Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të bashkohet bota?

A do të bashkohet bota?

A do të bashkohet bota?

VITET e fundit, miliona njerëz në Evropën Lindore e gjetkë kanë vuajtur pasojat e luftërave përçarëse. Megjithatë, edhe mes valës së këtyre konflikteve të egra, mijëra njerëz në këto vende të copëtuara nga lufta qenë në gjendje të kultivojnë e të mbajnë një unitet të vërtetë mes tyre. Le të vërejmë disa shembuj.

Në vitin 1991, afro 15 000 njerëz nga kombe të ndryshme u mblodhën në Zagreb, Kroaci. Një polic që u ndodh mes tyre u ndie i nxitur të vërente: «Do të ishte mirë t’i tregonim mas medias se çfarë po ndodh në këtë stadium, pikërisht këtu, ku shikojmë serbë, kroatë, sllovenë, malazezë e njerëz të tjerë të ulur pranë njëri-tjetrit në paqe.» Cili është shkaku i këtij uniteti të pazakontë?

Në vitin 1993, në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, u mbajt një kongres edhe më i madh ndërkombëtar me temën «Mësimi hyjnor». Pati një pjesëmarrje maksimale prej afro 65 000 vetash. Në faqen e parë të Evening Kiev thuhej: «Dëshmitarët e Jehovait . . . janë të bashkuar jo thjesht nga dinstiktivët blu, ku shkruhet ‘Mësimi hyjnor’, por nga besimi i vërtetë.»

Mësimi hyjnor: Një forcë bashkuese

A e keni pyetur veten përse Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë unitet, ndërkohë që mungesa e unitetit përreth tyre është me bollëk? Profesori polak Vojçek Moxhelevski e identifikon arsyen, duke vërejtur për Dëshmitarët: «Faktori kyç i qëndrimit të tyre paqësor është vendosmëria për të ndjekur qysh tani parimet e zbuluara në Bibël.» Vërtet, Dëshmitarët anekënd botës janë të bashkuar nëpërmjet mësimit hyjnor të Krijuesit, Perëndisë Jehova. Çfarë është ky mësim?

Jezu Krishti nxori në pah një parim të rëndësishëm bashkues kur tha në lidhje me ithtarët e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, sikurse edhe unë nuk jam pjesë e botës.» Pikërisht, qëndrimi asnjanës që mbajnë Dëshmitarët e Jehovait kudo qofshin i bashkon. Kjo është në harmoni me fjalët që tha Jezui, kur u lut: «Lutem . . . që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, Atë, je në unitet me mua dhe unë në unitet me ty, edhe ata të jenë në unitet me ne.»​—Gjoni 17:16-21, BR.

Ky qëndrim asnjanës është një forcë bashkuese, sepse i nxit Dëshmitarët në çdo pjesë të botës të veprojnë sipas asaj që vërejti profeti Isaia për tërë ata njerëz, të cilëve Perëndia ‘do t’u mësojë rrugët e tij’. Isaia tha se këta persona ‘do t’i farkëtonin shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj’. Profeti vazhdoi: «Një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»​—Isaia 2:2-4.

Uniteti dhe paqja që u vërejtën në kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait në Evropën Lindore gjatë dekadës së fundit ilustrojnë se profecia e Isaisë tashmë po përmbushet në një shkallë të vogël. Në Evropë dhe gjetkë, Dëshmitarët, në mënyrë të figurshme, i kanë farkëtuar shpatat e tyre në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj. Si rezultat, ata gëzojnë sot paqe e unitet në këtë botë të përçarë. Nuk është për t’u habitur që në kryeartikullin e një gazete njëherë pohohej: «Sikur e gjithë bota të jetonte sipas kredos [biblike] të Dëshmitarëve [të Jehovait], do t’i ishte dhënë fund gjakderdhjes e urrejtjes dhe dashuria do të mbretëronte si mbret!» A do të jetë ndonjëherë kështu?

Si do të arrihet uniteti botëror?

Për të sjellë unitetin në mbarë tokën, duhet diçka më shumë se një grup relativisht i vogël njerëzish qëllimmirë. Nevojitet edhe një qeveri që ka fuqinë të kufizojë ndikimin e atyre që veprojnë kundër unitetit e paqes. Në fakt, Jezui i mësoi ithtarët e tij që të luteshin tamam për një qeveri të tillë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» (Mateu 6:10) Po, Jezui tregoi se vetëm një qeveri e vendosur nga Perëndia, «mbretëria e qiejve», mund t’u japë zgjidhje problemeve të botës, duke përfshirë edhe problemin e mungesës së unitetit.​—Mateu 4:17.

Jezu Krishti është Mbreti i kësaj Mbretërie qiellore. Nën qeverisjen e tij, njerëzit në tokë do të përjetojnë një kohë të paparë ndonjëherë me paqe e unitet. Ky unitet mbarëbotëror nuk do të arrihet si rezultat i reformave ekonomike të njeriut. Vetëm një qeveri botërore në duart e ‘Princit të paqes’ mund ta bëjë këtë gjë.​—Isaia 9:5, 6.

Padrejtësitë e sotme, që shkaktohen shpesh nga varfëria dhe abuzimi me pushtetin, nuk do të tolerohen nga Princi i paqes. Bibla premton: «Gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë. Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna . . . Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve [do të ketë vërshim, BR].»​—Psalmi 72:11, 12, 14, 16.

Nën qeverisjen e Krishtit, edhe papunësia do të jetë një gjë e së shkuarës. Profeti Isaia thotë: «Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.» (Isaia 65:22) Imagjino, çdo njeri në tokë do të mund të bëjë një punë të dobishme e të kënaqshme!

Unitet i vërtetë: Kur?

Por, kur do të fillojë sundimi i Krishtit mbi tokën? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Jezu Krishti e drejtoi vëmendjen te një kohë që do të karakterizohej nga luftëra, lajme për luftëra, sëmundje, tërmete dhe ngjarje të tjera. Megjithatë, ai e drejtoi vëmendjen edhe te një aspekt pozitiv​—një predikim mbarëbotëror i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:3-14; Luka 21:11) Këto ngjarje, siç tha Jezui, do të arrijnë pikën kulmore në një «mjerim të madh», i cili do të lajmërojë për një ndryshim tërësor të qeverisjes për tokën. (Mateu 24:21) Lexoni fjalimin e tij, të dokumentuar në kapitullin 24 të Mateut dhe në kapitullin 21 të Lukës. Krahasoni kushtet që parathotë ai me kushtet që vëreni në botë. Nuk mund të mos e vërejmë se tani po jetojmë në prag të ndërhyrjes së Perëndisë në format e qeverisjes të krijuara nga njeriu. Mbretëria e Tij, me Jezu Krishtin si Mbret, do të marrë në dorë sundimin. Një botë e bashkuar është pranë!

Por mbetet akoma një pyetje: Çfarë duhet të bëni ju për të parë përmbushjen e këtij premtimi? Duke qenë se Bibla luan një rol të rëndësishëm në perspektivat e njerëzimit për të ardhmen, është e mençur që të bëni një përpjekje për ta njohur më mirë Biblën. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait do t’ju vizitonin me kënaqësi në shtëpinë tuaj, që të drejtojnë me ju një studim biblik pa pagesë. * Nëse pranoni, s’do t’ju duhet shumë kohë për të kuptuar se uniteti botëror është fare afër e se edhe ju mund të merrni pjesë në të!

[Shënimi]

^ par. 17 Nëse dëshironi të merrni më shumë informacion për këtë program të studimit të Biblës, vihuni në kontakt me botuesit e kësaj reviste ose me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.

[Figurat në faqet 8, 9]

Anekënd botës, Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë një unitet të jashtëzakonshëm

Kiev, Ukrainë

Zagreb, Kroaci

[Figura në faqen 10]

Qëllimi i Perëndisë është që njerëzimi të bëhet një familje e bashkuar mbarëbotërore