MËSIMI 100
Pavli dhe Timoteu
Timoteu ishte një vëlla i ri në moshë që shërbente në kongregacionin e Listrës. Babanë e kishte grek dhe mamanë judeje. Mamaja e tij, Eunika, dhe gjyshja e tij, Loida, i mësuan Timoteut për Jehovain që kur ishte i vogël.
Kur Pavli vizitoi Listrën gjatë udhëtimit të dytë misionar, vuri re që Timoteu i donte vërtet vëllezërit dhe mezi priste t’i ndihmonte. Pavli e ftoi Timoteun të udhëtonte me të. Me kalimin e kohës, e stërviti Timoteun të ishte predikues dhe mësues i shkëlqyer i lajmit të mirë.
Pavli dhe Timoteu shkonin kudo që i drejtonte fryma e shenjtë. Një natë, në një vegim, një burrë i tha Pavlit të shkonte në Maqedoni e t’i ndihmonte. Kështu, Pavli, Timoteu, Sila dhe Luka shkuan atje për të predikuar dhe për të formuar kongregacione.
Në qytetin maqedonas të Selanikut, shumë burra e gra u bënë të krishterë. Por disa judenj ishin xhelozë për Pavlin dhe shokët e tij. Mblodhën një turmë, i tërhoqën zvarrë vëllezërit te krerët e qytetit dhe thoshin duke bërtitur: ‘Këta burra janë armiq të qeverisë romake!’ Jeta e Pavlit dhe e Timoteut ishte në rrezik, kështu që, gjatë natës, ikën në Bere.
Njerëzit në Bere ishin të etur për të mësuar lajmin e mirë, ndaj grekë e judenj u bënë besimtarë. Por, kur disa judenj erdhën nga Selaniku dhe nxitën trazira, Pavli iku në Athinë. Timoteu dhe Sila qëndruan në Bere për të forcuar vëllezërit. Me kalimin e kohës, Pavli dërgoi përsëri në Selanik Timoteun për të ndihmuar vëllezërit që të përballonin përndjekjen e
ashpër. Më vonë, Pavli e dërgoi Timoteun të vizitonte shumë kongregacione të tjera dhe t’i inkurajonte.Pavli i tha Timoteut: ‘Ata që duan t’i shërbejnë Jehovait do të përndiqen.’ Në fakt, për shkak të besimit, edhe Timoteu u përndoq dhe u burgos. Por ishte i lumtur që mund të tregonte besnikëri ndaj Jehovait.
Pavli u tha filipianëve: ‘Po ju dërgoj Timoteun. Ai do t’ju mësojë se ç’do të thotë të jetoni si shërbëtorë të Jehovait dhe do t’ju stërvitë në shërbim.’ Pavli kishte besim te Timoteu. Ata bashkëpunuan si miq për shumë vjet.
«Nuk kam askënd tjetër me natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për ju, pasi gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Jezu Krishtit.»—Filipianëve 2:20, 21