofkat më lëndonin edhe më shumë. Ai më thërriste ‘plehrë’ dhe më trajtonte sikur të isha pa pikë zgjuarsie. Doja ta lija, po si t’ia bëja me tre fëmijë?»

Alfredoja prek butësisht supin e Lurdesit: «Me profesion jam një zyrtar i lartë,—thotë ai.—Më erdhi turp kur m’u dha një fletëthirrje gjyqi dhe një urdhër gjykate kundër dhunës në familje. U përpoqa të ndryshoja, por shumë shpejt po veproja sërish në të njëjtën mënyrë.»

Si ndryshuan gjërat? Lurdesi, tashmë më e lehtësuar, shpjegon: «Zonja te dyqani në qoshe të rrugës është një Dëshmitare e Jehovait. Ajo mori përsipër të më ndihmonte të kuptoja Biblën. Mësova që Perëndia Jehova i vlerëson gratë. Fillova të marr pjesë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, megjithëse në fillim kjo e zemëroi shumë Alfredon. Ishte një përvojë e re për mua të kaloja kohë me miqtë në Sallën e Mbretërisë. U habita kur zbulova se mund të kisha bindjet e mia, t’i shprehja ato lirshëm, e madje t’ua mësoja të tjerëve. Kuptova që Perëndia më çmonte. Kjo më dha zemër.»

«Pati një pikë kthese që nuk do ta harroj kurrë. Alfredoja vazhdonte të ndiqte meshën katolike çdo të diel dhe po më kundërshtonte që shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait. E vështrova drejt në sy dhe qetësisht, por e sigurt, i thashë: ‘Alfredo, ajo që mendon ti nuk është ajo që unë mendoj.’ Dhe ai nuk më goditi! Jo shumë kohë më pas u pagëzova dhe që atëherë, ka pesë vjet që nuk më ka goditur kurrë më.»

Por ndryshime më të mëdha do të vinin. Alfredoja shpjegon: «Tre vjet pasi ishte pagëzuar Lurdesi, një koleg i cili është një Dëshmitar i Jehovait më ftoi në shtëpinë e tij dhe më shpjegoi gjëra tërheqëse nga Bibla. Fillova të studioja Biblën me të, pa i treguar gruas. Pas pak kohësh po e shoqëroja Lurdesin në mbledhje. Shumë nga fjalimet që dëgjova atje ishin për jetën familjare dhe kjo shpesh më bënte të ndihesha në siklet.»

Alfredos i bëri përshtypje kur pa anëtarët e kongregacionit, përfshirë burrat, të fshinin dyshemenë pas mbledhjes. Kur vizitoi shtëpitë e tyre, pa burra që ndihmonin gratë të lanin enët. Këto ndodhi të vogla i treguan Alfredos si vepron dashuria e vërtetë.

Shumë shpejt pas kësaj, Alfredoja u pagëzua e tani, ai dhe e shoqja, shërbejnë si shërbëtorë në kohë të plotë. «Ai më ndihmon shpesh të ngre tavolinën pas buke dhe të rregulloj shtretërit—thotë Lurdesi.—Ai më lavdëron për gatimin dhe gjithmonë më lejon të bëj zgjedhje të tilla, si çfarë muzike do të doja të dëgjoja ose çfarë artikujsh do të blejmë për shtëpinë. Këto janë gjëra që Alfredoja nuk do t’i kishte bërë kurrë më parë! Kohët e fundit, për herë të parë, më bleu një buqetë me lule. Nganjëherë më duket sikur jam në ëndërr!»

[Figura në faqen 10]

«Kuptova që Perëndia më çmonte. Kjo më dha zemër»

[Figura në faqen 10]

Alfredos i bëri përshtypje kur pa anëtarët e kongregacionit, përfshirë edhe burrat, të fshinin dyshemenë pas mbledhjes

[Figura në faqen 10]

Ai pa burra që ndihmonin gratë të lanin enët

[Figura në faqen 10]

«Kohët e fundit, për herë të parë, më bleu një buqetë me lule»