Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 30

Kaçuba që digjej

Kaçuba që digjej

MOISIU kishte ardhur gjer në malin Horeb që të kërkonte bar për delet e tij. Këtu pa një kaçubë që kishte marrë zjarr, por nuk digjej!

‘Sa e çuditshme,—mendoi Moisiu.—Do të afrohem ta shikoj më mirë.’ Kur u afrua, nga kaçuba u dëgjua një zë që i tha: ‘Mos u afro më. Hiqi sandalet, sepse po qëndron në tokë të shenjtë.’ Ishte Perëndia që po fliste nëpërmjet një engjëlli, prandaj Moisiu mbuloi fytyrën.

Pastaj Perëndia tha: ‘Kam parë sa po vuan populli im në Egjipt. Prandaj, do t’i çliroj dhe do të të dërgoj ty që ta nxjerrësh popullin tim nga Egjipti.’ Jehovai do ta çonte popullin e tij në vendin e bukur të Kanaanit.

Por Moisiu tha: ‘Unë nuk jam askush. Si mund ta bëj këtë? Po ja, ta zëmë se shkova. Izraelitët do të më thonë: “Kush të ka dërguar?” Çfarë duhet të them?’

—Duhet të thuash kështu,—u përgjigj Perëndia.—‘JEHOVAI, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar te ju.’ Dhe Jehovai shtoi: ‘Ky është emri im përgjithmonë.’

—Po nëse nuk më besojnë kur t’u them se më dërgove ti?—vazhdoi Moisiu.

—Çfarë ke në dorë?—e pyeti Perëndia.

—Një shkop,—u përgjigj Moisiu.

—Hidhe në tokë,—tha Perëndia. Kur Moisiu e hodhi, shkopi u kthye në gjarpër. Pastaj Jehovai i tregoi Moisiut një mrekulli tjetër. I tha: ‘Fute dorën brenda rrobës që ke veshur.’ Moisiu e futi dorën dhe kur e nxori ishte e bardhë si bora! Dora dukej sikur kishte një sëmundje të keqe të quajtur lebër. Pastaj dora iu shërua. Veç kësaj, Jehovai i dha Moisiut fuqi për të bërë një mrekulli të tretë. Në fund i tha: ‘Kur të bësh këto mrekulli, izraelitët do të besojnë se të kam dërguar unë.’

Atëherë, Moisiu shkoi në shtëpi dhe i tha Jetroit: ‘Të lutem, më lër të kthehem te njerëzit e mi në Egjipt që t’i shoh si janë.’ Kështu Jetroi u përshëndet me Moisiun dhe ky u nis për në Egjipt.