Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 11

Ylberi i parë

Ylberi i parë

A E DI çfarë bëri në fillim fare Noeja kur doli nga arka bashkë me familjen? I bëri një blatim ose dhuratë Perëndisë. Mund ta shikosh këtë në figurën poshtë. Noeja bëri këtë dhuratë duke flijuar kafshë për ta falënderuar Perëndinë që ia shpëtoi familjen nga përmbytja e madhe.

A mendon se Jehovai ishte i kënaqur me dhuratën? Po, ishte. Prandaj, i premtoi Noesë se nuk do ta shkatërronte kurrë më botën me përmbytje.

Shpejt, e gjithë toka u tha, prandaj Noeja dhe familja e tij filluan një jetë të re jashtë arkës. Perëndia i bekoi dhe u tha: ‘Duhet të keni shumë fëmijë. Duhet të shtoheni, derisa të ketë njerëz që të jetojnë në tërë tokën.’

Por më vonë, kur njerëzit të dëgjonin për përmbytjen e madhe, mund të frikësoheshin se mos ajo ndodhte prapë. Prandaj, Perëndia bëri diçka që do t’u kujtonte njerëzve premtimin e tij, se nuk do ta përmbytë më kurrë të gjithë tokën. A e di çfarë u dha që të kujtonin këtë? Një ylber.

Ylberin mund ta shohim shpesh në qiell kur pushon shiu dhe del dielli. Ylberi ka shumë ngjyra të bukura. A ke parë ndonjëherë ylber? E sheh atë që është në figurë?

Ja çfarë tha Perëndia: ‘Unë premtoj që kurrë më s’do të shkatërrohen gjithë njerëzit dhe kafshët me anë të një përmbytjeje. Po vendos ylberin tim në re. Kur të dalë ylberi, unë do ta shikoj dhe do të kujtoj këtë premtim që po bëj.’

Prandaj, çfarë duhet të kujtosh kur të shohësh një ylber? Po, premtimin e Perëndisë se nuk do ta shkatërrojë kurrë më botën me një përmbytje të madhe.