I ngecur në një vorbull ndjenjash
I ngecur në një vorbull ndjenjash
«PASI më thanë se kisha një sëmundje të rrezikshme për jetën,—kujton një i moshuar,—u përpoqa të largoja frikën, por më mundonte ndjenja e pasigurisë.» Fjalët e tij theksojnë faktin që pasi ka dhënë një goditje fizike, sëmundja jep edhe një goditje emocionale. Megjithatë, ka njerëz që po i përballojnë me sukses këto goditje. Shumë nga ata do të donin të të siguronin se ka mënyra për t’i bërë ballë me sukses një sëmundjeje kronike. Por, para se të diskutojmë çfarë mund të bësh, le të vërejmë së pari më nga afër disa prej ndjenjave që mund të provosh në fillim.
Mosbesim, mohim, disfori
Ndjenjat e tua mund të ndryshojnë shumë nga ato të të tjerëve. Gjithsesi, specialistët e shëndetësisë dhe personat e sëmurë vërejnë se njerëzit që janë goditur nga një krizë shëndetësore shpesh provojnë një sërë ndjenjash të përbashkëta. Tronditjen dhe mosbesimin e fillimit mund ta pasojë ndjenja e mohimit: ‘S’mund të jetë e vërtetë.’ ‘Duhet të ketë ndonjë gabim.’ ‘Ndoshta kanë ngatërruar analizat.’ Duke përshkruar reagimin e saj kur mori vesh se kishte kancer, një grua tha: «Të vjen të fshihesh diku, me shpresën që kur të dalësh gjithçka do të ketë kaluar.»
Megjithatë, ndërsa kjo bëhet ditë pas dite realiteti i jetës, mohimi mund t’ia lërë vendin disforisë, një ndjenjë trishtimi që të mbulon si re e zezë kërcënuese. ‘Sa kohë do të jetoj?’ ‘A jam i dënuar ta kaloj gjithë pjesën tjetër të jetës me dhembje?’ Ka të ngjarë që këto dhe pyetje të tjera të ngjashme të të mundojnë. Ndoshta dëshiron të kthehesh mbrapa në kohë, para diagnozës, por nuk mundesh. Shpejt mund të gjendesh i gllabëruar në një rrymë ndjenjash të tjera të dhembshme e të fuqishme. Cilat janë disa nga ato?
Pasiguri, ankth, frikë
Një sëmundje e rëndë krijon pasiguri dhe ankth të madh në jetë. «Fakti që jam në një situatë të paparashikueshme është hera-herës shumë acarues,—thotë një burrë me sëmundjen e Parkinsonit.—Duhet të pres dhe të shoh se çfarë do të sjellë çdo ditë.» Sëmundja mund edhe të të frikësojë. Nëse ka goditur pa paralajmërim, mund të ndjesh një frikë shtypëse. Por, nëse diagnoza ka ardhur pasi ke kaluar vite të tëra duke u shqetësuar për simptoma të diagnostikuara gabim, frika mund të jetë më tinëzare. Në fillim mund të provosh, madje, një ndjenjë lehtësimi që më së fundi njerëzit do të të besojnë se je vërtet sëmurë dhe se nuk po i sajon gjërat. Pas pak kohe, ama, lehtësimi mund të pasohet nga një vetëdije e frikshme për atë që përfshin diagnoza.
Mund të të shqetësojë edhe frika se mos humbet kontrollin mbi jetën tënde. Veçanërisht,
nëse njëfarë pavarësie në jetë është diçka e çmuar për ty, mund të të tmerrojë mendimi që të bëhesh gjithnjë e më i varur nga të tjerët. Mund të shqetësohesh se sëmundja po nis të sundojë jetën tënde dhe të të diktojë çdo lëvizje që bën.Zemërim, turp, vetmi
Ndjenja se po e humbet gjithnjë e më shumë kontrollin mbi jetën tënde mund të të shkaktojë edhe zemërim. ‘Përse mua? Ç’kam bërë për ta merituar këtë?’—mund të pyesësh veten. Kjo goditje ndaj shëndetit tënd duket e padrejtë dhe e pakuptimtë. Mund të të pushtojnë edhe ndjenjat e turpit e të dëshpërimit. Një i paralizuar kujton: «Ndihesha kaq i turpëruar që më kishte ndodhur e gjitha kjo nga një aksident koti.»
Veç kësaj, mund të ngecësh në një gjendje veçimi. Veçimi fizik çon kollaj në veçim shoqëror. Nëse sëmundja të kufizon brenda shtëpisë mund të mos jesh më në gjendje të shoqërohesh me miqtë e vjetër. Megjithatë, je i dëshiruar më shumë se kurrë për të komunikuar me njerëz. Pas një vërshimi vizitash e telefonatash të fillimit, gjithnjë e më pak veta mund të vijnë për vizitë ose të të bëjnë një telefonatë.
Duke qenë se ndihesh i lënduar kur sheh që miqtë largohen, mund të kesh reaguar ndaj kësaj përvoje të dhembshme duke u mbyllur në vetvete. Patjetër, është e kuptueshme që mund të të duhet njëfarë kohe para se të përballosh prapë të tjerët. Por, nëse në këtë periudhë lejon që ti vetë të largohesh edhe më shumë nga të tjerët, mund të kalosh nga veçimi shoqëror (kur të tjerët nuk vijnë të të shohin) në veçim emocional (kur ti nuk do që t’i shohësh të tjerët). Sido që të jetë, mund të jesh duke luftuar me ndjenja të forta vetmie. * Nganjëherë ka të ngjarë, madje, që të pyesësh veten nëse do të mund t’ia dalësh edhe një ditë tjetër.
Të mësosh nga të tjerët
Megjithatë, ka shpresë. Nëse kohët e fundit të ka mbërthyer një krizë shëndetësore, mund të ndërmarrësh disa hapa praktikë që do të të ndihmojnë të rifitosh njëfarë kontrolli mbi jetën tënde.
Kuptohet, kjo seri artikujsh nuk do ta zgjidhë problemin tënd kronik shëndetësor, çfarëdo qoftë ai. Gjithsesi, informacionet e paraqitura mund të të ndihmojnë të zbulosh disa mënyra se si të përshtatesh me sëmundjen dhe t’i bësh ballë asaj. Një grua me kancer e përmblodhi kështu me pak fjalë ‘udhëtimin’ e ndjenjave të saj: «Pas mohimit erdhi një zemërim i madh, e pastaj kërkimi për të gjetur mjete shpëtimi.» Edhe ti mund ta bësh këtë kërkim, duke iu drejtuar njerëzve që kanë udhëtuar në të njëjtën rrugë para teje dhe duke mësuar nga ata se si mund të nxjerrësh dobi nga mjetet që ke në dispozicion.
[Shënimi]
^ par. 12 Sigurisht, këto ndjenja të ndryshueshme shumë veta i përjetojnë në shkallë të ndryshme dhe në një radhë të ndryshme.
[Diçitura në faqen 5]
‘Përse mua? Ç’kam bërë për ta merituar këtë?’—mund të pyesësh veten