Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 60

Një mbretëri që do të qëndrojë përgjithmonë

Një mbretëri që do të qëndrojë përgjithmonë

Një natë, mbreti Nabukodonosor pa një ëndërr të çuditshme. Kaq shumë e shqetësoi, saqë nuk e zinte më gjumi. Ai thirri gjithë magjistarët dhe u tha: ‘Ma shpjegoni ëndrrën!’ Ata e pyetën: ‘O mbret, na thuaj, çfarë pe në ëndërr?’ Por Nabukodonosori u tha: ‘Jo! Ju më thoni çfarë pashë, përndryshe ju vrava!’ Përsëri ata i thanë: ‘Na thuaj çfarë pe dhe pastaj do të ta shpjegojmë.’ Ai ua ktheu: ‘Të gjithë ju po përpiqeni të ma hidhni. Më thoni çfarë pashë në ëndërr!’ Kështu ata iu përgjigjën mbretit: ‘S’ka njeri në tokë që mund ta bëjë këtë. Ajo që po kërkon është e pamundur.’

Nabukodonosori u zemërua aq shumë sa urdhëroi të vriteshin gjithë burrat e mençur të vendit. Këtu futeshin edhe Danieli, Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja. Danieli i kërkoi mbretit që t’i jepte pak kohë. Pastaj ai dhe shokët e tij iu lutën Jehovait dhe i kërkuan ndihmë. Çfarë bëri Jehovai?

Në një vegim, Jehovai i tregoi Danielit ëndrrën e Nabukodonosorit dhe kuptimin e saj. Të nesërmen, Danieli shkoi te shërbëtori i mbretit dhe i tha: ‘Mos vrit asnjë nga burrat e mençur. Mund ta shpjegoj unë ëndrrën e mbretit.’ Shërbëtori e çoi Danielin te Nabukodonosori. Danieli i tha mbretit: ‘Perëndia të ka zbuluar të ardhmen. Kjo është ëndrra jote: ti pe një shëmbëlltyrë të madhe me kokën prej ari, kraharori dhe krahët prej argjendi, barkun dhe kofshët prej bakri, kërcinjtë prej hekuri dhe këmbët prej hekuri përzier me argjilë. Pastaj një gur u shkëput nga mali dhe goditi këmbët e shëmbëlltyrës. Shëmbëlltyra u thërrmua dhe u shpërnda në erë si pluhur. Guri u bë një mal i madh dhe mbushi tokën.’

Më pas Danieli tha: ‘Ky është kuptimi i ëndrrës sate: koka prej ari është mbretëria jote. Argjendi është një mbretëri që do të vijë pas teje. Pastaj do të vijë një mbretëri si bakri, e cila do të sundojë mbi tërë tokën. Një tjetër mbretëri do të jetë e fortë si hekuri. Në fund, do të vijë një mbretëri e përçarë, me disa pjesë të forta si hekuri dhe me disa pjesë të dobëta si argjila. Guri që u bë një mal, është Mbretëria e Perëndisë. Ai do t’i thërrmojë të gjitha këto mbretëri dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.’

Nabukodonosori u përkul para Danielit me fytyrë përdhe dhe tha: ‘Perëndia yt ta zbuloi këtë ëndërr. Nuk ka Perëndi tjetër si ai.’ Në vend që ta vriste Danielin, Nabukodonosori e vuri në krye të të gjithë burrave të mençur dhe e bëri sundimtar në provincën e Babilonisë. E shikon si iu përgjigj Jehovai lutjes së Danielit?

«Ato i mblodhën mbretërit së bashku në vendin që në hebraisht quhet Armagedon.»—Zbulesa 16:16