Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i tregoj ndokujt që jam i dëshpëruar?

A duhet t’i tregoj ndokujt që jam i dëshpëruar?

Të rinjtë pyesin . . .

A duhet t’i tregoj ndokujt që jam i dëshpëruar?

«Kur ndihem i dëshpëruar, në fillim preferoj të mos flas për këtë, pasi njerëzit mund të mendojnë që jam fëmijë problematik. Por pastaj e kuptoj se kam nevojë të flas me dikë, për të marrë ndonjë ndihmë.»​—Alehandro, 13 vjeç.

«Kur ndihem i dëshpëruar, nuk u drejtohem për ndihmë shokëve, se nuk mendoj që ata mund të më ndihmojnë. Vetëm sa do të më vinin në lojë.»​—Arturo, 13 vjeç.

THUAJSE gjithkush bie nganjëherë në trishtim. * Megjithatë, duke qenë se je i ri dhe deri diku pa përvojë, mund të jetë e lehtë të ndihesh i mbytur nga presionet e jetës. Kërkesat nga ana e prindërve, e shokëve dhe e mësuesve; ndryshimet fizike dhe emocionale të pubertetit; ndjenja se je njeri koti, për shkak të ndonjë të mete të vogël​—të gjitha këto mund të bëjnë që të biesh në melankoli e trishtim.

Kur ndodh kjo, është mirë të kesh dikë të cilit mund t’i hapesh. «Sikur të mos kisha mundësi të flisja me ndokënd për problemet e mia, mendoj se do të shpërtheja»,​—thotë Beatrisa 17-vjeçare. Është për të ardhur keq, ama, që shumë të rinj i mbajnë përbrenda shqetësimet e tyre dhe shpesh zhyten thellë e më thellë në dëshpërim. Maria de Jesus Mardomingo, pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë të Madridit, vëren se të rinjtë që arrijnë deri në atë pikë sa përpiqen të kryejnë vetëvrasje, shpesh janë mjaft të vetmuar. Shumë të rinj që kishin mbijetuar pas një përpjekjeje për të vrarë veten thanë se nuk kishin mundur të gjenin as edhe një të rritur me të cilin mund të bisedonin e t’i hapeshin.

Po ti? A ke ndonjë me të cilin të flasësh kur ndihesh i rënë shpirtërisht? Nëse jo, kujt mund t’i drejtohesh për ndihmë?

Fol me prindërit!

Alehandroja, i cituar në fillim, tregon se çfarë bën kur ndihet i dëshpëruar: «Shkoj te mamaja, pasi që kur kam lindur, ajo ka qenë një mbështetje për mua dhe më jep siguri. I drejtohem për ndihmë edhe babait, pasi ai ka kaluar përvoja të ngjashme me të miat. Nëse ndihem keq dhe nuk i tregoj askujt, atëherë ndihem edhe më keq.» Rodolfo, një djalë 11-vjeçar, kujton: «Nganjëherë mësuesi më nënçmonte e më shante, ndaj ndihesha mjaft i trishtuar. Shkoja në banjë për të qarë. Pastaj, më vonë, flisja me mamanë dhe ajo më ndihmonte ta zgjidhja problemin. Po të mos flisja me të, ndihesha edhe më i trishtuar.»

A ke menduar të bësh një bisedë të hapur me prindërit e tu? Ndoshta mendon se nuk i kuptojnë dot problemet e tua. Por a është vërtet kështu? Ata mund të mos i kuptojnë plotësisht të gjitha presionet që hasin të rinjtë në botën e sotme. Megjithatë, a nuk është e vërtetë se të njohin ndoshta më mirë nga kushdo tjetër në botë? Alehandroja thotë: «Nganjëherë prindërit nuk e kanë të lehtë të bashkohen me ndjenjat e mia dhe ta kuptojnë tamam se si ndihem.» Sidoqoftë, ai pranon: «E di se mund t’u drejtohem atyre për ndihmë.» Shpesh të rinjtë befasohen kur shohin se sa mirë i kuptojnë prindërit problemet e tyre. Duke qenë se janë më të mëdhenj dhe kanë më shumë përvojë, shpesh ata mund të japin këshilla të dobishme, e kjo është veçanërisht e vërtetë nëse kanë përvojë në zbatimin e parimeve biblike.

«Kur flas me prindërit, marr inkurajim dhe zgjidhje praktike për problemet e mia»,​—thotë Beatrisa, e cituar më sipër. Me arsye të vlefshme, pra, Bibla u jep këtë këshillë të rinjve: «Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate. Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.»​—Fjalët e urta 6:20; 23:22.

Sigurisht, është e vështirë t’u hapesh prindërve nëse ke një marrëdhënie të ftohtë me ta. Sipas dr. Katalina Gonzalez Forteza, një studim i kryer midis nxënësve të shkollave të mesme tregoi se ata të cilët pohuan se ishin përpjekur të bënin vetëvrasje kishin vlerësim të paktë për veten dhe një marrëdhënie të ftohtë me prindërit. Në të kundërtën, të rinjtë që i shmangin këto mënyra të menduari vetëshkatërruese janë zakonisht «ata që gëzojnë një marrëdhënie të mirë me mamanë dhe babanë e tyre».

Ndaj, puno me mençuri për të kultivuar një marrëdhënie të mirë me prindërit. Bëje zakon të bisedosh me ta rregullisht. Tregoju çfarë të ndodh në jetë. Bëju pyetje. Këto biseda të thjeshta mund ta bëjnë më të lehtë t’u afrohesh nëse ke një problem serioz.

Të flasësh me një mik

Por, a s’do të ishte më e lehtë të shkoje te një bashkëmoshatar për t’i treguar problemet e tua? Vërtet, është mirë të kesh miq të cilëve mund t’u besosh. Në Fjalët e urta 18:24 thuhet se «ekziston një mik që është më i afërt se një vëlla». (BR) Por, edhe pse mund të bashkohen me ndjenjat e tua dhe të të mbështetin, bashkëmoshatarët mund të mos të japin gjithnjë këshillën më të mirë. Në fund të fundit, zakonisht ata nuk kanë më shumë përvojë sesa ti në jetë. Të kujtohet Rehoboami? Ai ishte mbret në kohët biblike. Në vend që të pranonte këshillën e burrave të pjekur e me përvojë, dëgjoi moshatarët. Rezultati? Një katastrofë e vërtetë! Rehoboami humbi si mbështetjen e shumicës së kombit të tij, ashtu edhe miratimin e Perëndisë.​—1 Mbretërve 12:8-19.

Një problem tjetër kur u hapesh bashkëmoshatarëve mund të jetë çështja e mirëbesimit. Arturoja, i cituar në fillim, vëren: «Shumica e djemve që njoh, kur ndihen të trishtuar flasin me shokët. Por, më pas, shokët e tyre ia zbulojnë gjithçka të tjerëve dhe tallen me ta.» Gabriela 13-vjeçare pati një përvojë të ngjashme. Ajo thotë: «Një ditë zbulova që shoqja ime ia tregonte punët e mia personale një shoqes së vet, kështu që nuk pata më besim tek ajo. Vërtet, unë flas me ata të moshës sime, por përpiqem të mos u tregoj gjëra që mund të më prekin keq në rast se ata do t’ua rrëfenin të tjerëve.» Prandaj kur je duke kërkuar ndihmë, është e rëndësishme të gjesh dikë që ‘nuk e zbulon sekretin e një tjetri’. (Fjalët e urta 25:9) Ka më shumë të ngjarë që një person i tillë të jetë ndokush që është më i madh se ti.

Kështu që, nëse për ndonjë arsye nuk arrin të gjesh mbështetje në shtëpi, s’ka ndonjë të keqe të gjesh një mik që t’i hapesh, por sigurohu që ai ose ajo ka përvojë në jetë dhe njohuri për parimet biblike. Në kongregacionin lokal të Dëshmitarëve të Jehovait ka pa dyshim individë që i përshtaten këtij përshkrimi. Liljana 16-vjeçare thotë: «U jam hapur disa motrave të krishtere dhe kjo ka qenë një gjë mjaft e mirë. Duke qenë se janë më të mëdha se unë në moshë, këshillat e tyre janë të shëndetshme. Janë bërë miket e mia.»

Po sikur të kesh nisur të dobësohesh edhe nga ana frymore? Ndoshta ke qenë aq i trishtuar, sa ke filluar të lësh pas dore lutjen ose leximin e Biblës. Në Jakovin 5:14, 15, Bibla jep këtë këshillë: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten mbi të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. Dhe lutja e besimit do t’ia kthejë shëndetin të pamundurit dhe Jehovai do ta ngrejë.» Në kongregacionin lokal të Dëshmitarëve të Jehovait ka pleq të cilët kanë përvojë për t’i ndihmuar ata persona që janë të shkurajuar ose të sëmurë frymësisht. Ndihu i lirë të flasësh me ta. Bibla thotë se këta burra mund të jenë «si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit».​—Isaia 32:2.

«Kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë»

Gjithsesi, burimi më i mirë i ndihmës është «Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Kur je i trishtuar dhe i dëshpëruar, ndiq këshillën e Filipianëve 4:6, 7: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Jehovai është gjithmonë i gatshëm të të dëgjojë. (Psalmi 46:1; 77:1) E disa herë lutja është gjithçka që të nevojitet për t’u shtendosur mendërisht.

Nëse herë pas here ndihesh i trishtuar a i dëshpëruar, mbaj mend gjithnjë se të njëjtat ndjenja i kanë përjetuar edhe shumë të rinj të tjerë. Me kalimin e kohës, këto ndjenja zakonisht largohen. Por, ndërkohë, mos vuaj i vetëm. Thuaji ndokujt që ndihesh keq. Në Fjalët e urta 12:25 pohohet: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.» Si merret kjo «fjalë e mirë» inkurajimi? Duke i treguar dikujt​—dikujt që ka përvojë, njohuri dhe mençuri hyjnore, që të të japë ngushëllimin dhe ndihmën që të nevojitet.

[Shënimi]

^ par. 5 Nëse ndjenjat e trishtimit nuk të shqiten, kjo mund të jetë shenjë e një çrregullimi serioz emocional ose fizik. Rekomandohet vëmendje e menjëhershme nga ana mjekësore. Shih artikullin «Të fitojmë betejën kundër depresionit», në numrin e 1 marsit 1990 të revistës sonë shoqëruese Kulla e Rojës, anglisht.

[Diçitura në faqen 14]

«Kur flas me prindërit, marr inkurajim dhe zgjidhje praktike»

[Figura në faqen 15]

Zakonisht prindërit me frikë Perëndie, dhe jo bashkëmoshatarët, janë në pozitën më të mirë për të të dhënë këshilla