Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 11

Flake tej fenë e rreme!

Flake tej fenë e rreme!

Satanai dhe demonët e tij nuk duan që ti t’i shërbesh Perëndisë. Ata duan të largojnë çdo person nga Perëndia, nëse munden. Si përpiqen ta bëjnë këtë? Një mënyrë është me anë të fesë së rreme. (2 Korintasve 11:13-15) Një fe është e rreme, nëse nuk mëson të vërtetën sipas Biblës. Feja e rreme është si paraja false​—mund të duket si e vërtetë, por në fakt nuk ka vlerë. Ajo mund të të shkaktojë shumë probleme.

Falsiteti fetar nuk mund t’i pëlqejë kurrë Jehovait, që është Perëndi i së vërtetës. Kur Jezui ishte në tokë, ekzistonte një grup fetar që dëshironte ta vriste atë. Ata mendonin se mënyra e tyre e adhurimit ishte e drejtë. «Kemi një Atë të vetëm, Perëndinë»,​—thanë ata. A e pranoi këtë gjë Jezui? Jo! Ai u tha atyre: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli.» (Gjoni 8:41, 44) Sot, shumë njerëz mendojnë se po adhurojnë Perëndinë, por në të vërtetë po i shërbejnë Satanait dhe demonëve të tij.​—1 Korintasve 10:20.

Ashtu si një pemë e prishur jep fruta të këqija, edhe feja e rreme nxjerr njerëz që bëjnë gjëra të këqija. Bota është e mbushur me probleme për shkak të gjërave të këqija që bëjnë njerëzit. Ekziston imoraliteti, lufta, vjedhja, shtypja, vrasja dhe përdhunimi. Shumë nga ata që i bëjnë këto gjëra të këqija kanë një fe, por feja e tyre nuk i nxit që të praktikojnë atë që është e mirë. Ata nuk mund të jenë miqtë e Perëndisë, nëse nuk heqin dorë nga bërja e gjërave të këqija.​—Mateu 7:17, 18.

Feja e rreme i mëson njerëzit që t’u luten idhujve. Perëndia thotë që të mos u lutemi idhujve. Kjo është më se e arsyeshme. A do të të pëlqente nëse një person nuk do të bisedonte kurrë me ty, por vetëm me fotografinë tënde? A mund të jetë ai person miku yt i vërtetë? Jo. Jehovai dëshiron që njerëzit të bisedojnë me të, jo me ndonjë statujë ose fotografi të pajetë.​—Eksodi 20:4, 5.

Feja e rreme mëson se është më se e drejtë të vrasësh të tjerët në kohë lufte. Jezui tha se miqtë e Perëndisë duhet të kenë dashuri në mes tyre. Ne nuk i vrasim njerëzit që i duam. (Gjoni 13:35) Madje, për ne është e gabuar që të vrasim edhe njerëzit e këqinj. Kur armiqtë e Jezuit erdhën ta arrestonin, ai nuk i lejoi dishepujt e tij që të luftonin për ta mbrojtur atë.​—Mateu 26:51, 52.

Feja e rreme mëson se të ligjtë do të vuajnë në zjarrin e ferrit. Megjithatë, Bibla mëson se mëkati çon në vdekje. (Romakëve 6:23) Jehovai është një Perëndi i dashurisë. A do t’i mundonte përgjithmonë njerëzit një Perëndi i dashur? Sigurisht që jo! Në Parajsë do të ketë vetëm një fe, ajo që Jehovai miraton. (Zbulesa 15:4) Të gjitha fetë që janë bazuar në gënjeshtrat e Satanait do të jenë eliminuar.