Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 28

«Vetëm ti je besnik»

«Vetëm ti je besnik»

1, 2. Pse mund të thuhet që për mbretin David jobesnikëria s’ishte një gjë e panjohur?

PËR mbretin David jobesnikëria s’ishte një gjë e panjohur. Gjatë mbretërimit të tij të trazuar pati një periudhë që ishte e mbushur me intriga, pasi disa bashkëkombës komplotuan kundër tij. Për më tepër, Davidin e tradhtuan disa njerëz për të cilët ne do të mendonim se ishin shokët e tij më të ngushtë. Merr, për shembull, Mikalën, gruan e parë të Davidit. Në fillim ajo «ishte e dashuruar me Davidin» dhe pa dyshim e mbështeste në detyrat e tij si mbret. Por më vonë «filloi ta përbuzte në zemër të vet», duke e quajtur madje «një kokëbosh».​—1 Samuelit 18:20; 2 Samuelit 6:16, 20.

2 Një tjetër ishte Ahithofeli, këshilltari personal i Davidit. Këshilla e tij vlerësohej sikur të ishte fjala e drejtpërdrejtë e Jehovait. (2 Samuelit 16:23) Por, në fund, ky mik i besuar u kthye në tradhtar dhe u bashkua në një kryengritje të organizuar kundër Davidit. E kush ishte nxitësi i këtij komploti? Absalomi, i biri i Davidit! Ky oportunist mashtrues «fitonte zemrat e njerëzve të Izraelit», duke e shpallur veten si një mbret rival. Kryengritja e Absalomit mori një vrull të atillë, saqë mbreti David u detyrua t’ia mbathte për të shpëtuar jetën.​—2 Samuelit 15:1-6, 12-17.

3. Çfarë sigurie kishte Davidi?

3 Por, askush nuk i qëndroi besnik Davidit? Gjatë gjithë vështirësive që kaloi, Davidi e dinte që ekzistonte një person që i qëndronte besnik. Kush ishte ky? Askush tjetër veç Perëndisë Jehova. «Me atë që është besnik ti do të veprosh me besnikëri»,​—tha Davidi për Jehovain. (2 Samuelit 22:26) Çfarë është besnikëria, dhe si na jep Jehovai shembullin më të lartë të kësaj cilësie?

Çfarë është besnikëria?

4, 5. (a) Çfarë është ‘besnikëria’? (b) Si ndryshon besnikëria nga besueshmëria?

4 Besnikëria, siç përdoret në Shkrimet Hebraike, është mirëdashje që me dashuri lidhet pas një objekti dhe nuk largohet prej tij derisa të përmbushet qëllimi që ka për të. Përfshihet diçka më shumë se besueshmëria. Fundja një njeri mund të jetë i besueshëm thjesht nga ndjenja e detyrës. Në dallim nga kjo, besnikëria i ka rrënjët te dashuria. * Gjithashtu, fjala «i besueshëm» mund të përdoret edhe për gjërat pa jetë. Për shembull, psalmisti e quajti hënën një ‘dëshmitar të besueshëm në qiell’, ngaqë ajo del rregullisht çdo natë. (Psalmi 89:37) Por hëna nuk mund të përshkruhet si besnike. Përse jo? Sepse besnikëria është shprehje e dashurisë, diçka që gjërat pa jetë nuk mund ta shfaqin.

Hëna quhet një dëshmitar i besueshëm, por vetëm krijesat e gjalla me intelekt mund ta pasqyrojnë me të vërtetë besnikërinë e Jehovait

5 Në kuptimin biblik, besnikëria është një cilësi e përzemërt. Vetë fakti që tregohet kjo cilësi dëshmon se ekziston një marrëdhënie midis personit që e tregon atë dhe personit ndaj të cilit tregohet kjo besnikëri. Ajo nuk është e paqëndrueshme. Nuk është si valët e detit që lëkunden nga erërat gjithnjë të ndryshueshme. Përkundrazi, besnikëria ose dashuria besnike ka qëndrueshmërinë dhe forcën e duhur për të kapërcyer edhe pengesa nga më të vështirat.

6. (a) Sa e rrallë është besnikëria ndër njerëzit, dhe si tregohet kjo në Bibël? (b) Cila është mënyra më e mirë për të mësuar se çfarë përfshin besnikëria, dhe përse?

6 Kuptohet që sot kjo besnikëri është e rrallë. Shumë shpesh shokët e ngushtë janë «gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin». Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për bashkëshortë që braktisin njëri-tjetrin. (Proverbat 18:24; Malakia 2:14-16) Tradhtia është kaq e zakonshme, saqë ndoshta edhe ne përsëritim fjalët e profetit Mikea: «Njeriu besnik është zhdukur nga toka.» (Mikea 7:2) Ndonëse njerëzit shpesh nuk tregojnë dashamirësi, besnikëria e karakterizon në mënyrë të jashtëzakonshme Jehovain. Pikërisht, mënyra më e mirë për të mësuar se çfarë përfshin besnikëria është të shqyrtojmë si e tregon Jehovai këtë tipar shumë të rëndësishëm të dashurisë së tij.

Besnikëria e pakrahasueshme e Jehovait

7, 8. Pse mund të thuhet që vetëm Jehovai është besnik?

7 Bibla thotë për Jehovain: «Vetëm ti je besnik.» (Zbulesa 15:4) Ç’do të thotë kjo? A nuk kanë treguar edhe njerëzit e engjëjt në disa raste besnikëri të jashtëzakonshme? (Jobi 1:1; Zbulesa 4:8) Po Jezu Krishti? A nuk është ai ‘besniku’ më i madh i Perëndisë? (Psalmi 16:10) Atëherë, si mund të thuhet që vetëm Jehovai është besnik?

8 Para së gjithash, duhet të mbajmë në mend se besnikëria është tipar i dashurisë. Meqenëse «Perëndia është dashuri», duke qenë vetë personifikimi i kësaj cilësie, kush mund të tregojë besnikëri në mënyrë më të plotë se Jehovai? (1 Gjonit 4:8) Është e vërtetë se engjëjt dhe njerëzit mund të pasqyrojnë cilësitë e Perëndisë, por vetëm Jehovai është besnik në shkallën më të lartë. Si «i Lashti i Ditëve», ai ka treguar dashamirësi nga shumë më tepër kohë se çdo krijesë, tokësore a qiellore. (Danieli 7:9) Prandaj Jehovai është vetë personifikimi i besnikërisë. Ai e tregon këtë cilësi në mënyrë të tillë që asnjë krijesë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Shqyrto disa shembuj.

9. Si është Jehovai «besnik në të gjitha veprat e tij»?

9 Jehovai është «besnik në të gjitha veprat e tij». (Psalmi 145:17) Në ç’mënyrë? Psalmi 136 na jep përgjigjen. Aty citohen disa nga veprat shpëtuese të Jehovait, si për shembull çlirimi i mrekullueshëm i izraelitëve duke kaluar përmes Detit të Kuq. Është domethënëse që në çdo varg të këtij psalmi përsëritet shprehja: «Sepse dashamirësia [ose besnikëria] e tij qëndron përjetë.» Ky psalm përfshihet në kutinë «Pyetje për meditim» në faqen 289. Ndërsa i lexon këto vargje, patjetër do të të lënë mbresa mënyrat e shumta në të cilat e tregoi Jehovai dashamirësinë e tij ndaj popullit të vet. Po, Jehovai u tregon besnikëri shërbëtorëve të tij besimplotë duke i dëgjuar thirrjet e tyre për ndihmë dhe duke ndërmarrë veprime në kohën e caktuar. (Psalmi 34:6) Dashuria besnike e Jehovait për shërbëtorët e tij nuk lëkundet për sa kohë që ata i qëndrojnë besnikë atij.

10. Si tregon besnikëri Jehovai për sa u përket normave të tij?

10 Përveç kësaj, Jehovai u tregon besnikëri shërbëtorëve të tij duke iu përmbajtur normave të veta. Ndryshe nga disa njerëz të paqëndrueshëm, të cilët udhëhiqen nga impulsi dhe nga sentimentalizmi, Jehovai nuk lëkundet në pikëpamjen e tij për atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar. Gjatë mijëvjeçarëve, pikëpamja e tij për gjëra të tilla si spiritizmi, idhujtaria dhe vrasja nuk ka ndryshuar. «Deri në pleqërinë tuaj, unë jam i Njëjti»,​—tha ai nëpërmjet profetit të tij, Isaisë. (Isaia 46:4) Prandaj mund të jemi të sigurt se do të jetë në të mirën tonë të ndjekim drejtimin e qartë moral që gjendet në Fjalën e Perëndisë.​—Isaia 48:17-19.

11. Jep shembuj që tregojnë se Jehovai i mban premtimet e tij.

11 Jehovai tregon besnikëri edhe duke mbajtur premtimet e tij. Kur ai parathotë diçka, kjo ndodh se s’bën. Kështu, Jehovai tha: «Fjala që del nga goja ime . . . nuk do të kthehet tek unë pa rezultate, por do të kryejë, me siguri, atë me të cilën jam kënaqur dhe do të ketë sukses të sigurt në atë për të cilën e kam dërguar.» (Isaia 55:11) Duke e mbajtur fjalën e dhënë, Jehovai i tregon besnikëri popullit të tij. Nuk i mban ata në ankth, duke i lënë të presin diçka që ai s’ka ndërmend ta realizojë. Lidhur me këtë, Jehovai njihet si një person kaq i patëmetë, saqë shërbëtori i tij Josiu tha me plot gojën: «Asnjë nga të gjitha gjërat e mira që i premtoi Jehovai shtëpisë së Izraelit nuk mbeti pa u plotësuar, të gjitha dolën të vërteta.» (Josiu 21:45) Pra, mund të jemi të sigurt se nuk do të zhgënjehemi kurrë ngaqë Jehovai s’ka qenë në gjendje të mbajë premtimet.​—Isaia 49:23; Romakëve 5:5.

12, 13. Në cilat mënyra vazhdon «përjetë» dashamirësia e Jehovait?

12 Siç e vumë re më sipër, Bibla na thotë se dashamirësia e Jehovait «qëndron përjetë». (Psalmi 136:1) Ç’do të thotë kjo? Pikësëpari, kur Jehovai fal mëkatet, e bën këtë një herë e mirë. Siç u trajtua në kapitullin 26, Jehovai nuk ia rikujton një njeriu gabimet e së kaluarës për të cilat e ka falur. Meqë «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë», secili prej nesh duhet të jetë mirënjohës që dashamirësia e Jehovait qëndron përjetë.​—Romakëve 3:23.

13 Por dashamirësia e Jehovait qëndron përjetë edhe në një kuptim tjetër. Fjala e tij thotë se i drejti «do të bëhet si një pemë e mbjellë buzë rrjedhave të ujit, që jep frytet e saj në stinën e saj dhe gjethnaja e së cilës nuk vyshket, dhe çdo gjë që bën ai do të ketë sukses». (Psalmi 1:3) Përfytyro një pemë të harlisur, gjethet e së cilës nuk vyshken kurrë! Po kështu, nëse vërtet gjejmë kënaqësi në Fjalën e Perëndisë, do të kemi një jetë të gjatë, paqësore dhe të frytshme. Bekimet që me besnikëri Jehovai u jep shërbëtorëve të tij besimplotë janë të përhershme. Vërtet, në botën e re të drejtë që do të sjellë Jehovai, njerëzimi i bindur do të provojë përjetë dashamirësinë e tij.​—Zbulesa 21:3, 4.

Jehovai «nuk do t’i braktisë besnikët e tij»

14. Si tregon vlerësim Jehovai për besnikërinë e shërbëtorëve të tij?

14 Jehovai e ka treguar shpesh besnikërinë e tij. Meqenëse Jehovai është koherent në mënyrë të përsosur, besnikëria që u tregon shërbëtorëve të tij besimplotë nuk pakësohet kurrë. Psalmisti shkroi: «Kam qenë i ri e tani jam plakur, e megjithatë nuk kam parë asnjë të drejtë të braktisur tërësisht, as pasardhësit e tij të kërkojnë bukë. Sepse Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e tij.» (Psalmi 37:25, 28) Është e vërtetë se duke qenë Krijuesi, Jehovai e meriton adhurimin tonë. (Zbulesa 4:11) Gjithsesi, duke qenë besnik, Jehovai i vlerëson shumë veprimet tona besimplote.​—Malakia 3:16, 17.

15. Shpjego se si e nxjerrin në pah besnikërinë e Jehovait marrëdhëniet e tij me Izraelin.

15 Me dashamirësi, Jehovai vazhdimisht u vjen në ndihmë shërbëtorëve të tij kur janë në vështirësi. Psalmisti na thotë: «Ai e ruan shpirtin e besnikëve të tij dhe nga dora e të ligjve i çliron.» (Psalmi 97:10) Shqyrto se si veproi me kombin e Izraelit. Pasi u çliruan me anë të një mrekullie përmes Detit të Kuq, izraelitët i shpallën në këngë Jehovait: «Me dashamirësinë [ose «dashurinë besnike», shënimi] tënde i ke prirë popullit që ke rimëkëmbur.» (Dalja 15:13) Çlirimi në Detin e Kuq ishte patjetër një veprim që tregonte dashurinë besnike të Jehovait. Prandaj Moisiu u tha izraelitëve: «Jehovai ju tregoi përzemërsi duke ju zgjedhur ju, jo se ishit më i madhi i të gjithë popujve, pasi ju ishit më i vogli ndër ta, por meqë Jehovai ju do dhe e mban betimin që u kishte bërë paraardhësve tuaj, Jehovai ju nxori me dorë të fortë, që t’ju shpengonte nga shtëpia e skllevërve, nga dora e faraonit, mbretit të Egjiptit.»​—Ligji i përtërirë 7:7, 8.

16, 17. (a) Çfarë mungese tronditëse çmueshmërie shfaqën izraelitët, e megjithatë si tregoi dhembshuri Jehovai ndaj tyre? (b) Si e treguan shumica e izraelitëve se «nuk kishte shërim» për ta, dhe ç’paralajmërim përbën kjo për ne?

16 Sigurisht, si komb izraelitët nuk treguan çmueshmëri për dashamirësinë e Jehovait, sepse pas çlirimit «vazhduan të mëkatonin edhe më shumë kundër tij, duke ngritur krye kundër Më të Lartit». (Psalmi 78:17) Gjatë shekujve, u rebeluan vazhdimisht, duke u larguar nga Jehovai dhe duke u kthyer te perënditë e rreme e te praktikat pagane që sillnin veç ndotje. Gjithsesi, Jehovai nuk e shkeli besëlidhjen e tij. Përkundrazi, nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai iu lut popullit të tij: «Kthehu, o Izrael renegat . . . Nuk do ta kthej me zemërim fytyrën time drejt jush, sepse unë jam besnik.» (Jeremia 3:12) Mirëpo, siç e vumë re në kapitullin 25, shumica e izraelitëve nuk u prekën nga këto fjalë. Madje «talleshin vazhdimisht me lajmëtarët e Perëndisë së vërtetë, përbuznin fjalët e tij dhe ia vinin në lojë profetët». Cila ishte pasoja? Së fundi «tërbimi i Jehovait erdhi kundër popullit të tij, derisa nuk kishte shërim».​—2 Kronikave 36:15, 16.

17 Çfarë mësojmë nga kjo? Mësojmë që besnikëria e Jehovait s’është as e verbër, as naive. Vërtet, Jehovai është «plot me dashamirësi» dhe kënaqet duke treguar mëshirë kur ka një bazë për të. Por, çfarë ndodh kur një keqbërës është i pandreqshëm e i lig? Në rast të tillë, Jehovai u përmbahet normave të veta të drejta dhe i jep gjykim të pafavorshëm. Siç iu tha Moisiut, «[Jehovai] në asnjë mënyrë nuk lë pa ndëshkuar».​—Dalja 34:6, 7.

18, 19. (a) Në ç’kuptim ndëshkimi i të ligjve nga ana e Jehovait është në vetvete një akt besnikërie? (b) Në ç’mënyrë do ta tregojë Jehovai besnikërinë ndaj shërbëtorëve të tij që janë përndjekur deri në vdekje?

18 Në vetvete ndëshkimi i të ligjve nga ana e Perëndisë është një akt besnikërie. Si? Një tregues e gjejmë në librin e Zbulesës, në urdhrat që u jep Jehovai shtatë engjëjve: «Shkoni dhe derdhni mbi tokë shtatë kupat e mëdha të zemërimit të Perëndisë.» Kur engjëlli i tretë e derdh kupën e tij «në lumenjtë dhe në burimet e ujërave», këto kthehen në gjak. Pastaj engjëlli i thotë Jehovait: «Ti, Ai që është dhe që ishte, Besniku, je i drejtë, sepse ke dhënë këto vendime, sepse ata derdhën gjakun e të shenjtëve dhe të profetëve dhe ti u dhe gjak për të pirë. E meritojnë.»​—Zbulesa 16:1-6.

Jehovai me besnikëri do t’i kujtojë dhe do t’i ringjallë ata që janë treguar besnikë deri në vdekje

19 Vër re se aty nga mesi i mesazhit të gjykimit që po shpall, engjëlli i drejtohet Jehovait si «Besniku». Përse? Sepse duke shkatërruar të ligjtë, Jehovai po tregon besnikëri ndaj shërbëtorëve të tij, shumë prej të cilëve janë përndjekur deri në vdekje. Me besnikëri, Jehovai i mban të gjallë në kujtesën e tij këta individë. Ai digjet nga dëshira për t’i parë përsëri këta njerëz besimplotë që kanë vdekur, dhe Bibla e vërteton se qëllimi i tij është t’i shpërblejë ata me ringjallje. (Jobi 14:14, 15) Jehovai nuk i harron shërbëtorët e tij besnikë vetëm ngaqë nuk janë më në jetë. Përkundrazi, «për të, të gjithë ata jetojnë». (Luka 20:37, 38) Qëllimi i Jehovait për t’i kthyer prapë në jetë ata që janë në kujtesën e tij është një dëshmi e fuqishme e besnikërisë që ka.

Bernard Luimesi (majtas) dhe Volfgang Kuserovi (në qendër) u ekzekutuan nga nazistët

Mozes Niamusua (djathtas) u vra nga një grup politik, të cilët e shpuan për vdekje me bajoneta

Dashuria besnike e Jehovait hap rrugën për shpëtim

20. Cilat janë «enët e mëshirës», dhe si u tregon besnikëri Jehovai atyre?

20 Gjatë gjithë historisë Jehovai ka treguar besnikëri të jashtëzakonshme ndaj njerëzve besimplotë. Pikërisht, për mijëra vjet Jehovai ka ‘toleruar me shumë shpirtgjerësi enët e zemërimit që ishin bërë të përshtatshme për shkatërrim’. Përse? «Me qëllim që të bënte të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës, të cilat i përgatiti që më parë për lavdi.» (Romakëve 9:22, 23) Këto ‘enë mëshire’ janë njerëzit e prirur siç duhet, të cilët janë mirosur nga fryma e shenjtë për të qenë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë e tij. (Mateu 19:28) Duke u hapur rrugën për shpëtim këtyre enëve të mëshirës, Jehovai u tregua besnik ndaj Abrahamit, të cilit i kishte bërë këtë premtim besëlidhjeje: «Me anë të farës sate me siguri do të bekohen të gjitha kombet e tokës, falë faktit që ti e ke dëgjuar zërin tim.»​—Zanafilla 22:18.

Për shkak të besnikërisë së Jehovait, të gjithë shërbëtorët e tij besimplotë kanë një shpresë të besueshme për të ardhmen

21. (a) Si i tregon besnikëri Jehovai ‘një shumice të madhe’ që ka shpresën për të dalë nga «shtrëngimi i madh»? (b) Çfarë të shtyn të bësh besnikëria e Jehovait?

21 Jehovai i tregon besnikëri të ngjashme ‘një shumice të madhe’ që ka shpresën për të dalë nga «shtrëngimi i madh» dhe për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. (Zbulesa 7:9, 10, 14) Ndonëse shërbëtorët e tij janë të papërsosur, Jehovai me besnikëri u jep mundësinë të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Si e bën këtë? Me anë të shpërblesës që është shfaqja më e madhe e besnikërisë së Jehovait. (Gjoni 3:16; Romakëve 5:8) Besnikëria e Jehovait i tërheq ata që, në zemrën e tyre, janë të etur për drejtësi. (Jeremia 31:3) A nuk ndihesh më afër Jehovait për shkak të besnikërisë së thellë që ka treguar e që do të tregojë ende? Duke qenë se dëshirojmë t’i afrohemi Perëndisë, le t’i përgjigjemi dashurisë së tij duke e forcuar vendosmërinë tonë për t’i shërbyer me besnikëri!

^ par. 4 Interesante është se fjala e përkthyer «besnikëri» te 2 Samuelit 22:26 në vende të tjera përkthehet «dashamirësi» ose «dashuri besnike».