Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 72

Ndërsa Jezui rritet

Ndërsa Jezui rritet

Jozefi dhe Maria jetuan në Nazaret me Jezuin dhe fëmijët e tjerë. Jozefi e mbante familjen duke punuar si zdrukthëtar dhe u mësonte për Jehovain dhe Ligjin e tij. Familja shkonte rregullisht në sinagogë që të adhuronte Jehovain dhe 1 herë në vit shkonin në Jerusalem për Festën e Kalimit.

Kur Jezui ishte 12 vjeç, familja bashkë me farefisin bëri si zakonisht udhëtimin e gjatë për në Jerusalem. Qyteti ishte plot me njerëz që kishin ardhur për Festën e Kalimit. Kur festa mbaroi, Jozefi dhe Maria morën rrugën për në shtëpi dhe menduan se Jezui ishte me të afërmit. Por, kur filluan ta kërkonin mes tyre, nuk e gjetën.

U kthyen në Jerusalem dhe e kërkuan djalin për tri ditë. Në fund, shkuan në tempull. Jezui ishte atje, i ulur mes mësuesve, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke bërë pyetje të thella. Mësuesve u bëri kaq shumë përshtypje, saqë filluan t’i bënin pyetje. U mahnitën nga përgjigjet e tij dhe panë se ai e kuptonte Ligjin e Jehovait.

Jozefi dhe Maria ishin shumë të shqetësuar. Maria i tha: ‘Të kemi kërkuar gjithandej mor bir! Ku ishe?’ Jezui i tha: «A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?»

Jezui u kthye me prindërit në shtëpi, në Nazaret. Jozefi i mësoi Jezuit zanatin e zdrukthëtarit. Si mendon, çfarë cilësish kishte Jezui kur ishte i vogël? Ndërsa rritej, Jezui fitonte gjithnjë e më shumë mençuri dhe pëlqimin e Perëndisë e të njerëzve.

«O Perëndia im, s’kam tjetër kënaqësi veç të bëj vullnetin tënd dhe ligjin tënd e kam thellë në zemër.»—Psalmi 40:8