Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PYETJA 1

Kush jam unë?

Kush jam unë?

PSE KA RËNDËSI

Nëse njeh veten dhe bindjet e tua, do të marrësh vendimet e duhura kur të jesh nën presion.

ÇFARË DO TË BËJE TI?

Imagjino këtë situatë: Karola, një minorene, s’ka as dhjetë minuta që ka shkuar në festë kur dëgjon nga pas një zë të njohur.

«Ç’më rri ashtu?»

Karola kthehet dhe sheh shoqen e saj, Xhesikën, me dy shishe të sapohapura, që duket se kanë alkool. Ia zgjat njërën Karolës dhe i thotë: «Nuk je edhe aq e vogël, sa të mos bësh pak qejf, apo jo?»

Karola nuk do që ta pranojë shishen, mirëpo Xhesikën e ka shoqe, dhe nuk do që shoqja e saj të mendojë se është e mërzitshme. Përveç kësaj, Xhesika është vajzë e mirë. Nëse pi ajo, nuk duhet të jetë dhe aq e gabuar. «Hë, se pije është,—thotë me vete Karola.—Nuk është se po marr drogë.»

Po të ishe në vend të Karolës, çfarë do të bëje?

NDALU E MENDO

Që të marrësh një vendim të mençur në situata të tilla, duhet të kesh një identitet. Identiteti është ndjesia e brendshme që të tregon se kush je dhe cilat janë bindjet e tua. Kur di këtë, do të kesh forcën për ta kontrolluar ti jetën tënde e jo të tjerët.1 Korintasve 9:26, 27.

Si mund ta zhvillosh këtë lloj force? Një fillim i mirë është të shqyrtosh këto pyetje.

1 CILAT JANË PIKAT E MIA TË FORTA?

Kur di aftësitë dhe cilësitë e mira që ke, do të kesh më shumë besim te vetja.

SHEMBULL BIBLIK: Apostulli Pavël shkroi: «Edhe nëse nuk jam i zoti në të folur, sigurisht që nuk jam i tillë në njohuri.» (2 Korintasve 11:6) Meqë kishte kuptueshmëri të thellë për Shkrimet, Pavli mbeti i palëkundur përballë presionit. Komentet negative të të tjerëve nuk ia dobësuan besimin te vetja.2 Korintasve 10:10; 11:5.

ANALIZO VETEN: Shkruaj një talent ose aftësi që ke.

Tani përshkruaj një pikë të fortë tënden. (Për shembull, a je i kujdesshëm, bujar, i besueshëm apo i përpiktë?)

2 CILAT JANË PIKAT E MIA TË DOBËTA?

Ashtu si fortësia e një zinxhiri varet nga hallka e tij më e dobët, edhe identiteti yt mund të vihet në rrezik nëse i lejon pikat e dobëta të të kontrollojnë.

SHEMBULL BIBLIK: Pavli ishte i vetëdijshëm për pikat e tij të dobëta. Ai shkroi: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit.»Romakëve 7:22, 23.

ANALIZO VETEN: Cilat pika të dobëta duhet të mësosh të kontrollosh?

3 ÇFARË SYNIMESH KAM?

A do të hipje në një taksi dhe t’i thoshe shoferit t’i binte rreth e qark lagjes derisa t’i mbaronte karburanti? Do të ishte budallallëk dhe e kushtueshme.

Ç’mësim nxjerrim nga kjo? Synimet të ndihmojnë të kesh një drejtim në jetë e të mos sorollatesh. Ke një ide se ku do të shkosh dhe një plan si të arrish atje.

SHEMBULL BIBLIK: Pavli shkroi: «Mënyra se si vrapoj nuk është e pasigurt.» (1 Korintasve 9:26) Ai nuk lejoi që dallgët e jetës ta çonin andej-këtej, por vuri synime dhe jetoi në përputhje me to.Filipianëve 3:12-14.

ANALIZO VETEN: Shkruaj tri synime që do të doje t’i arrije brenda vitit tjetër.

4 CILAT JANË BINDJET E MIA?

Kur e ke të qartë identitetin tënd, je si një pemë me rrënjë të forta që mund t’u qëndrojë stuhive të egra

Pa bindje do të jesh i pavendosur. Si një kameleon, do të ndryshosh ngjyrë që t’u përshtatesh bashkëmoshatarëve, një shenjë e qartë që tregon se nuk ke identitetin tënd.

Në të kundërt, kur vepron sipas bindjeve të tua, ruan identitetin, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët.

SHEMBULL BIBLIK: Kur ndoshta ishte ende adoleshent, profeti Daniel «ishte i vendosur në zemër» t’u bindej ligjeve të Perëndisë, edhe pse e kishin ndarë nga familja. (Danieli 1:8) Duke bërë kështu, jetoi në përputhje me atë që kishte vendosur, pra në përputhje me bindjet e veta.

ANALIZO VETEN: Cilat janë bindjet e tua? Për shembull: a beson te Zoti? Nëse po, pse? Çfarë të bind ty se ai ekziston?

A beson se normat morale të Perëndisë janë për të mirën tënde? Nëse po, pse?

Në fund të fundit, çfarë do të doje të ishe: një gjethe e rënë që e çon era andej-këtej apo një pemë që u qëndron edhe stuhive të egra? Forco identitetin dhe do të jesh si kjo pemë. Kështu do të mund t’i përgjigjesh pyetjes: kush jam unë?