MËSIMI 22
Mrekulli në Detin e Kuq
Sapo faraoni mori vesh se izraelitët kishin ikur nga Egjipti, u bë pishman që i la të shkonin. Ai u dha urdhër ushtarëve të tij: ‘Bëni gati të gjitha karrocat e luftës që t’i ndjekim! Nuk duhej t’i kishim lënë të lirë!’ Ata u nisën që të ndiqnin izraelitët.
Jehovai e drejtonte popullin e tij me anë të një reje ditën dhe me anë të një zjarri natën. Ai i çoi drejt Detit të Kuq dhe u tha të ngrinin kampin aty.
Më vonë, izraelitët panë se faraoni dhe ushtria e tij po i ndiqnin. Ata ishin zënë në kurth midis detit dhe ushtrisë egjiptiane. Të frikësuar, i thanë Moisiut: ‘Do të vdesim! Duhet të na kishe lënë në Egjipt.’ Por Moisiu u tha: ‘Mos kini frikë. Pritni e shihni se si do të na shpëtojë Jehovai.’ Moisiu kishte vërtet besim te Jehovai, apo jo?
Jehovai u tha izraelitëve të ngrinin kampin e të bëheshin gati për të ikur. Atë natë, Jehovai e lëvizi renë dhe e vuri midis egjiptianëve dhe izraelitëve. Në anën e egjiptianëve kishte errësirë, kurse në anën e izraelitëve kishte dritë.
Jehovai i tha Moisiut ta shtrinte dorën drejt detit. Pastaj, Jehovai bëri që tërë natën të frynte një erë e fortë. Deti u nda
më dysh dhe në mes u krijua një rrugë. Miliona izraelitë ecën nëpër tokë të thatë, midis mureve të ujit, dhe kaluan në anën tjetër.Ushtria e faraonit i ndoqi izraelitët nëpër shtratin e thatë të detit. Më pas, Jehovai e bëri rrëmujë ushtrinë. Karrocave filluan t’u dilnin rrotat. Ushtarët bërtitnin: ‘Ikim që këtu! Jehovai po lufton për ta.’
Jehovai i tha Moisiut: ‘Shtrije dorën në drejtim të detit.’ Në çast, muret e ujit vërshuan mbi ushtrinë egjiptiane. Faraoni dhe të gjithë njerëzit e tij vdiqën. Asnjëri nuk shpëtoi.
Nga ana tjetër e detit, turma e madhe e njerëzve i dha lavdi Perëndisë me një këngë: «Më lini t’i këndoj Jehovait, sepse shumë është lartësuar; kalin dhe kalorësin në det i ka flakëruar.» Ndërsa populli këndonte, gratë kërcenin dhe u binin dajreve. Të gjithë ishin shumë të lumtur sepse tani ishin vërtet të lirë.
«Kështu mund të themi plot guxim: ‘Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!’»—Hebrenjve 13:6