Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sfidat e një Gjermanie të bashkuar

Sfidat e një Gjermanie të bashkuar

Sfidat e një Gjermanie të bashkuar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

«KUR prindërit e mi dhe unë kaluam me makinë kufirin nga Gjermania Lindore për në Berlinin Perëndimor, turma njerëzish qëndronin në urat sipër autostradës duke tundur duart si përshëndetje dhe duke brohoritur,—kujton Roni.—Shëtitëm qendrën tregtare Ku’dam në Berlinin Perëndimor dhe kur njerëzit kuptonin që ishim nga Gjermania Lindore, na blinin pije. Të gjithë i kishte pushtuar entuziazmi.» Ishte 10 nëntor 1989, një ditë pas rënies së Murit të Berlinit.

Ai entuziazëm u shtri përtej Berlinit dhe përfshiu tërë Gjermaninë Lindore dhe Gjermaninë Perëndimore, që asokohe ishin shtete të veçuara. Wende,—e cila është pika e kthesës ose revolucioni paqësor që çoi në shembjen e shtetit totalitar të Gjermanisë Lindore—befasoi thuajse gjithkënd. Vite më vonë, shumë njerëz e mbajnë ende Wende-n si kohën më të lumtur në 50 vitet e fundit. Sigurisht, ngazëllimi i madh ia ka lënë vendin realitetit, duke na bërë të pyesim: Si ka ndryshuar jeta që nga koha e Wende-s? A mund të mësojmë ndonjë gjë nga ajo që ka ndodhur?

Lamtumirë Luftë e Ftohtë

Për shumicën e gjermanëve rënia e Murit të Berlinit erdhi si një lehtësim i pamasë. Sipas disa burimeve, gati një mijë njerëz kishin vdekur në kufirin vrastar mes Lindjes dhe Perëndimit. Në tetor 1990, të dyja Gjermanitë u ribashkuan në një shtet, në Republikën Federale Gjermane, me një popullsi prej rreth 80 milionë banorësh. Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), e njohur si Gjermania Lindore, mori fund vetëm 41 vjet pasi ishte krijuar. Territori që zinte më parë RDGJ-ja tani është i ndarë në gjashtë shtete, të njohura si shtetet e reja federale.

Bota vështronte me habi teksa Wende përshpejtonte shpërbërjen e bllokut komunist, prishjen e aleancës mbrojtëse të Traktatit të Varshavës dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Trupat e superfuqive kundërshtare, të cilat kishin vigjiluar për rreth 40 vjet kundër njëra-tjetrës në dy anët e kufirit të brendshëm gjerman, u tërhoqën nga toka gjermane. Këto ngjarje ndodhën pa u shkrehur asnjë armë.

Pas ribashkimit, ndryshime dramatike përfshinë tërë Gjermaninë, duke ndikuar kryesisht mbi jetën në shtetet e reja federale. Për shumë individë ndryshimi qe më dramatik nga ç’e pritnin.

Më në fund, liri!

Ajo që donte më shumë populli i RDGJ-së nga Wende ishte liria. S’është për t’u habitur, pasi shteti totalitar i kishte mbajtur nënshtetasit e tij nën një darë të hekurt. Në kohën para Wende-s, të merrje një vizë për të kaluar kufirin e brendshëm gjerman ishte e vështirë ose e pamundur. Papritmas, kjo kishte ndryshuar. Një grua thirri: «Vetëm të mendosh: mund të shkojmë në Amerikë!» Për shumë njerëz, ribashkimi me të afërmit dhe me miqtë në anën tjetër të kufirit vazhdon të jetë një arsye për të qenë mirënjohës.

Liria u jep mundësi jo vetëm gjermano-lindorëve që të shkojnë në anën perëndimore, por edhe perëndimorëve të shkojnë në anën lindore. Kështu, në shtetet e reja federale gjërat tërheqëse për turistët tani janë rikthyer, si të thuash, në hartë. Për shembull, turistët mund të vizitojnë Vitenbergun, ku Martin Luteri nisi Reformën, e cila bëri të lindte feja protestante. Pastaj është Majseni, një qytet i njohur për punimet prej porcelani të bëra me dorë dhe Vajmari, që është njëkohësisht vendlindja e dy prej shkrimtarëve më të famshëm të Gjermanisë, Johan Volfgang fon Gëtes dhe Fridrih fon Shilerit. Në vitin 1999, Vajmari u bë Qytet Kulturor i Evropës, i pari qytet në ish-bllokun komunist të cilit iu dha ky titull nderi.

Ç’të themi për lirinë e fjalës? Në shtetet e reja federale njerëzit mund të flasin haptas, pa frikën se mos i përgjon Stasi, ose sigurimi i shtetit. Gjithashtu, njerëzit e thjeshtë gëzohen që kanë mundësi t’i zgjedhin programet televizive dhe të lexojnë materiale lirisht. Matíasi kujton: «Kur isha në shkollë, çdo botim nga Perëndimi që na binte në dorë konfiskohej.»

Po liria e adhurimit? Në RDGJ, feja pengohej dhe 2 në çdo 3 shtetas nuk bënin pjesë në ndonjë fe. Tani e gjithë Gjermania e ribashkuar ka më shumë se dhjetë vjet që gëzon lirinë e adhurimit, periudha më e gjatë kjo që kur Hitleri filloi të vinte kufizime mbi fenë në vitin 1933. Por liria e fesë nuk nënkupton që feja është e përhapur. Kishat kryesore qahen nga shumë kohë për një humbje të ndikimit të tyre dhe Wende e rriti këtë prirje. Nga ana tjetër, Dëshmitarët e Jehovait, që ishin në ndalim dhe që përndiqeshin nga regjimi totalitar, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Gjatë dhjetë viteve të shkuara, Dëshmitarët kanë ndërtuar 123 Salla Mbretërie dhe 2 Salla Asamblesh në shtetet e reja federale.

Ndërtime të të gjitha llojeve kanë marrë përmasa të papara në shtetet e reja. Berlini është rivendosur si kryeqyteti kombëtar dhe po i bëhet një restaurim madhështor. Anembanë shteteve të reja federale, infrastruktura po përmirësohet dhe këtu përfshihen shpenzime shumë të mëdha për rrugët dhe hekurudhat. Është bërë një punë e madhe për të pastruar mjedisin dhe për ta ngritur kujdesin shëndetësor dhe shërbimet shoqërore në nivelet perëndimore. Shumica e banorëve të shteteve të reja federale do të ishin në një mendje për faktin se tani kanë një nivel më të lartë jetese.

«Ishin kohë të mira»

Megjithatë, disa i kujtojnë me nostalgji kohët para Wende-s. «Ishin kohë të mira»,—shpjegon një grua. Çfarë të mire mund të ketë pasur të jetoje nën një diktaturë? Disa thonë se jeta ndiqte një rrjedhë normale dhe ishte e sigurt. Shumë njerëz i vlerësonin lidhjet e ngushta mes miqve e fqinjëve dhe ndjenjën se mund të gjeje gjithmonë ndihmë dhe mbështetje. Sipas Institutit Allensbach të Sondazhit të Opinionit Publik, «diktaturat u japin nënshtetasve të tyre një ndjenjë epërsie morale dhe sigurie». Pasi diktatura në RDGJ mori fund, ndjenja e afrimitetit u shua.

Një shembull tjetër: në vitet 80 të shekullit të kaluar, çmimet e artikujve bazë dhe të shërbimeve kryesore mbaheshin të ulëta dhe çdokush kishte një punë. «Një simite zakonisht kushtonte pesë pfenig, ndërsa tani kushton të paktën dhjetë herë më shumë»,—qahet Brigita. Pasi u fut konkurrenca e tregut të lirë, mijëra ndërmarrje shtetërore u mbyllën dhe kjo gjë shkaktoi papunësi. Papunësia në ish-Gjermaninë Lindore është dy herë më e lartë se në anën perëndimore.

Deri më tani, ribashkimi ka kushtuar afro 800 miliardë dollarë. Dhe ka ende shumë për të bërë. Kush po paguan për gjithë këtë? Shpenzimet mbulohen pjesërisht nga një taksë e veçantë. Kështu, Wende ka prekur jo vetëm zemrat e gjermanëve, por edhe xhepat e tyre. A ia ka vlejtur kjo përpjekje dhe a janë investuar me mençuri paratë? Shumica e shohin ribashkimin si diçka pozitive dhe me vlerë, një arritje për të cilën mund të jenë krenarë.

Çfarë mund të mësojmë?

Wende ka treguar se ndryshimi nga një lloj qeverie në një tjetër nuk kënaq çdokënd. Shumë njerëz—madje edhe ata që mendojnë se Wende ishte diçka që ia vlente—kanë zbuluar se jeta në një shoqëri kapitaliste konkurruese mund të jetë po aq zhgënjyese sa jeta në një regjim totalitar. Liria dhe begatia janë, pa dyshim, të dëshirueshme. Por kur çmimi që paguhet për këto dobi është një stil jetese me ftohtësi dhe pa interesim për të tjerët, lumturia mund të jetë jetëshkurtër.

Në një raport të kohëve të fundit nga Desau, në ish-Gjermaninë Lindore, thuhet: «Ka kaluar një dhjetëvjeçar që nga koha e bashkimit; janë harxhuar miliarda dollarë për ta nxjerrë vendin nga një e shkuar e trazuar.» E megjithatë, shumë veta nuk duken të lumtur nga ato që janë arritur deri tani.

Instituti Allensbach raporton se shumë njerëz shpresojnë që «mes alternativave të një ekonomie të lirë konkurruese dhe të një ekonomie të planifikuar, mund të ketë një rrugë të tretë» për të trajtuar çështjet e njerëzimit. Kjo është një shpresë që e kanë Dëshmitarët e Jehovait.

Ata besojnë se asnjë sistem politik a ekonomik i projektuar nga njerëzit nuk do të përmbushë ndonjëherë nevojat e gjithë njerëzimit. Dëshmitarët besojnë se këto nevoja do t’i plotësojë vetëm Mbretëria Mesianike e Krijuesit. Së shpejti, sipas Biblës, kjo qeveri qiellore do të vendosë një sundim të dashur e të drejtë në krejt tokën. Mbretëria do t’i bashkojë të gjitha kombet e tokës dhe do të bëjë të mundur që jo vetëm Gjermania, por i gjithë njerëzimi të jenë në paqe me njëri-tjetrin. Çfarë bekimi do të jetë ajo Mbretëri!—Danieli 2:44.

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shih botimin)

Bon

Berlin

Vitenberg

Vajmar

[Figura në faqen 24]

Rënia e Murit të Berlinit dhe heqja e kufijve u përshëndet gjithandej me një ndjenjë lehtësimi

[Burimi]

Foto: Landesarchiv Berlin

[Figurat në faqen 24]

Pika e kontrollit Charlie, simboli i Berlinit për Luftën e Ftohtë, para dhe pas

[Burimi]

Foto: Landesarchiv Berlin

[Figura në faqen 25]

Berlini, i rivendosur si kryeqyteti kombëtar, po restaurohet

[Figura në faqen 25]

Dëshmitarët e Jehovait kanë ndërtuar deri tani 123 Salla Mbretërie në shtetet e reja federale