Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 7

Një burrë trim

Një burrë trim

KUR numri i njerëzve në tokë filloi të rritej, shumë prej tyre bënin gjëra të këqija si Kaini. Por një njeri ishte ndryshe. Është ky burri këtu, që quhet Enok. Enoku ishte një burrë trim. Të gjithë njerëzit përreth tij bënin gjëra shumë të këqija, por Enoku vazhdonte t’i shërbente Perëndisë.

A e di pse ata njerëz bënin kaq shumë gjëra të këqija? Mendo pak: kush e shtyu Adamin dhe Evën të mos i bindeshin Perëndisë dhe të hanin frytin që Perëndia u kishte thënë të mos e hanin? Po, ishte një engjëll i keq. Bibla e quan atë Satana. Ai po përpiqet ta shtyjë çdo njeri që të bëhet i keq.

Një ditë Perëndia Jehova, me anë të Enokut, u tha njerëzve diçka që ata nuk donin ta dëgjonin. Ja çfarë u tha Enoku: ‘Një ditë Perëndia do t’i shkatërrojë të gjithë njerëzit e këqinj.’ Njerëzit me siguri do të jenë zemëruar shumë kur dëgjuan këtë. Madje mund të jenë përpjekur ta vrasin Enokun. Kështu që Enoku duhej të ishte shumë trim që t’u tregonte njerëzve çfarë do të bënte Perëndia.

Perëndia nuk e la Enokun të jetonte për një kohë të gjatë midis këtyre njerëzve të këqij. Enoku jetoi vetëm 365 vjet. Pse themi «vetëm 365 vjet»? Sepse njerëzit e atyre kohëve ishin shumë më të fortë se tani dhe jetonin shumë më gjatë. Mendo, djali i Enokut, Metuselahu, jetoi 969 vjet.

Pasi vdiq Enoku, njerëzit u bënë edhe më të këqij. Bibla thotë se ata ‘gjithë kohës mendonin vetëm gjëra të këqija’ dhe se ‘toka u mbush me dhunë’.

A e di një arsye pse në tokë kishte shumë trazira në ato ditë? Sepse Satanai kishte gjetur një mënyrë tjetër se si t’i shtynte njerëzit të bënin gjëra të këqija. Në tregimin tjetër, do të mësojmë për këtë.