Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 47

Një hajdut në Izrael

Një hajdut në Izrael

SHIKO çfarë po gropos ky burrë në tendën e tij! Një rrobë të bukur, një copë ari dhe disa monedha argjendi. I ka marrë nga qyteti i Jerikosë. Por, çfarë duhej bërë me sendet e Jerikosë? A të kujtohet?

Duhej të shkatërroheshin, kurse ari e argjendi duheshin çuar në thesarin e tabernakullit të Jehovait. Pra, këta njerëz nuk i janë bindur Perëndisë. Ata kanë vjedhur një gjë që i takon Perëndisë. Burrin e quajnë Akan dhe këta përreth tij janë pjesëtarë të familjes së tij. Le të shohim çfarë ndodhi.

Pasi Akani vjedh këto sende, Josiu dërgon disa njerëz për të luftuar kundër qytetit të Ait. Por ata e humbin betejën. Disa vriten dhe ata që mbeten ia mbathin me vrap. Josiu është shumë i trishtuar. Ai përkulet me fytyrë në tokë dhe i lutet Jehovait: ‘Pse ke lejuar që të na ndodhë kjo?’

Jehovai përgjigjet: ‘Çohu! Izraeli ka mëkatuar. Kanë marrë disa prej gjërave që duheshin shkatërruar ose i duheshin dhuruar tabernakullit të Jehovait. Kanë vjedhur një rrobë të bukur dhe e kanë fshehur. Unë nuk do t’ju bekoj, derisa ta shkatërroni atë që e ka marrë, bashkë me këto sende.’ Jehovai i thotë Josiut se do t’i tregojë se cili është njeriu i keq.

Kështu, Josiu mbledh gjithë popullin dhe Jehovai zbulon njeriun e keq, Akanin. Akani thotë: ‘Kam mëkatuar. Pashë një rrobë të bukur, një copë ari dhe disa monedha argjendi. I dëshirova aq shumë, sa i mora. Do t’i gjesh të groposura brenda tendës sime.’

Kur sendet i gjejnë dhe i sjellin te Josiu, ai i thotë Akanit: ‘Pse na ke futur në telashe? Tani Jehovai do të të shkaktojë ty telashe!’ Pastaj të gjithë njerëzit e vrasin Akanin dhe familjen e tij, duke i qëlluar me gurë. A nuk tregon kjo se s’duhet të marrim kurrë gjëra që nuk na takojnë?

Pas kësaj, Izraeli shkon përsëri për të luftuar kundër Ait. Këtë herë Jehovai e ndihmon popullin dhe ata e fitojnë betejën.